Nuk jam këtu për të komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese sepse nuk e kam bërë këtë dhe nuk do ta bëj kurrë, edhe pse kësaj radhe vendimi na u komunikua me twitter nga Kryeministri Edi Rama.
Jam këtu për të përsëritur edhe njëherë qendrimin tonë. Harta territoriale Rama-Meta u ndërtua pa konsensusin me opozitën, u ndërtua pa pyetur qytetarët, u ndërtua kundër frymës së bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes të këshilluar nga institucionet ndërkombëtare, të pritur, të dëshiruar nga qytetarët, të kërkuar nga praktika më e mirë e 23 viteve.
U ndërtua në kundërshtim me kriteret e rekomanduara nga institucionet e specializuara vendase dhe të huaja për një qëllim të vetëm; sepse nuk është hartë reforme por është tortë e ndarjes elektorale të Shqipërisë.
Partia Demokratike nuk e pranon dhe nuk do ta pranojë kurrë këtë hartë të turpshme të pazareve të pista Rama-Meta dhe të thërrimeve për këdo tjetër që u ul në këtë sofër. Ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm politikë, institucionalë, demokratike, duke rivendosur sovranitetin e qytetarëve në këtë proces jetik që është ndarja territoriale e vendit; duke u kujtuar oligarkëve se pronarë të këtij vendi nuk janë ata, por është sovrani, janë qytetarët, të cilët janë shprehur, e do të vazhdojnë të shprehen.
70 mijë firma janë depozituar sot për referendume lokale që përfaqësojnë qindra mijëra qytetarë anembanë vendit për të cilët kjo hartë është e papranueshme, është në kundërshtim me interestat e tyre, është armike e interesave të tyre. Partia Demokratike do të jetë në krah të tyre, do të jetë zëdhënëse e fuqishme e zërit të tyre, përfaqësuese e interesit të tyre dhe drejtuese e protestës së tyre të drejtë dhe legjitime kundër kësaj maskarade.