Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike;
-Ka një anë tjetër të tmerrshme të qeverisjes së Edi Ramës në këtë ditë. Qeverisja e tij është inekzistente në terren, por shfaqet me mënyrën më të pabesueshme të korrupsionit, pikërisht në këto ditë të fatkeqësisë natyrore. Në kulmin e përmbytjeve, kur mijëra familje janë të rrethuara nga uji, Edi Rama dhe qeveria e tij janë të zhytur në korrupsion.
-OSHEE e ka blerë energjinë me 57 euro për megavat, pra dyfishin e çmimit me të cilin e ka shitur korporata shtetërore energjitike. I gjithë ky abuzim në harkun e dy javëve, u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë të paktën 4 milionë euro. Nëqoftëse OSHEE do ta kishte blerë energjinë direkt nga KESH-i, taksapaguesve shqiptarë do t’u ishin kursyer të paktën 4 milionë euro. Këto do të mjaftonin për të ndihmuar në normalizimin e situatës së mijëra familjarëve që nuk kanë sot energji, ujë të pishëm, medikamente, ushqime për vete apo për gjënë e gjallë.
-Unë i bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të nisë menjëherë, sot, tani hetimet për këtë vjedhje, për këtë përfitim të qeveritarëve në kurriz të të përmbyturve dhe gjithë taksapaguesve shqiptarë. Ndërkohë, i bëj edhe njëherë thirrje të shpallë gjendjen e emergjencës. Të mobilizojë resurset, të bëjë transparente se çfarë ka vënë në dispozicion, sa ka vënë në dispozicion, si po administrohet. Përsëris thirrjen time të gjithë simpatizantëve, mbështetësve të Partisë Demokratike, pushtetarëve tanë lokalë, të jemi në krah të njerëzve dhe të kontribuojmë me çfarë të mundemi në këto ditë të vështira. Parësore për ne është jeta, shëndeti dhe prona e tyre.
Përshendetje. Nuk kisha ndërmend të dilja në këtë konferencë për shtyp sot. Situatën e kam ndjekur pa ndërprerë. Në terren ndodhen deputetët tanë. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike ndodhet prapë pranë banorëve të zonave të jugut për të përcjellë solidaritetin tonë, një ndihmë modeste, për të ndërgjegjësuar të gjithë simpatizantët dhe mbështetësit tanë që të japin sa më shumë, ata që kanë mundësi, për banorët në këto zona, në këto ditë të fatkeqësisë së madhe natyrore. Z.Spaho, nënkryetari i parties, ndodhet në Pogradec, pranë familjes Abrashi që humbi të afërmin e saj, znj Monika Abrashi, viktima e parë e regjistruar e këtyre përmbytjeve.
Situata po ndiqet kudo nga përfaqësuesit tanë vendor, nga deputetët, me një qëllim të jemi pranë njerëzve në këtë kohë të vështirë e të bëjmë gjithçka që mundemi për t’u qëndruar pranë e për ti ndihmuar.
Nuk do dilja në këtë konference për shtyp, por do të vazhdoja të ndiqja situatën e cila parashikon përsëri mot të rënduar, do të vazhdonim të bënim thirrjen tonë për mobilizim maksimal të resurseve e burimeve njerëzore nga qeveria dhe për transparencë maksimale.
Por pikërisht sot, në këtë ditë të vështirë për qindra mijëra banorë në zonat e përmbytura, dhe për qindra mijëra shqiptarë të tjerë që janë në ankth për shkak të përkeqësimit të motit, në këtë ditë të vështirë të regjistrimit të viktimës së parë, edhe njëherë i përcjell ngushëllimet e mia familjes, kryeministri, në vend që të shpallte gjendjen e emergjencës civile që po ia kërkon gjithë Shqipëria, jo vetëm opozita politike dhe në vend që dalë me një plan të qartë qeveritar të ndihmës për zonat e përmbytura, në vend të garantimit të mbështetjes së fuqishme jo me fjalë por me mjete, u shfaq para mediave më keq se ata dy të dehurit e grupit që bëjnë sikur vlerësojnë dëmet në terren.
Edi Rama e çoi dëm këtë mundësi për të bërë transparencë, për t’iu përgjigjur pyetjeve që kanë sot jo vetëm mijëra të përmbytur që gjenden në ditën më të vështirë të jetës së tyre, por edhe gjithë shqiptarët kudo ku janë, që ndjekin me shqetësim situatën e bashkëkombasve të tyre.
E çoi dëm këtë mundësi kryeministri i vendit, sepse për një orë, nuk tha sa fonde ka vënë në dispozicion, cilat struktura janë në terren, si po ndihmohen konkretisht banorët. Çfarë po bën për ato familje që s’kanë ushqim, ujë të pishëm medikamente. Çfarë po bën për ato familje që po u ngordhin bagëtitë sepse nuk kanë ushqim për to.
Edi Rama nuk iu përgjigj asnjërës prej pyetjeve që i bënë gazetarët, pyetje që po bën prej disa ditësh mbarë opinioni publik.
Sulmoi opozitën për një orë me gënjeshtra dhe mashtrime dhe nuk dha asnjë shpresë për mijëra fëmijë, të sëmurë, nxënës, prindër e të moshuar që kanë ndërprerë në mes jetën e tyre normale dhe po jetojnë një ferr të vazhdueshëm prej 6 ditësh.
Nuk tha pse nuk e shpall gjendjen e emergjences. Pse nuk i përgjigjet me masën e duhur, realitetit ekzistues.
E vërteta e përmbytjeve në Jug dhe në zona të tjera të vendit nuk është ajo që thotë kryeministri propagandistik. Nuk është ajo që deklamojnë veglat e tij. Eshtë ajo që thonë banorët e zonave të përmbytura.
Eshtë ajo që ulëret nëpër ekrane me zërin e tyre të dëshpëruar . Eshtë realiteti i dramës së përditshme, të përorshme të mijëra banorëve të Ferrasit, Bashkimit, Boçovës, Fitores, Novoselës, Bishanit, Darzezës e dhjetëra fshatrave të tjerë.
Përmbytja është e vërteta, dëmet janë e vërteta, klithma e pakënaqësisë dhe revoltës së njerëzve është e vërteta. Emergjenca nuk mund të jetë një çështje opionionesh; “varet si e sheh”.
Varet si e sheh, është për ty që nuk do ta shohësh, por jo për të përmbytyrit, jo për ata në ditë të hallit.
Përgjigja e qeverisë duhet të ishte dhe duhet të jetë e jashtëzakonshme, më e pakta shpallja e gjendjes së emergjences civile, dhe vendosja e kryeministrit në krye të shtabit qendror të planeve, operacioneve e masave që duhen marrë.
Kush ka sy për të parë e mendje për të kuptuar, e sheh dhe për këtë jemi të gjithë dëshmitarë, se qeveria është jo një, por disa hapa prapa, shumë hapa prapa realitetit dhe asaj që po ndodh në terren. Kjo nuk është neglizhencë. Kjo është braktisje.
Nuk ka si të jetë veçse braktisje, kur Edi Rama shkon aty afër fatkeqësisë, dhe kërkon me zor, jo të shohë situatën e të ofrojë zgjidhje, por të hedhë kunja e të ndezë konflikte me banorët.
I ka braktisur Edi Rama ata banorë, dhe sot që gjithkush donte të informohej për situatën, mori sërish nga ai të njëjtën iso, sulmin ndaj opozitës. Por kësaj radhe nuk u mjaftua me avazin e tij të; opozitës ndaj opozitës.
Kërkoi një gjë që i doli nga thellësia e shpirtit, nga mendësia e tij e vjetër, diçka që nuk ka kërkuar asnjë kryeministër që nga shpallja e pluralizmit dhe asnjë shtetar qëkur kemi fituar demokracinë. Kërkoi nga opozita që të heshtë. Të heshtë opozita poltike, të heshtë opozita popullore, të heshtin mediat, të hesh
tin të goditurit, të heshtin qytetarët. Edi Rama tregoi edhe njeherë se problemi i tij i vetëm, edhe ne gjendjen e emergjiencës civile për qindra mijëra shqiptarë, është problemi me fjalën e lirë, raporti me të vërtetën, është në fakt demokracia.
Dhe për një orë, nuk gjeti një minutë kohë të ngushëllojë familjen Abrashi nga Vërdova për humbjen e të afërmin të saj.
Braktisja e qëllimshme e mijëra njerëzve në nevojë në këtë gjëndje dramatike, nuk mund të fshihet duke shpikur armiq. Nuk mund të fshihet duke sajuar konflikte me kundërshtarët politikë.
Ne kemi qënë dhe jemi në detyrën tonë, njerëzore dhe politike, 24 orë pa dallim. Duke qëndruar pranë banorëve me aq sa kemi mundur me ndihma, duke i kërkuar qeverisë të bëjë atë për të cilën ekziston. Të marrë masat e duhura në kohën e duhur. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Emergjenca vazhdon, dhe për ne, përparësia kryesore mbetet jeta, shëndeti, mirëqënia e qytetarëve, me aq sa kemi mundësi. Pyetja jonë është ku është qeveria? Dhe kjo është pyetja e gjithëkujt.
Ka një anë tjetër të tmerrshme të qeverisjes së Edi Ramës në këtë ditë. Qeverisja e tij është inekzistente në terren, por shfaqet me mënyrën më të pabesueshme të korrupsionit, pikërisht në këto ditë të fatkeqësisë natyrore. Në kulmin e përmbytjeve, kur mijëra familje janë të rrethuara nga uji, Edi Rama dhe qeveria e tij janë të zhytur në korrupsion.
Miliona euro që mund ti shkonin në ndihmë të përmbyturve, të dëmtuarve, të sëmurëve, fëmijëve e të moshuarve, kanë përfunduar në xhepat e zyrtarëve të korruptuar përmes një skeme kriminale abuzimi. Jo vetëm që nuk u shkohet në ndihmë banorëve, jo vetëm nuk shpallet gjendja e emergjencës, jo vetëm nuk bëhet transparencë nëse ka vënë fonde në dispozicion dhe sa janë këto fonde, por Edi Rama ka vendosur të nxjerrë fitime marramendëse nga përmbytjet për vete dhe për klientët e tij.
Ja si funksionon skema kriminale. Blerja e fundit e energjisë që ka bërë OSHEE, është dy herë më e shtrenjtë sa çmund të ishte. Këtu kemi dokumentin zyrtar që tregon çmimin me të cilin KESH ka tregtuar energjinë për kompanitë private. Dokumenti tregon qartë se KESH e ka shitur energjinë mesatarisht me 30 euro megavatin, sipas profileve. Ky është dokumenti tjetër, që tregon se OSHEE e ka blerë energjinë me 57 euro për megavat, pra dyfishin e çmimit me të cilin e ka shitur korporata shtetërore energjitike. I gjithë ky abuzim në harkun e dy javëve, u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë të paktën 4 milionë euro. Nëqoftëse OSHEE do ta kishte blerë energjinë direkt nga KESH-i, taksapaguesve shqiptarë do t’u ishin kursyer të paktën 4 milionë euro.
Këto do të mjaftonin për të ndihmuar në normalizimin e situatës së mijëra familjarëve që nuk kanë sot energji, ujë të pishëm, medikamente, ushqime për vete apo për gjënë e gjallë.
Por motivi i Edi Ramës dhe qeveritarëve tanë nuk është interesi publik. Siç del qartë në këtë rast, motivi është të fusin në xhep 4 milionë euro të cilat dalin nga xhepat e qytetarëve.
Ja pra si qeveriset ky vend. Ja si qeveriset nga Edi Rama dhe ministrat e tij edhe në ditët e fatkeqësisë së madhe kur kërkohet dhe pretendohet solidaritet me të përmbyturit. Ja si e kanë mendjen tek përfitimi dhe se si nuk ua ndjen fare për të përmbyturit. Në fakt kjo ilustron edhe njëherë se emergjenca më e madhe kombëtare, është kryeministri i papërgjegjshëm dhe i korruptuar Edi Rama. Kjo është fytyra e të keqes, e arrogancës, e abuzimit dhe pandjeshmërisë për njerëzit dhe problemet e tyre. Kjo është qeveria e korrupsionit, e mashtrimeve dhe e papërgjegjshmërisë.
Unë i bëj thirrje prokurorit të Përgjithshëm të nisë menjëherë, sot, tani hetimet për këtë vjedhje, për këtë përfitim të qeveritarëve në kurriz të të përmbyturve dhe gjithë taksapaguesve shqiptarë. Ndërkohë, i bëj edhe njëherë thirrje të shpallë gjendjen e emergjencës. Të mobilizojë resurset, të bëjë transparente se çfarë ka vënë në dispozicion, sa ka vënë në dispozicion, si po administrohet. Përsëris thirrjen time të gjithë simpatizantëve, mbështetësve të Partisë Demokratike, pushtetarëve tanë lokalë, të jemi në krah të njerëzve dhe të kontribuojmë me çfarë të mundemi në këto ditë të vështira. Parësore për ne është jeta, shëndeti dhe prona e tyre.