Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prezantoi sot kandidatin për kryebashkiak të Fierit, Enkeleid Alibeaj, në sheshin qendror të qytetit, të mbushur me antuziasmin e qindra qytetarëve pjesmarrës.
Basha tha se prania masive e qytetarëve në këtë takim spontan tregon nevojën që ka qyteti për të përqafuar vlerat më të mira.
“Unë dua së pari t’iu falenderoj për daljen tuaj masive në këtë shesh, ku kam për të ndarë me ju një lajm shumë të mirë e të gëzuar. Dua t’u them se nga Fieri demokratët, PD, por dhe të gjithë shqiptarët mund të nxjerrin shumë mësime, po një mësim i veçantë është bashkimi në diversitet. Ky është Fieri i firakëve den baba den, i fierakëve që ndërtuan tabanin e këtij qytetit, por është po kështu dhe Fieri i mallakastriotëve, i kosovarëve, i çamëve, i lebërve, i myzeqarëve, pa dallim, pra bashkimi i diversitetit.
Sot kam në krahun tim një mik të vjetër, ndonësë një djalë të ri, i cili kurrë nuk ka hezituar ta thotë mendimin e tij, troç dhe pa dorashka , edhe kur nuk i pëlqente kryetarit të partisë.
E ka thënë këtë mendim dhe i ka ngritur çështjet e tij si pakkush, shkurt, saktë bindshëm dhe me elokuencë, ashtu si dinë të bëjnë banorët e kësaj treve, banorët e këtij qyteti, fierakët e vërtetë. Sot ky djalë, ky prind, ky jurist i shkëlqyer, ky anëtar i ekzekutivit që ka shkëlqyer me luftën pa kompromis kundër korrupsionit, ky zëdhënës i pamposhtshëm në ditë të mira dhë në ditë të këqija i halleve dhe i problemeve të Fierit, dhe fierakëve, të qytetit dhe të qarkut, vjen në krahun tim, në fakt vij unë dhe e gjej në mesin tuaj si propozimin më të natyrshëm për të përfaqësuar vlerën tuaj; bashkimin në diversitet, vlerën e familjes tonë politike, vlerën e qytetarisë por edhe të vendosmërisë. Si kandidatin e Partisë Demokratike dhe opozitës, si ofertën tonë për të shpëtuar Fierin nga kthetrat e mjerimit, skamjes, arrogancës përbusëse të pushtetit. Kandidatura vjen nga bijtë dhe bijat e nderuara të Fierit. Arsyeja për të votuar këtë kandidaturë, janë këto që sapo dëgjuat. Demokratët e votojnë dhe do ta votojnë Enkelejd Alibeaj për kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Fierit.
Por votës së demokratëve do t’i bashkohet edhe vota e atyre të majtëve fierakë që kurrë s’mund të pranojnë që të udhëhiqen nga krimi, nga narkotrafiku, nga horrat nga njerëzit që u kanë vënë lakun në fyt, nga njerëzit të cilët premtuan gjithçka dhe s’kanë bërë asgjë për ta. Vota e 21 qershorit do të shkojë për ofertën tonë të re, për njeriun me integritet, per njeriun që i përgjigjet çdo telefonate të çdo hallexhiu, që e ka derën e tij të hapur ditë e natë për çdo njeri me probleme, me halle. Vota e 21 qershorit do të bashkohet këtu në Fier sepse shumica dërrmuese e fierakëve do të votojnë jo për kandidatin e Edi Ramës dhe Ilir Metës por për kandidatin e qytetarëve. Do të votojnë për një kandidat i cili nuk ofrohet këtu thjesht si kandidaturë e një partie politike, por që vjen si përbashkimi i vullnetit tuaj. Dhe një pjesë tjetër e qytetarëve që mund mos jenë votuesit tanë këtu në Fier dhe unë i përshëndes dhe i respektoj ata për zgjedhjen që bëjnë, kanë shansin që me votën e tyre t’i thonë Jo arrogancës, ti thonë Jo papërgjegjshmërisë, ti thonë Jo varfërisë, ti thonë Jo mashtrimit, ti thonë Jo krimit në sistem e të votojnë për një ofertë të re. T’i thonë ndal qeverisë abuzive. Me votën tuaj, qytetarë të Fierit, në 21 qershor keni në dorë të bëni dy gjëra: Do t’i tundni kokën, apo do të ulni kokën para kësaj qeverie që bën sikur nuk iu sheh, bën sikur nuk iu dëgjon, që nuk iu vë në hesap, nuk iu fut në llogari, apo do ti jepni një mesazh të fortë që ta dëgjojnë këtu në Fier e ta dëgjojnë në Tiranë, e ta dëgjojnë nga Saranda në Shkodër e në Tropojë. Ky mesazh, kjo votë paralajmërimi për ju votues të mashtruar të 23 qershorit, është e vetmja rrugë për të shpëtuar, për të mos u shkelur prapë me këmbë me 22 qershor, siç iu shkelën pas 23 qershorit të 2013, dhe kjo do të ishte arsye e mjaftueshme për votën tuaj. Po a ka arsye më të bukur për t’i thënë jo mjerimit varfërisë dhe krimit, për t’i thënë jo kandidaturës së Edi Ramës dhe Ilir Metës, se sa të votoni për Enkelejd Alibeajn për njeriun e vlerës, për projektin e vlerës, për projektin e shpëtimit, për projektin e shpresës. Ndaj e di se entuziasmi që ka mbërthyer këtë shesh dhe këta qytetarë është i madh, siç është vetëm një grimcë, në buzëqeshjen që ka kapluar fytyrat e çdo fieraku e fierakeje të ndershme kur ka dëgjuar atë që dua të konfirmoj dhe të prezantoj sot, Enkelejd Alibeaj për Fierin”, tha Lulzim Basha.
Kandidati Alibeaj theksoi se Fieri ka potencial të madh, por i duhet kthyer dinjiteti, dhe qeverisja e ndershme dhe e përgjegjshme.
“Falenderoj pa masë për përgjegjësinë e madhe që më besuat. Edhe nëse kam qenë ndonjëherë kokëfortë, kjo buron thjesht dhe vetëm se këta njerëz, shpirti i tyre, kërkon drejtësi. Nëqoftëse është kërkuar drejtësi, nëqoftëse është kërkuar që ky vend të ecë përpara për aq sa potencialin e ka, kjo buron se qytetaria e këtij vendi, qytetaria e fjerakëve meriton shumë më tepër se sa çmund t’i ofrojmë. Nëqoftë se marr përsipër me kënaqësinë më të madhe dhe me detyrimin më të madh që të gjithë sëbashku ta udhëheqim gjithë Fierin drejt një historie të re kjo ka brenda, brengën e çamëve, dhimbjen e madhe të Kosovarëve. Kryetar, ky është vendi i Apollonisë, hyut të së drejtës, të dritës, hyut të poezisë. Në fakt ky vend për shumë kohë ka qenë në errësirë. Do të duhet që kësaj here ta nxjerrim nga errësira, këtë vend që ka potencialin më të madh arsimdashës, këtë vend i cili ka potencialin më të madh ekonomik dhe kurajon më të madhe civile për ndërmarrje private dhe kjo është një sfidë që na detyron t’ia shkëpusim errësirës që ka mbretëruar për kaq kohë në këtë vend. Eshtë sfidë e të gjithëve, e duke qenë e tillë e duke parë të gjithë fytyrat e këtyre njerëzve do duhet t’i kthejmë vetëm një gjë, dinjitetin. Ky vend ka nevojë për dinjitet prandaj kjo do të jetë emblema jonë, emblema e të gjithë fierakëve që në 21 qershor të dalin të nderuar”, tha Enkeleid Alibeaj.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 17 Prill 2015