Kryetari i Partisë Demokratike z. Lulzim Basha priti sot ambasadorin e ri të SHBA në Shqipëri, z.Donald Lu, të cilit i uroi mirëseardhjen në Shqipëri.
Duke vënë në pah ndjenjat e miqësisë dhe mirënjohjes së shqiptarëve për Shtetet e Bashkuara të Amerikës z. Basha tha se shqiptarët e cmojnë si të pazëvendësueshëm rolin vendimtar të SHBA që nga krijimi i shtetit shqiptar, e deri tek demokratizimi dhe integrimi Euroatlantik dhe mbështetja përcaktuese për clirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Falë mbështetjes së SHBA, Shqipëria është anëtare e aleancës më të fuqishme të lirisë që bota ka njohur deri me sot dhe është rreshtuar krahë saj dhe vende të tjera të botës së qytetëruar në luftën kundër terrorizmit dhe çdo kërcënimi tjetër që i bëhet demokracisë, lirisë dhe vlerave të saj.
Kryetari i PD-së e ka konsideruar detyrim për Shqipërinë të jetë në krah dhe në mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës jo vetëm si aleatë në NATO, por edhe si partner kryesor strategjik në mbrojtje të vlerave demokratike, të cilat kërcënohen nga terrorizmi, regjimet oligarkike dhe krimi i organizuar.
Ashtu si dje, në qeverisje të vendit dhe sot në opozitë, PD mbështet fuqimisht çdo vendim dhe veprim të SHBA dhe aleatëve të saj në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë kudo në botë.
Kryetari i PD-së shprehu mirënjohjen për ndihmën e madhe që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë në kryerjen e reformave të nevojshme për ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike dhe mirëpriti angazhimin e ambasadorit Amerikan Donal Lu për të vijuar ndihmën ndaj Shqipërisë në konsolidimin e këtyre institucioneve.
Kjo theksoi zoti Basha është e një rëndësie të veçantë në këtë kohë kur vlerat dhe standartet demokratike në Shqipëri janë para sfidave dhe kërcënimeve të mëdha.