Sekretari i Përgjithshëm Ristani, denoncon faktin se grupi kriminal kishte gjetur të gjitha lehtësitë për të ndërtuar një fabrikë kokaine në zemër të Shqipërisë. Nuk është koha për mburrje, suksesi i takon policive partnere europiane. Duhet transparencë për lidhjet që kanë të ndaluarit me zyrtarët e lartë të qeverisë.
Opozita nuk është e mërzitur, por është thellësisht e shqetësuar, e tronditur, si gjithë qytetarët e vendit nga fakti se me ardhjen e Edi Ramës në pushtet, Shqipëria po kthehet në një Kolumbi të Europës ashti sic për fat të keq kanë lajmëruar edhe mediat europiane.
Ne jemi të shqetësuar se një sipërmarrje kriminale e prodhimit dhe trafikimit të kokainës arrin të instalohet në Shqipëri e të ushtrojë aktivitet e qetë, derisa e konstatuan policitë partnere europiane.
Ndërtimi i një fabrike droge të prodhimit e përpunimit të kokainës, disa kilometra larg Tiranës, është një fakt tronditës i dështimit të qeverisë në luftën kundër narko-trafikut.
Nuk mund të ndodhë, nuk ka asnjë shans të ndodhë një aktivitet i këtyre përmasave dhe kaq i organizuar, nëse Qeveria do të ishte në krye të detyrës duke kontrolluar territorin e duke luftuar trafikun e drogës.
Fabrika e kokainës hedh poshtë gjithë mashtrimet për suksese imagjinare të Ministrit të Brendshëm, i cili pak ditë më parë mburrej se Shqipëria nuk ishte më vend i prodhimit të drogës.
Arrestimi i autorëve dhe kapja e kokainës, nga një grup i besueshëm i partnerëve europianë brenda policisë shqiptare, pas informacionit dhe insistimit të partnerëve, është fakt i dështimit total të Edi Ramës dhe qeverisë së tij, dhe aspak arsye për rrahje gjoksi.
Nuk kishte ndodhur prej 10 vitesh, që krimi i organizuar ndërkombëtar të gjente të tilla lehtësi sa të instalonte një fabrikë të madhe droge mu në zemër të Shqipërisë.
Partia Demokratike përgëzon policitë partnere që bënë të mundur shkuljen e këtij cibani të përbindshëm droge nga Shqipëria.
Cdo orë po dalin të dhëna dhe fakte tronditëse për përfshirjen në këtë organizatë të njerëzve të lidhur me pushtetin.
Ne po e pyesim sot Edi Ramën, a kanë lidhje me këtë organizatë kriminale të afërm të funksionarëve të lartë të qeverisë?
A kanë lidhje me këtë organizatë kriminale, financues të fushatës së Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit?
Kohës së mburrjeve dhe mashtrimeve të kësaj qeverie po i del boja dita ditës.
Opozita do garantojë minimalisht transparencën për shqiptarët.