Lulzim Basha dhe ekipi i tij çelin fushatën në Lezhë
Lulzim Basha dhe ekipi i tij hapën fushatën në Qarkun e Lezhës. Lideri i Republikës së Re tha se me 25 Qershor shqiptarët do votojnë për një ekonomi të fortë për të pasur një shtet të fortë. Basha kërkoi votën për të qeverisur vendin jo me palma e pllaka por me ulje taksash e vende të reja pune.
“Me mua kryeministër në Republikën e Re nuk do të ketë më palma, nuk do të ketë më fasada pa mbyllur në fillim plagët dhe hallet e shqiptarëve duke filluar me uljen e taksave. Ulja e taksave, ulja e TVSH-së jo vetëm do të lehtësojë jetët e njerëzve por do të mundësojë po kështu që miliona euro që sot struken nga frika e taksave apo zhbëhet nga frika e falimentimeve i ndërmarrjeve, të qarkullojnë në Lezhë e mbarë Shqipërinë. Të hapim vende pune, të rrisim konsumin, të shtojmë paratë në xhepat tuaja. Ky është prioriteti im i parë. Nuk ka Shqipëri të fortë pa ekonomi të fortë. Unë do të jem kryeministri i punësimit tuaj”, tha Basha.
Lideri demokrat Lulzim Basha tha se Shqipëria ka nevojë për një kryeministër që të punojë për shqiptarët e të jetojë me hallet e tyre.
“Nuk mban më ujë pilafi. Shqipëria ka nevojë për një ekip, për një program dhe për një kryeministër që të vërë ekonominë në punë, që të ulë taksat, të punojë për njerëzit, që të rregullojë shëndetësinë, arsimin dhe të bëjë të mundur të mundur studimin e çdo të riu dhe të reje pavarësisht prej mundësive ekonomike. Shqipëria ka nevojë për një kryeministër që nuk e ka mendjen tek telajo por tek e ka mendjen, sytë, veshët e shpirtin tek ju. Unë do të jem ai kryeministër. Unë do të jem kryeministri juaj, i lezhjanëve dhe i gjithë shqiptarëve. Do të punoj me mish e me shpirt e bashkë do ta kthejmë Shqipërinë dhe rrotën e historisë edhe njëherë siç bëmë të mundur në ditët më të vështira kur shpresa dukej se kishte humbur”, u shpreh Basha.