Kryetari i Partisë Demokratike priti sot në takim Kryetarin e Parlamentit suedez, z.Urban Ahlin dhe delegacionin që e shoqëronte.
Zoti Basha i shprehu z.Ahlin mirënjohjen për mbështetjen që Suedia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, por gjithashtu i shprehu shqetësimin për hapat pas që po bëhen nga mazhoranca lidhur me standardet që kërkon më tej rruga e integrimit.
Basha tha se qeveria nuk po vlerëson përgjegjësitë që mbart ky proces, dhe fatkeqesisht po i zhbën standartet demokratike, të shtetit të së drejtës, konsolidimit të institucioneve të pavarura, shkeljes arbitrare të të drejtave të njeriut, shkatërrimin e administratës publike dhe nëpërkëmbjen e të drejtave të pronës së qytetarëve.
Kryetari Basha shprehu shqetësimin alarmant për situatën e rëndë të krimit të organizuar dhe trafiqeve të lëndëve narkotike që po vërshon në Shqipëri, duke kërcënuar rendin publik, jetën, familjet dhe pronat e qytetarëve.
Kryetari i Parlamentit suedez shprehu keqardhjen për gjendjen e tensionuar politike në Shqipëri dhe shqetësimin e thellë për situatën e kriminalitetit. Z.Ahlin tha se Bashkimi Europian duhet të gjejë mënyrën për ta adresuar menjëherë çështjen e krimit të organizuar në Shqipëri.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 24 Shkurt 2015