Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, deputetja Albana Vokshi mori pjesë në Forumin e  Grave deputete të Partive Popullore Europiane në Varshavë, me temë “Roli i grave në forcimin e demokracive  në Europën qendrore dhe lindore , një vlerësim i të kaluarës dhe së tashmes në cerek shekulli”.

Në konferencën e organizuar nga PPE dhe fondacioni Konrad Adenauer merrnin pjesë eurodeputete,  deputete të vendeve anëtare, kryetarja e Forumit të Grave të PPE ish eurodeputetja Doris Pack,  drejtuese të forumeve politike dhe  gra personalitete të Europës Lindore.

Në fjalën e saj, zonja Vokshi kërkoi mbështetjen e kolegeve në Parlamentin Europian dhe të vendeve të tjera  për dekriminalizimin e Parlamentit dhe institucioneve shqiptare, si një kauzë jetike dhe si domosdoshmëri  për forcimin e shtetit të së drejtës dhe integrimit europian të vendit. Zonja  Vokshi u shpreh se në betejën e dekriminalizimit të shtetit,  Partia Demokratike është përfshirë me seriozitet dhe angazhim të jashtëzakonshëm dhe po drejton një komision parlamentar  të posatçëm dhe se deputetet gra kanë një rol thelbësor.

“Nuk mund të ketë zhvillim, progres dhe të ardhme europiane, nëse qeveria dhe deputetët janë të kapur nga interesa kriminale dhe mafiozë. Ata mbajnë  peng aspiratat e shqiptarëve per progres”, tha Vokshi.

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas një prezantim  të gjerë të sfidave dhe rolit historik të grave në shtetformimin shqiptar, sakrificat vetëmohuese të tyre si nëna dhe bashkëshorte në diktaturë, kalvari i gjatë i persekutimeve, pushkatimet me dhe pa gjyq ndaj grave intelektuale dhe të shtresave të ndryshme .  Zonja Vokshi njohu deputetet e djathta europiane me nismën ligjore të PD për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare si një proces i rëndësishëm për shkëputjen nga e kaluara më e errët dhe më e vuajtur që një vend ka patur në Europë.

“Mazhoranca aktuale e rrëzoi nismën duke e refuzuar me forcën e kartonave shkëputjen nga e kaluara kriminale” , tha zonja Vokshi  e cila shtoi se qeveria mbështetet  një draft ligjor të cunguar,  aspak në funksion të pastrimit të shtetit nga zyrtarët e ish diktaturës, apo gjyqtarët e atij sistemi.

Deputetja Vokshi tha se edhe pse kanë kaluar 25 vite demokraci,  gratë dhe vajzat në Shqipëri vuajnë privime të mëdha ekonomike, sociale, punësimi dhe të drejta njerëzore për shkak të diskriminimit dhe braktisjes nga qeveria dhe mazhoranca e kapur nga krimi dhe monopolet.

Vokshi shtoi se në zgjedhjet lokale përfaqësimi në rritje i grave dhe vajzave në drejtimin  e bashkive dhe këshillave bashkiakë me 50% do të rrisë  cilësinë e vendimarrjes në pushtetin lokal.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike 18 Prill 2015