Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun Grida Duma denoncon represionin e urdhëruar nga Rama që i mori jetën babait të 3 fëmijëve
I gjithë opinioni publik është tronditur nga ngjarja tragjike ku një kryefamiljar, bashkëshort dhe baba i tre fëmijëve i dha fund jetës në qeli pasi po mbahej atje prej dy muajsh nga represioni i dhunshëm e ç’njerëzor frymëzuar e urdhëruar nga Edi Rama.
Gjithkush ka shprehur revoltën dje nga kjo ngjarje, sidomos kur u mësua se fatkeqi nuk ishte aspak vjedhës energjie, por e paguante atë. Ekspertët kanë zbuluar se jo vetëm nuk kishte diferencë, me mënyrën se si ai kishte lidhur dyqanin e tij me sahatin familjar, por përkundrazi e paguante edhe më shtrenjtë energjinë.
Babai i tre fëmijëve kishte bërë atë që kanë bërë mijëra qytetarë në vend që duan të mos mbyllin biznesin e vogël me të cilin ushqejnë familjen, pasi OSHE-ja e Edi Ramës nuk të përgjigjet asnjëherë për kërkesat që mund të kesh.
Vetëm një njeri në Shqipëri nuk ka treguar asnjë lloj ndjeshmërie për këtë dramë, që nuk është vetëm e një të ndjeri, por e mbarë vendit. Ky është Edi Rama, i cili e ka shumëfishuar dhimbjen e familjes lushnjare e të afërmve të viktimës, por dhe të mbarë opinionit publik, duke e cilësuar hajdut burrin që protestoi ndaj padrejtësisë duke u vetëflijuar.
Ky është reagimi i vetëm i përgjegjësit kryesor, për humbjen e kësaj jete, goditja e mëtejshme e viktimës. Pasi i mori jetën me skemën e tij anti-humane, me represionin e verbër policor, Edi Rama, e vazhdoi luftën ndaj babait të tre fëmijëve duke e shpallur vjedhës, pas vdekjes. Duke gënjyer publikisht në fakt, dhe gënjeshtra e tij solli edhe më shumë revoltë dje, pasi qartazi u pa se 52 vjecari nuk abuzonte me energjinë, ai e paguante atë.
As i rrezikshëm për shoqërinë, as në kushtet për të manipuluar provat, as në arrati të mundshme, ky kryefamiljar u mbajt në arrest burgu, sikur të ishte kryebandit që kërcënon shoqërinë. Kemi ndërkohë këtu rastin e një debitori të pashembullt, energjie, me 38 milionë lekë. A është ai në burg? Jo, është njeri i Edi Ramës, dhe është drejtor rajonal për Mjedisin në Gjirokastër.
E mbron Kryeministri drejtorin e tij hajdut 38 milionësh, dhe nuk gjen një cast për të ngushëlluar një qytetar me borxh 35 mijë lekësh të vjetra, që dha jetën prej urdhërit të tij, prej politikës së tij, por e diskretitoi edhe pas frymës së fundit.
Edi Rama në fakt u vetdiskretitua, duke dalë para shqiptarëve, ashtu i plotë siç është, i pandjeshëm, arrogant, cinik i pashpirt, i padurueshëm më.
Qytetarët e vendit e kanë kuptuar mirë edhe më parë se dje. Por kjo e djeshmja ishte përtej cdo të keqe të përfytyrueshme. Edi Rama shkeli çdo normë e moral, çdo kod të shqiptarit.
Ai hodhi në erë vetë karrigen e tij. Tiranët kështu e nisin theqafjen e tyre, kur tregojnë faqe publikut gjithë përmasat cnjerëzore. Shqiptarët do tia tregojnë derën.
Më të bashkuar se kurrë, në protestë për liri, mirëqënie e dinjitet.