Partia Demokratike përshëndet deklaratën e sotme të Konferencës Ipeshkvnore për zgjedhjet vendore.
Shqetësimi që ngre Kisha Katolike dhe kërkesa e saj për dekriminalizimin, për dhënien fund praktikave të shitblerjes së votave, për gjetjen e kandidatëve me integritet, janë shqetësimet e drejta të mbarë shoqërisë.
Partia Demokratike e vlerëson faktin që Kisha Katolike i jep zë problemeve dhe sfidave të mprehta që ka komuniteti ynë përpara këtyre zgjedhjeve.
Ne duam të sigurojmë çdo qytetar se standartet e larta janë të një rëndësie kyçe në këto zgjedhje, dhe Partia Demokratike është e angazhuar për të kandiduar persona me integritet, për të çuar deri në fund procesin e dekriminalizimit, për të mundësuar zgjedhje të lira e të ndershme, që vullneti i qytetarëve të shprehet siç ai buron, pa u shtrembëruar e manipuluar nga praktika e urryer e shitblerjes së votave, apo nga ndërhyrjet e keqbërësve me të kaluar kriminale.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 14 Prill 2015