Partia Demokratike organizoi në Qytetin Studenti një forum të hapur me dëshmi e kujtime nga lëvizja studentore e dhjetorit ’90. Mesazhi i lirisë dhe i Shqipërisë Europiane mbetet aktual dhe një thirrje për rininë e sotme që të jetë aktive për vlerat që aspiron Shqipëria
Partia Demokratike organizoi sot një forum të hapur “Drejt Lirisë”, me rastin e 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë, në Qytetin Studenti aty ku 24 vite më parë nisi lëvizja më e madhe për liritë e të drejtat njerëzore.
“Marshimi dhe thirrjet për liri e demokraci, gjunjëzuan regjimin e së keqës. Tirana u bashkua me lëvizjet antikomuniste të Berlinit, Pragës, Varshavës dhe Budapestit, në atë rikthim të endërruar europian. Aty bota mbarë kuptoi vokacionin perëndimor të popullit shqiptar”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike.
Basha tha se ne vijmë këtu çdo 8 dhjetor, e do të vazhdojmë të vijmë për të përkujtuar me nderim Lëvizjen Studentore të Dhjetorit të 90-ës. “Ne vijmë këtu se këtu janë rrënjet tona të lirisë”, tha Basha.
Kryetari i opozitës u shpreh se tendencat e kthimit prapa në mendësitë dhe praktikat e vjetra të sundimit të oligarkisë në vend të sundimit të ligjit, si ato që manifeston dyshja Rama- Meta janë në kundërshtim flagrant me frymën dhe vlerat e Lëvizjes prej nga jemi nisur si vend dhe si shoqëri.
“Liria dhe dija janë dy anë të medaljes që ndërtuan perëndimin por që janë po aq të rrezikuara tek ne, sa 24 vjet më parë. Njerëz të paditur kanë kapur shtetin dhe me forcën e pushtetit po ju marrin lirinë njerëzve të ditur”, tha Basha i cili shpalli dhe nisjen e projektit “Drejt lirisë”, që do të jetë një udhëtim dhe evokim i përballjeve më madhore shqiptarëve me diktaturën.
Duke kujtuar ato kohë të vështira, z.Sali Berisha tha se vetëm studentët, vetëm ata mund të çelnin portat e lirisë për shqiptarët.
“Atë që bënë ata nuk mund ta bënte askush por nuk do të ishte e mundur pa bashkimin e qytetarëve të Tiranë dhe në veçanti të punëtorëve të Tiranës, në veçanti të punëtorëve të ndërmarrjeve të Tiranës, të cilët vërshuan në mënyrë të paimagjinueshme në këtë shesh të mbështesnin dhe të mbronin studentët, sepse diktatura do të bënte çdo gjë, që të gjente një zgjidhje kundër tyre, çka ishte më e rënda ose do gjente zgjidhje të tjera, por vërshimi masiv i punonjësve të Tiranës e shndërroi këtë qytet në kështjellën e pamposhtur të lirisë”, u shpreh Berisha.
Arben Imami tha se ne i kthehemi dhjetorit 1990 për shkak se ai është akti i themelimit të Shqipërisë moderne.
“Çdo popull në momentet më të vështira historike, por jo vetëm në ato momente, në të gjithë jetën e tij, thelbin e jetës së tij, të jetës politike të përbashkët, i drejtohet aktit të themelimit. Siç i drejtoheshin romakët themelimit të Romës, siç i drejtoheshin athinasit themelimit të Athinës, ashtu i drejtohen themelimit të tyre amerikanët me Kushtetutën e tyre. Duhet të vijmë të gjithë këtu si një vend i bekuar për të kuptuar se cilat janë themelet tona”, tha Imami.
Eduard Selami kujtoi se frika ishte prezente ne atë kohë, ishte pjesa më e rëndë ku diktatura bënte të mundur ekzistencën e saj.
“Dhe ata që vranë frikën në fillim ishin studentët. Dhe nëse ka një nga meritat e shumta dhe ka shumë dëshmitarë këtu në sallë që Azem Hajdari ka, është ishte vërtet ai që e vrau frikën dhe çante i pari. Unë mendoj se mënyra më e mirë për të vrarë frikën është ta zëvëndësosh atë me shpresën dhe kjo u bë. Dhe frika u la tej dhe pas saj ishte shpresa për një Shqipëri më të mirë, shpresa për një Shqipëri më të lirë, shpresa për një Shqipëri si gjithë Europa”, tha Selami, i cili i bëri thirrje të rinjve të jenë aktivë, pasi nuk do të kishte shërbim më të madh për lëvizjen e Dhjetorit se sa rinia e sotme të jetë aktive.
“Në këtë përvjetor të 24-të, më shumë se kurrë më parë, është përmendur emri i diktatorit dhe fjala burg nga dyshja Rama-Meta apo nga ata që ne kishim menduar se i kishim rrëzuar përfundimisht në dhjetor të 90-s. Që të mos përmendet më emri i diktarorit duhet angazhimi dhe sinteza e tre brezave, intelektualët e viteve 90, studentët e vitit 90, e brezave studentorë të këtyre viteve”, tha Bislim Ahmetaj.
Piktori Ardian Isufi, kujtoi proverbin latin se më shumë dije të bën më të lirë. “Pra liria, vjen nëpërmjet kulturës dhe emancipimit të saj. Deri dje arti dhe estetika e tij është parë si një fenomen i izoluar. Sot në fakt, arti është një formë e re, një formë e artit të angazhuar ku studentët dhe të rinjtë duhet patjetër ta gjejnë vetveten. Sot publiku ka një gjithëpërfshirje dhe arti në vetvete jep dhe çështje të reja siç janë çështjet e përfaqësimit dhe të politikës, çështjet sociale dhe shoqërore të cilat të gjitha bashkë tregojnë dhe bëjnë një gjithëpërfshirje komplekse”, tha Isufi.
Pjesë e forumit Drejt Lirisë ishin edhe përfaqësues të rinisë së sotme.
“Ndonjëherë ne shpejtohemi dhe mendojmë që mirëqenia ka lidhje drejtpërdrejt dhe vetëm me aspektin ekonomik dhe të mirat materiale, por sot në të gjithë vendet dhe shoqëritë moderne, në krye të vlerave njerëzore mbeten liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe demokracia si formë e organizimit të jetës shoqërore. Por sot jemi 24 vite më mbrapa dhe shikojmë që demokracia dhe liritë e të drejtat themelore kanë në mënyrë të shpejtë një degradim vërtet të frikshëm”, tha Fabian Topallaj, duke përmendur të drejtën e cënuar nga qeveria për arsimin e lartë apo edhe dhunën që ka ushtruar policia ndaj studentë të shkencave të natyrës vetëm se protestuan për kushte më të mira laboratorike.
Pedagogia Merlinda Hoço tha se demokracia pa liri nuk ka vlerë.
“Por ka dhe një burim tjetër shumë të rëndësishëm që i ushqen këto të dyja dhe i mban gjallë dhe ajo është dija”.
Hoco shtoi se liria është e kërcënuar, pasi dija është e kërcënuar. “Tarifat e studimit janë rritur për çdo student të nivelit Bachelor dhe Master të cilët duan të investojnë në dije. Po në fund të ditës në çfarë përkthehet kjo? Kjo përkthehet në libra më pak, përkthehet në burim informacioni më pak. Nga ana tjetër kuotat janë ulur. Një pjesë e mirë e studentëve, nuk kanë mundësi ekonomike që ta vazhdojnë këtë studim, arsimim apo thellim të dijes”, tha Hoco.
Fabjola Bregu u ndal tek problemet e administraës publike.
“Ajo çfarë ndodh prej një viti, me çështjet e administratës publike, është një lloj përballje e frikshme e mijëra qytetarëve shqiptar me padrejtësinë dhe kundërligjshmërinë. Sot, Gjykatat në vend janë të mbingarkuara me çështje të punonjësve të larguar nga administrata dhe ka konstatuar në pjesën më dërrmuese të rasteve shkelje flagrante të ligjit”, tha Bregu duke theksuar se për rininë sot, dyert e administratës janë hermetikisht të mbyllura.
Belind Këlliçi, kreu i Departamentit për të Përndjekurit dhe ish-Pronarët u shpreh se Partia Demokratike është e vetmja që ofron alternativën Europiane dhe që mirëpret të rinjtë që duan dhe aspirojnë të kontribojnë për vendin e tyre. “Nuk besoj se ka të ri sot që nuk ushqen një ndjenjë keqardhje për sistemin të cilin dyshja qeverisëse Rama-Meta ka instaluar në vend, në qeverisje e në administratë. Të gjithë
e shohim se ka shefa, drejtorë dhe deputetë që kanë një të kaluar kriminale. Besoj se kjo nuk është aspak aspirata mbi të cilën u ngjiz lëvizja e 24 viteve më parë në këtë sallë dhe në mënyrë absolute nuk mund të jetë kjo aspirata e të rinjve sot”, tha Këllici.
Besart Kadia tha se është shqetësues fakti se sondazhet tregojnë që një në dy të rinj do të largohet nga Shqipëria.
“Dua t’u kujtoj rastin e dy të rinjve shqiptar që u dogjën të gjallë në kërkim të, ose në përpjekjen e tyre për të ndërtuar jetën në Angli. Ky është një fakt rrënqethës, që tregon se të rinjtë akoma mundohen të largohen nga Shqipëria, nga familja e tyre dhe gjejnë këto mënyra kaq ekstreme që ne mendonim se i kishim lënë pas. Të dhëna të reja tregojnë që, në vitin 2014, dhe këto janë të dhëna zyrtare, janë rreth 5000 shqiptarë që kërkojnë azil në vendet perëndimore që janë vende shengen dhe jo shengen”, u shpreh Kadia.