Parlamenti, sot ka në rendin e ditës marrëveshjen për Heqjen e Tatimit të Dyfishtë me Republikën e Islandës. Një marrëveshje pozitive për sa i përket heqjes së tatimit të dyfishtë për bizneset që operojnë në Shqipëri apo ato shqiptare që operojnë në Islandë. Ndonëse, kjo marrëveshje vjen në një moment aspak të mirë për vendin. Gjendja politike, ekonomike dhe sociale është e rënduar dhe ndaj dhe po parashtroj disa pika të rëndësishme në këtë diskutim të cilat janë si më poshtë:
– Qytetarët e vendit vuajnë pasojat e një politike që pasuron njerëzit pranë qeverisë, rasti i parë është ai i abuzimeve me shitjen e energjisë elektrike. Në muajin Shkurtë, OSHEE bleu energjinë elektrike në 4 kompani të cilave vetëm disa ditë më pas KESH u shiti energjinë (që mund t’ia shiste OSHEE-së) 2 milionë euro më lirë se sa blerja e OSHEE. Asnjë përgjegjës për këtë abuzim dhe vjedhje të hapur të parave tona që përkthehet në çmim më të lartë të energjisë elektrike.
– Një deputet i qeverisë, Koço Kokdhima, zbulohet se ka përfituar 150 kontrata nga paratë publike të qytetarëve në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Askush nga qeveria apo nga mazhoranca në parlament nuk kërkon heqjen e mandatit për të. Ndërkohë që shqiptarët vuajnë rritjen e taksave, çmimeve, tarifave dhe nuk mund të konsumojnë dot si më parë ndërsa deputetët e qeverisë pasurohen.
– Një shtet i cili burgos të dobëtit e këtij vendi, të varfërit që nuk paguajnë energjinë sepse çmimi është i papërballueshëm. Nuk flet asnjë fjalë për ato që abuzojnë haptazi me paratë e taksapaguesve.
– Një qeveri që ka ulur shpenzimet kapitale sepse duhet të paguajë për një vend pune dy punonjës. 3.3 miliardë lekë ka shpenzuar vetëm në 2014 qeveria për të paguar me paratë tona punësimin në kundërshtim me ligjin të militantëve të saj.
Sa e vlefshme në realitetin tonë mund të jetë një marrëveshje e tillë kur ne luftojmë për një mbijetesë ndërkohë që pushtetarët luftojnë se kush të pasurohet më shumë?! Kjo është pyetja që i ftova t’i bëjnë vetes mazhoranca që deri më dje u qante hallin xhepave të qytetarëve ndërsa sot mendojnë për xhepat e tyre.
Fjala në Kuvend e deputetes së PD, Jorida Tabaku, 26 shkurt 2015