Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot një delegacion deputetësh Gjermanë, Thorsten Frei, Christian Petry, Andrej Hunko, Manuel Sarrazin, anëtarë të Komitetit të Cështjeve Europiane të Bundestag-ut.
Z.Basha i falenderoi deputetët gjermanë për mbështetjen e çmuar që Bundestagu dhe Gjermania i kanë dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian, në veçanti në marrjen e statusit të vendit kandidat.
Duke u ndalur në zhvillimet në vend, Basha shprehu shqetësimin e thellë të opozitës për terrenin që kanë fituar krimi i organizuar dhe trafikantët dhe depërtimin e krimit në nivele drejtuese të administratës dhe deri në Kuvendin e Shqipërisë. Zbatimi i marrëveshjes së 24 dhjetorit për dekriminalizimin kërkon vullnet politik dhe vendosmëri theksoi zoti Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike i njohu deputetët gjermanë me shqetësimet për goditjen e shtetit ligjor dhe zhbërjen e standardeve në themelet e demokracisë, sic janë të drejtat e njeriut, hapësirat kushtetuese të opozitës, kapja e institucioneve të pavarura, largimet masive të nëpunësve publikë dhe zëvendësimi i tyre me militantë.
Deputetët e Bundestagut shprehën vlerësimin për qëndrimin e Partisë Demokratike në mbështetje pa kushte të nismave që kanë të bëjnë me integrimin europian të vendit.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 11 Shkurt 2015