“Kjo situatë kërkon patjetër ndërhyrjen e shtetit. I bëj thirrje kryeministrit edhe një here, që kjo punë nuk bëhet vetëm me vullnetarizëm, por të caktojë fondet dhe të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Nuk ka ikur problemi se doli dielli. Banorët janë pa ushqim për kafshët, ç’ka po ua asgjeson pasurinë e vetme që kanë. Persekutimi të ndalet ndaj këtyre njerëzve. Duhet përkushtim serioz dhe jo shfaqje”.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vizitoi sot fshatrat Shtyllas, Bocove, Rrethfik dhe Poro të Fierit, si dhe zonën e Nartës në Vlorë.
Në Shtyllas të Fierit ku jane permbytur tërësisht 500 hektare toke dhe ku banorët kanë humbur ushqimin për mbi 4 mije krerë bageti, askush nga shteti nuk është dukur akoma.
Gjatë takimit me Bashën ata u shprehën se asnje ndihme nuk është shpërndare.
“Kjo situatë nuk zgjidhet vetëm me solidaritetin e biznesit dhe qytetarëve. Qeveria duhet të celë fondet nga buxheti. Dha 200 mijë euro për Serbinë e Bosnjen, por spo cel fonde për popullin e vet. Detyra jonë si opozitë është t’u gjendemi pranë mesa mundemi”, tha Basha.
Rrugës për në fshatin Rethfik, Basha u ndal në Bocovë ku qindra banorë ishin mbledhur te revoltuar para qendrës së shpërndarjes. “Nuk kemi marrë asnjë ndihmë, “as nje fije bar”, u shprehën banorët. Askush nuk ju përgjigjet. Magazina në Qarr është e mbyllur, shteti është memec.
Ne Rrethfik uji mban të rrethuar dhjetra familje dhe ka prishur të gjithe bazën ushqimore për bagëtine. Banorët janë në gjendje të dëshpëruar. Ata ankohen për braktisje dhe diskriminim. “Ato pak ndihma që erdhën para 5 ditësh u ndanë me mik. Shumica mbeti pa marrë asgjë”, ankohen banorët.
Në Poro, banorët kanë humbur të gjithe bazën ushqimore për lopët dhe delet. 70 hektare tokë bujqësore janë përmbytur. Ujësjellësi që furnizon 15 fshatra është vetem 10 metra larg gllabërimit nga Vjosa. “Askush nuk ka ardhur të na shohë, të na dëgjojë apo të na qajë hallin”, shprehen banorët.
“Kjo situatë kërkon patjetër ndërhyrjen e shtetit. I bëj thirrje kryeministrit edhe një herë që kjo punë nuk bëhet vetëm me vullnetarizëm, por të caktojë fondet dhe të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Nuk ka ikur problemi se doli dielli. Banorët janë pa ushqim për kafshët, cka po ua asgjeson pasurinë e vetme që kanë. Persekutimi të ndalet ndaj këtyre njerëzve. Duhet përkushtim serioz dhe jo shfaqje”, deklaroi Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike vizitoi zonën e Nartës ku pa nga afër gjendjen mjaft të rrezikshme që ka krijuar diga e hapur. Basha u kërkoi autoriteteve dhe ekspertëve të vlerësojnë seriozisht situatën.