Deputeti Gent Strazimiri denoncon dhunën policore ndaj të pamundurve për të paguar energjinë ku një kryefamiljar nga Lushnja vrau veten në burgun e Rrogozhinës, i arrestuar për 35 mijë lekë të vjetra detyrime. Kryefamiljarët e një pallati u arrestuan të gjithë në mënyrë kolektive. Por drejtorët e qeverisë kanë imunitet si ai i Mjedisit në Gjirokastër, debitor ndaj OSHEE me 38.6 milionë lekë.
Prej 48 orësh, në komisariatin e Krujës ndodhen të arrestuar, pa të drejtën e konsultës me një avokat, të gjithë kryefamiljarët e një pallati, me akuzën e “vjedhjes së energjisë elektrike” madje sipas njoftimit të policisë “të shpallur në kërkim”.
“Operacion policor” pra, u përmbyll “me sukses” në mesnatë, me arrestimin e të gjithë qytetarëve kryesisht mbi 55 vjeç, kryesisht me arsim 8 vjeçar, të gjithë të papunë, një pjesë invalidë, pra në pamundësi absolute për të paguar paratë që u kërkon qeveria.
Mes tyre ka persona të sëmurë që nuk lejohen as të marrin ilaçet, siç është rasti i zotit Shpëtim Bami, diabetik.
Ka persona që kanë rilidhur energjinë, por kundrejt pagesës së negociuar me OSSH;ashtu sikurse ka persona që nuk kanë qenë asnjë ditë debitorë siç është rasti i zotit Hysni Bega.
Po sot, në burgun e Rrogozhinës një tjetër qytetar i ka dhënë fund jetës, duke e konsidëruar këtë akt ekstrem si të vetmen mënyrë për të gjetur drejtësinë.
52 vjeçari Zela, sipas familjarëve dhe mediave, ishte burgosur për një debi 35 mijë lekë të vjetra ndaj OSSH!
Ndërkohë, qeveria e “ligjit të hekurt” dhe “puritanizmit ligjor”, ka vendosur që në Gjirokastër, luftën kundër vjedhjes së energjisë elektrike, në pozicionin e drejtorit, e zbaton më mirë se kushdo tjetër Koço Thimjo, debitor ndaj OSSH me mbi 38 milione lekë, borxh i akumuluar që nga viti 2009 në mënyrë konsistente dhe të përsëritur sistematikisht.
Në emër të “popullit opozitar” të “1 milionë të papunëve” dhe të “97%-shit” që nuk do të paguante me asnjë taksë, apo të 100%-shit të popullit që do t’u ulej çmimi i energjisë elektrike, i kërkojmë qeverisë të mbajë premtimet e qershorit 2013.
I kerkojmë të mbajë dorën vrastare që mban në burg qytetarët e dëshpëruar e që kriminelët e burgjeve i bën drejtore, pushtetarë lokalë e deri deputetë.
I nderuar qytetar që sot po vuan arbitraritetin e mashtrimin e qeverisë, në këtë vit të mbrapshtë, pa bukë, drita e të drejta…por të mbushur me propagandë e propagandues rrogtarë të qeverisë:
“litari në qafë” nuk është zgjidhje, nuk është shpëtim! Ka një rrugë tjetër që shpëton vendin dhe ty njëkohësisht!
“Litarin” që mban në ato duar me kallo që kurrë nuk mjaftuan për të mbajtur fëmijët me bukë, vare në qafën e qeverisë së mashtrimit, si në shkurt ’91, si në mars ’92!