Mijëra qytetarë korçarë mirëpritën sot ofertën e re të Partisë Demokratike, për një mundësi të vërtetë për qytetin e tyre, që do të sjellë punë, do të ulë çmimet e naftës dhe energjisë e do të kthejë besimin e qytetarëve. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i kërkoi qytetarisë korçare të bashkohet me alternativën e demokratëve për të ndalur rrënimin dhe varfërinë. Ai tha se Rama dhe Meta kanë braktisur qytetarët duke rrënuar mirëqënien e tyre.

I kanë braktisur qytetarët dhe korçarët por janë sot të vetmuar se nuk gjendet një shqiptar i ndershëm që t’u shkojë pas. Se nuk u shkohet pas mashtruesve që premtojnë uljen e çmimit të energjisë dhe e rrisin atë. Nuk u shkohet pas atyre që premtuan 300 mijë vende pune, dhe po i nxjerrin njerëzit çdo ditë në rrugë me politikat e tyre. Premtuan uljen e taksave dhe i rritën çdo vit në mënyrë të pamëshirshme.

Premtuan drejtësi, por po u marrin shpirtin të pamundurve që s’kanë mundësi të paguajnë dritat, ndërkohë që i rrahin shpatullat deputetit të tyre këtu në Korçë që ka 205 milionë lekë debi të fabrikës së tij.

Premtuan rend dhe siguri, por krimi po bën kërdinë dhe njerëzit e krimit, të veprave më të urryera janë sot nëpër zyra e marrin vendime për ju, për fëmijët tuaj, marrin vendime për ne.

Këta janë mashtruesit që premtuan uljen e çmimit të naftës,  por po e mbajnë më të lartin në rajon me taksat e tyre, sepse kështu ka zgjedhur Edin Rama dhe Ilir Meta”, tha Basha.

Kreu i opozitës u shpreh se gjendja e fermerëve të Korçës dhe mbarë vendit është nën mjerim ndërsa qeveria u ka rritur taksat dhe nuk u jep asnjë mbështetje.

Këta janë që premtuan ndihmë për fermerët, uljen e madhe të çmimit të karburantit për bujqësinë, por si është gjendja sot. Jo vetëm nuk punohet dot toka, e nuk prodhohet,  për shkak të çmimit të lartë të naftës, por nuk ka më as një kacidhe rimbursim. Sot paratë e arkës së shtetit, paratë e arkës së përbashkët që mbushet nga qytetarët me taksat e tyre, me taksat tuaja që dalin nga xhepat tuaj, që dalin nga goja e fëmijëve juaj,  i marrin tre katër vetë, që kanë lidhje me qeverinë, me klientelën e korruptuar të  Ilir Metës dhe  Edi Ramës”, u shpreh Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike denoncoi maxhorancën për lidhjet e saj me krimin kur në prag të zgjedhjeve kanë vendosur të kandidojnë edhe trafikant droge.

Çfarë ka të përbashkët Korça me këtë model me këtë hibrid të ndërthurjes së krimit me pushtetin, të shitblerjes së votës, të korrupsionit, të babazisë për të përfituar, të arrogancës, të  fodullëkut, të pashpirtësisë e pandjeshmërisë ndaj qytetarëve ?!

Ku janë sot, a kanë reflektuar pasi gjithë Europa u shokua, u trondit nga inkriminimi kokë e këmbë që i bënë administratës dhe shtetit. A kanë reflektuar pasi mbarë qytetarët  vendit u ngritën në këmbë në rrugë e në sheshe kundër krimit dhe sundimit të tij? Aspak! Vendosën të kandidojnë në Krujë një trafikant kokaine, po sfidojnë çdokënd. Kjo është sfidë ndaj jush, ndaj qytetarëve, ndaj partnerëve, ndaj Europës, ndaj Amerikës, ndaj së ardhmes sonë”, tha Basha.

Kreu i opozitës tha se Korça e kulturës meriton më të mirën, ndaj qytetarët korçarë do të ketë kryetar të ardhshëm të bashkisë një profesor të nderuar z.Gjergji Mero ndërsa banorët e Bashkisë së Maliqit mjekun e respektuar të qytetit Xhevdet Belishta. Ai u zotua se oferta e re dhe kandidatët e Partisë Demokratike në Korçë e mbarë vendin do të jenë një garanci me kontratën e nënshkruar, për të hapur dyert për qytetarët ndaj çdo halli të tyre dhe të krijojnë çdo lehtësi për mirëqënie.

Kjo ofertë e re, ofertë që ofron rend dhe siguri, oferta që sjell zhvillim, oferta që ul taksat, oferta që ul çmimin e energjisë, ul çmimin e naftës, kjo ofetë bashkë me votën tuaj kundër rrënimit të jetës suaj të përditshme, do ta ndalë të keqen, do ta vë Korçën e Shqipërinë në punë, do ta ndalë eksodin dramatik, do të kthejë besimin e të rinjve. Kandidatët tanë janë të angazhuar dhe kanë firmosur një kontratë me Partinë Demokratike, por në fakt kontrata është me ju. Përpara se të vijnë këtu tek ju, kanë firmosur kontratën e garancisë për integritetin e tyre, për luftën që do të bëjnë për të ulur taksat dhe tarifat, për vullnetin e plotë për të qenë 24 orë në dispozicion të qytetarëve dhe banorëve të Bashkisë së re të Korçës”, deklaroi Basha.

Kandidati i Bashkisë Korçë, profesor Gjergji Mero u shpreh se ai do kthejë në punë qytetin e Korçës për të kthyer dinjitetin e munguar në qytet. “Do të respektoj kontratën me çdo njerin prej jush për të përmirësuar jetën e familjeve dhe fëmijëve tanë, për të bërë të mundur që të kemi më shumë dinjitet siç e ka pasur në traditën e vetë Korça”, tha kandidati Mero.

Mjeku Xhevdet Belishta tha se ai do t’u shërbejë qytetarëve të Maliqit sipas parimeve humane të profesionit të tij, për të qënë pranë tyre në çdo hall dhe problem. “Qytetarët e mi sot ndihen në braktisur, të harruar dhe në kufinjtë e mbijetesës. Ne mjekët flasim pak por punojmë shumë. Ju garantoj se fitores tonë do ti bashkëngjitet edhe Bashkia e Maliqit”, tha Belishta.

Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike përpara qytetarëve korçarë:

Të dashur miq

Vëllezër dhe motra

Kryefamiljarë, të rinj e të reja

Të nderuar zonja e zotërinj

Korçarë të nderuar e krenarë, banorë të këtij rrethi që ka lartësuar si asnjë tjetër në histori virtytin e punës së ndershme, mençurisë dhe përparimit përmes vlerës dhe virtytit.

Në çdo qytet, rreth dhe krahinë të Shqipërisë përballemi me vlera unike me të cilat krenohemi.

Por në Korçë ndihemi të detyruar para qytetarisë e punëtorisë që buron nga tradita, historia, nga kultura, nga ky truall i prodhimit dhe i nderimit të punës, nga rrugicat, nga historia e saj po më e rëndësishmja që buron nga korçarët dhe korçaret, që dua ti përshendes pa dallim të mbledhur në këtë shesh, banorë të bashkisë së vjetër dhe bashkisë së re, banorë të Korrcës, Devollit, Maliqit kudo që jeni, kudo që jeni të majtë e të djathtë, myslimanë e ortodokse.

Vëllezër e motra, jemi mbledhur sot këtu jo siç e meriton ky qytet dhe korçarët për të festuar punët dhe djersën tuaj për të celebruar begatinë,  mirëqënien, apo një lajm të mirë. Nuk është kjo, fatkeqësisht, që na ka

Mjerimi, varfëria, hallet e mëdha të qytetit e komunave përrreth, na kanë bërë bashkë sot.

Nuk ka punë në Korçë, s’ka zhvillim, nuk ka mirëqënie dhe ka humbur besimi.

Në fytyrat e të rinjve dhe tërejave të Korrcës, e burrave dhe grave të Korçës, që hasim kudo në çdo lagje e fshat nuk shohim melankolinë romantike e serenatave tuaja të mrekullueshme, por dëshpërimin e papunësisë, të skamjes, të pamundësisë.

Varfëria është sëmundja më e keqe, dhe ka hedhur rrënjë thellë edhe këtu si në gjithë vendin.

Por miqtë e mi, ashtu siç mençuria korçare u dikton brezave dhe historisë, dhimbja është një burim diturie, mesimi, për të gjetur e për të vënë gishtin, për të kuptuar mirë pse erdhëm deri këtu, cilat janë shkaqet që përfunduam këtu.

Vuajtja e korçarëve na bën syçelët, për të parë qartë burimin e papunësisë, varfërisë e mjerimit, autorët që i tregon me gisht çdo shqiptar sot, autorët e kësaj dare shtrënguese e asfiksuese janë Edi Rama dhe Ilir Meta.

Ata janë autorët dhe askush tjetër, sepse prej dy vitesh sundojnë e shtypin qytetarët, ndërsa vetë janë kredhur në kënaqësitë perverse të oligarkëve që nuk shohin përtej hundës së tyre, xhepit të tyre, familjes apo klientelës së tyre, nuk ndjejnë më larg se privilegjet e tyre.

Kjo është gjendja dhe kjo na ka mblehdur sot në Korrcë si kudo në Shqipëri.

Ata kanë sot pushtetin dhe paratë, por harrojnë se nuk kanë bërë asgjë, sepse nuk kanë me vete qytetarët, nuk kanë me vete korçarët, nuk kanë me vete shqiptarët. Ata i braktisën shqiptarët, të verbuar në luksin e korrupsionit të tyre, por janë të mjerë e nuk kuptojnë se ky shesh këtu sot, si çdo shesh, në çdo qytet e cep të Shqipërisë është pasuria më e madhe, luksi e drita më e madhe, është shpirti i lirë që kërkon punë e dinjitet, ligj e siguri. Ky shesh, ju korçarët e ndershëm dhe anembanë shqiptarët, ju jeni Shqipëria e vërtetë, e gatshme për t’u treguar vendin Ramës, Metës, kopjeve e filove të tyre këtu në Korçë e kudo.

I kanë braktisur qytetarët dhe korçarët por janë sot të vetmuar se nuk gjendet një shqiptar i ndershëm që t’u shkojë pas.

Se nuk u shkohet pas mashtruesve që premtojnë uljen e çmimit të energjisë dhe e rrisin atë.

Nuk u shkohet pas atyre që premtuan 300 mijë vende pune, dhe po i nxjerrin njerëzit çdo ditë në rrugë me politikat e tyre. Premtuan uljen e taksave dhe i rritën çdo vit në mënyrë të pamëshirshme.

Premtuan drejtësi, por po u marrin shpirtin të pamundurve që s’kanë mundësi të paguajnë dritat, ndërkohë që i rrahin shpatullat deputetit të tyre këtu në Korçë që ka 205 milionë lekë debi të fabrikës së tij.

Në burg shkojnë ata që skanë 30 mijë lekë të vjetra të paguajnë energjinë, se s’kanë mese, s’kanë punë e as të ardhura, në parlament e me privilegje ai që ka 205 milionë të papaguara. Pse nuk shkoi banda e gangsterëve famëkeqë të OSHEE-së tek fabrika e mikut të Edi Ramës e Ilir Metës për të hequr dritat e për të çuar në burg pronarin? Nuk shkoi se ligji sot nuk zbatohet njësoj. Sot nuk jemi të barabartë para ligjit. Rama e Meta tratojnë shumicën si të njerkës dhe disa pak si të nënës.  Të pamundurit dhunohen, miqtë e qeverisë favorizohen.

Premtuan rend dhe siguri, por krimi po bën kërdinë dhe njerëzit e krimit, të veprave më të urryera janë sot nëpër zyra e marrin vendime për ju, për fëmijët tuaj, marrin vendime për ne.

Pak ditë më parë  denoncuam dy karaktere të tillë, një përdhunes, tjetri falsifikator, që këta, psuediorilindja e famshme i çoi në doganë e në tatime, sikur të ishin më shembullorët e qytetit.

Këta janë mashtruesit që premtuan uljen e cmimit të naftës,  por po e mbajnë më të lartin në rrajon me taksat e tyre, sepse kështu ka zgjedhur Edin Rama dhe Ilir Meta.

Këta janë që premtuan ndihmë për fermerët, uljen e madhe të çmimit të karburantit për bujqësinë, por si është gjendja sot. Jo vetëm nuk punohet dot toka, e nuk prodhohet,  për shkak të çmimit të lartë të naftës, por nuk ka më as një kacidhe rimbursim. Sot paratë e arkës së shtetit, paratë e arkës së përbashkët që mbushet nga qytetarët me taksat e tyre, me taksat tuaja që dalin nga xhepat tuaj, që dalin nga goja e fëmijëve juaj,  i marrin tre katër vetë, që kanë lidhje me qeverinë, me klientelën e korruptuar të  Ilir Metës dhe  Edi Ramës.

Le të bëjmë një bilanc të shkurtër këtu në Korcë, në këto dy viteve. Asnjë premtim i mbajtur. Investimet sot janë 6 herë më pak. Asnjë shkollë e re, asnjë ujësjellës i ri. Bashkia, bashkia e drejtuar nga ky qyqari që mbeti nënkryetar, derisa ta largoni ju me votën tuaj në 21  Qershor, është kthyer në zyrë të ndarjes së privilegjeve dhe favoreve për një klan të ngushtë të peleshëshëve dhe  kapuranëve.

Miqtë e mi!

Korçarë të nderuar

A mund ta thotë dikush;

Çfarë ka të përbashkët Korça e kulturës që ka parë bot me sy, me këtë qeveri, me këtë parlament, me këtë administratë të lidhur me krimin dhe të mbushur me trafikantë e autorë të mynxyrave të lloje llojeve  e më të pabesueshmet ?!

Çfarë ka të përbashkët Korça e artit, e kulturës, e  serenatave me këtë palo bashkiak me këtë zëvendësues të oligarkut,  që u rrit në detyrë, që i ka marrë dinjitetin qytetit dhe ka ngritur këtu kullën shëmtuar e korrupsionit për hesap të Edi Ramës,  jo për hesap të korçarëve ?!

Më tha një zonjë tek vija këtu, i thonë kulla e flijimit në Korçë, kulla e turpit e quajti Aldo, por emri i vërtetë është kulla e korrupsionit . Kjo  ngrehinë e shëmtuar ti vret sytë,  sa me mungesën totale të estetikës, aq edhe me simbolin që është kthyer, të  keqqeverisjes që shtrëngon lakun në fytin e shqiptarëve.

Çfarë  ka të përbashkët Korça e kulturës, Korça e qytetarisë, Korça e respektit për njerëzit më këtë soj të urryer sundimtarësh që i fusin të rinjtë e Korcës të blejnë e shesin vota, i fusin në pazarin më të papranueshëm të këmbimit me lekë të së ardhmes tonë, të tregtimit të lirisë më të shenjtë të njeriut,  të drejtës  për të vendosur me vullnet të pastër për drejtuesit e vendit.

Çfarë ka të përbashkët Korça me këtë model me këtë hibrid të ndërthurjes së krimit me pushtetin, të shitblerjes së votës, të korrupsionit, të babazisë për të përfituar, të arrogancës, të  fodullëkut, të pashpirtësisë e pandjeshmërisë ndaj qytetarëve ?!

Asgjë të përbashkët!  Asgjë të përbashkët nuk ka Korça e traditës, e shkollës së parë shqipe, e rilindjes, e serenatës, me këta sundimtarë primitive dhe eunukë që kanë bjerrë çdo vlerë e çdo parim.

Ndaj jam i sigurtë se edhe socialistët korçarë, nuk kanë e nuk gjejnë asgjë të përbashkët me dyshen Rama-Meta dhe fidanët e tyre këtu.

Miqtë e mi!

Ende pa u mbyllur një skandal, plas një tjetër  Dy vite zinxhir i pakëputur skandalesh, të padëgjuara më parë.

E patë se gjithë kupola e shtetit, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, Ministri i Brendshëm, të zgjedhurit e tyre në Kuvend u përfshinë në një histori kriminale, që të ngjeth mishtë, me akuzën e porositjes së vrasjes së dy deputetëve dhe me bashkëpunimin në fshehjen e ngjarjes. Edhe më kriminale se sa kjo skemë mafioze, që ka në bazë të saj vetëm interesa biznesi e pazaresh të ndyra , ishte makineria që u ngrit e u vu në lëvizje për mbylljen e hetimit, për mbulimin e të vërtetës.

Ku janë sot, a kanë reflektuar pasi gjithë Europa u shokua, u trondit nga inkriminimi kokë e këmbë që i bënë administratës dhe shtetit. A kanë reflektuar pasi mbarë qytetarët  vendit u ngritën në këmbë në rrugë e në sheshe kundër krimit dhe sundimit të tij? Aspak!

Vendosën të kandidojnë në Krujë një trafikant kokaine, po sfidojnë çdokë. Po, po. Kjo është sfidë ndaj jush, ndaj qytetarëve, ndaj partnerëve, ndaj Europës, ndaj Amerikës, ndaj së ardhmes sonë.

E dini çfarë ndodhi para disa ditësh këtu në Korçë? Ma thonin tek po vija këtu tek ju e me siguri që shumë qytetarë e kanë parë sepse ka ndodhur në mes të qytetit, në një orë të zymtë të ditës me shumë njerëz. Një gruaje i ra të fikët dhe kur u përmend tha se kishte 2 ditë pa ngrënë. Se ishte nëna e 3 fëmijëve dhe se shtrëngonte grushtin e saj me 200 lekë të vjetra , që nuk dinte a do ti blinte çibuk apo kothere për fëmijët e saj.

Këtu e ka sjellë punën Edi Rama dhe Ilir Meta dhe babëzia e tyre shpërdoron 3 milionë Euro për zyrat  bashkisë, 2.5 milionë Euro për kullën e korrupsionit që i marrin nga xhepat tuaj. Tani vijnë dhe kanë turpin e madh që nuk i zë e ju kërkojnë votën më 21 qershor.

Kërkojnë prej jush, këta që ju vunë përpara mjerimin, burgun, arrogancën, shtypjen, përbuzjen, pashpirtësinë, pasi morën lekët tuaj e i bënë rrush e kumbulla, pasi mbyllën mijëra vende pune e në vend që të hapin një të vetëm, vijnë këtu me Filo qyqarin, me çirakun që merr paratë që t’ia çojë shefit, që t’ja çojë shefit të tij. Vijnë me të, çfarë i thonë Korçës me Filo qyqarin, i thonë ulni kokat, zbrazni xhepat, jepni votat, mbyllni gojën, sepse mendojnë se mund të blejnë gjithçka me paratë e krimit dhe të korrupsionit. E kanë mirë apo e kanë keq? Gabim e kanë, apo jo? Nuk e blejnë dot shpirtin e korçarëve, nuk e blejnë dot të kaluarën e trafikantëve që kanë në krahë, nuk i blejnë dot gjynahet që kanë bërë me këtë popull. Nuk kemi ndërmend ti lejojmë, Korça do t’i thotë jo, Shqipëria do t’I thotë jo.

Sot jo vetëm mbështetësit tanë, por edhe ata votues të majtë që ndjehen të tradhëtuar në shpirt. Janë para dy zgjedhjesh, t’I thonë të ulin kokën e të bëjnë sikur nuk shohin, të poshtërohen e të shkelen me këmbë, të votojnë çirakun që vazhdon të ndajë paratë e t’ia çojë shefit, që t’ia çojë shefit të madh, apo t’I thonë me votë, ndal, nuk pranojmë më, jo më kështu, ndal!

Dhe unë kam besim se jo vetëm demokratët e Korçës por të gjithë korçarët kanë 1 mijë arsye për t’i thënë Jo, për të dhënë votën e tyre kundër , për të dhënë votën e tyre për shpëtim dhe për shpresë dhe jo për vazhdimin e kësaj mënxyre që nuk diskriminon, por ka kapur prej fyti të djathtë e të majtë, e pra sot, korçarët e urtë dhe punëtorë, kanë mundësi të votojnë jo vetëm për ato 1 mijë e një arsye, por edhe një arsye tjetër të madhe, për një qeverisje që ndihmon, që u del në krahë, që i stimulon, që e ka derën të hapur. Korçarët e kulturës, dijes, që duan të kenë bijtë më të mirë, bijat më të përgatitura në krye dhe ne që jemi gati bashkë me ta, janë gati të pranojnë për një arsye madhore ofertën tonë sepse ne vijmë tek ju me birin e kësaj krahine, me njeriun e dijes dhe të kulturës, me njeriun e suksesit, Rektorin e Universitetit të Korçës, prof. Gjergji Meron.

Ora e të vërtetës po vjen. Korça ka nevojë për këtë ofertë të re, për këtë qeverisje të re. ne dalim hapur para korçarëve duke votuar Gjergji Meron. Votoni për hallet dhe problemet tuaja dhe zgjidhjen e tyre. Votoni për qytetarinë, votoni për të sotmen dhe të nesërmen, votoni për njeriun që është i përkushtuar, jo ndaj shefit, e as ndaj shefit të shefit, por ndaj qytetarëve të Korçës, nga më i pari deri tek më i fundit, nga më i riu deri tek më i vjetri, të djathtë e të majtë.

Ndaj, kandidatët tanë janë të angazhuar dhe kanë firmosur një kontratë me Partinë Demokratike, por në fakt kontrata është me ju. Përpara se të vijnë këtu tek ju, kanë firmosur kontratën e garancisë për integritetin e tyre, për luftën që do të bëjnë për të ulur taksat dhe tarifat, për vullnetin e plotë për të qenë 24 orë në dispozicion të qytetarëve dhe banorëve të Bashkisë së re të Korçës. Kjo ofertë e re, ofertë që ofron rend dhe siguri, oferta që sjell zhvillim, oferta që ul taksat, oferta që ul çmimin e energjisë, ul çmimin e naftës, kjo ofetë bashkë me votën tuaj kundër rrënimit të jetës suaj të përditshme, do ta ndalë të keqen, do ta vë Korçën e Shqipërinë në punë, do ta ndalë eksodin dramatik, do të kthejë besimin e të rinjve, do ta bëjë për atë nënën që u këput në mes të pazarit, do ta bëjë për Brunilda Mekën që la dy jetimë të pashpirtësisë të xhelatëve të Edi Ramës dhe Erjon Veliajt këtu në Korçë, do ta bëjë për çdo korçare e çdo korçar dhe për të ardhmen tuaj.

A jeni gati?

Ne jemi gati!

Ora e së vërtetës po vjen, për punë dhe dinjitet, për rend dhe siguri, për ligj dhe drejtësi . Për Korçën qytetare, për Shqipërinë europiane, me Gjergji Meron, me korçarët.

Zoti e bekoftë Korçën,

Zoti e bekoftë Shqipërinë!


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 18 Prill 2015