Matësat inteligjentë kërkojnë shumë investime, rezultojnë me kosto të mëdha, janë të manipulueshëm e të dëmshëm për shëndetin. Pra përpara se të shpallë me heroizëm projektin, Edi Rama duhet të sqarojë qytetarët e vendit për kostot e mëdha, për gjithë këto pikëpyetje, dhe më e rëndësishmja, nëse paratë për matësat inteligjentë do të dalin nga xhepat e shqiptarëve?
Pasi rriti çmimin e energjisë me 25 përqind, pasi detyroi 54 mijë qytetarë të paguanin fatura abuzive e me kamate, për një detyrim të shpallur të paligjshëm që në vitin 2011 nga ERE, pasi rifuti faturën famëkeqe aforfe, pasi solli errësirën dhe burgun për ata që skanë mundësi të paguajnë, pasi nuk mbajti asnjë premtim, papritmas Edi Rama lajmëron një gjëmë tjetër:
Matesat inteligjentë.
Projekti pilot parashikon 10 mijë matësa, që do ofrohen nga kompania partnere.
Ajo cfarë i shqetëson qytetarët e vendit, është pyetja, po 1 milionë matësa të tjerë, do të dhurohen, apo do të blihen nga qeveria?
Dhe sigurisht, nëse do të blihen, kush do t’i blejë, me paratë e kujt do të blihen. A do të blihen ato nga taksat e qytetarëve?
Qytetarëve do t’u shtohej një barrë e re, qindra milionë euro, sa është kostoja për matësat inteligjente.
Nëse këta matësa tmerrësisht të shtrenjtë, me çmim nga 350-600 euro, do të paguhen nga taksat e qytetarëve, ato do ta shtojnë më tej faturën tashmë të rritur të energjisë, si një harac i ri që duhet të paguajnë për Edi Ramën.
Por përveç 500 milionë eurove sa parashikohet të jetë fatura e 1 milionë matësve inteligjentë, duhen investime paraprake për të garantuar stabilitet absolut në të gjithë sistemin, duhet tension i qëndrueshëm, duhet infrastrukturë komunikuese të dhënash ndërmjet kompanisë furnizuese, matësve dhe konsumatorit, pra duhen pa frikë, edhe qindra milionë euro të tjera investime.
Pra kostot do të vazhdojnë rritjen e të gjitha këto do të shkarkohen në xhepin e qytetarëve.
Për më tepër, këto matësa kanë krijuar probleme dhe debate edhe në vendet e zhvilluara, duke nisur nga shëndeti për shkak të rrezatimit që kanë, kostoja e lartë, e pasiguria, pasi janë të manipulueshëm.
Cfarë studimi ka bërë Edi Rama për ndërmarrjen e një projekti kaq të shtrenjtë e problematik?
Në shumë vende, si Amerika, në New York, apo Kaliforni, këtë cështje e kanë në diskutim në shumë instanca, pasi këta matësa shkaktojnë dëme në shëndetin e njeriut me rrezatimin mikrovalor 100 herë më të lartë se i smart phoneve. Këto konstatime janë bërë nga shkencëtarë të ndryshëm dhe nga American Medical Association.
Këta matësa janë shumë të ndjeshëm ndaj ndryshimit më të vogël të tensionit, ndryshimeve atmosferike, cka i corienton. Fakte të gjalla për këto ka në Kanada, Ontario, apo Viktoria të Australisë, ku kritikat shkojnë deri në parlament, për kosto e dëme të mëdha.
Matësat inteligjentë rezultojnë edhe të manipulueshëm nga njeriu dhe të atakueshëm nga hakerat, cka mund të sjellë ndërhyrje në vlerat e faturave.
Veç kësaj, matësat bëhen transmetues të të dhënave dhe informacioneve shumë të ndjeshëm personalë.
Pra përpara se të shpallë me heroizëm projektin, Edi Rama duhet të sqarojë qytetarët e vendit për kostot e mëdha, për gjithë këto pikëpyetje, dhe më e rëndësishmja, nëse paratë për matësat inteligjentë do të dalin nga xhepat e shqiptarëve?
Deklarata per mediat e drejtuese se Departamentit te Energjise, Zana Guxholli, 13 Shkurt 2015