Në takimin e organizuar në Vlorë nga Partia Demokratike u bashkuan shoqatat e ish të përndjekurve politike, ish te burgosurve, të internuarve, të dëbuarve si dhe Unioni Mbarëkombëtar i të Përndjekurve dhe Burgosurve Politike.

Departamenti për ish të Përndjekurit Politikë dhe Pronarët në Partinë Demokratike organizoi dje konventën kombëtare për “Pjesmarrjen në politikëberje të familjeve të të përndjekurve politike, si domosdoshmëri për demokracinë”.

Në këtë takim të organizuar në Vlorë nga Partia Demokratike u bashkuan shoqatat e ish të përndjekurve politike, ish të burgosurve, të internuarve dhe të dëbuarve si dhe Unioni Mbarëkombëtar i të Përndjekurve dhe Burgosurve Politike.

Më shumë se 500 pjesmarrësit e këtij takimi shprehën vullnetin për bashkimin e të gjithë shtresës së përndjekurve politikë rreth Partisë Demokratike, si dhe deklaruan nevojën imediate që ka vendi për përfshirjen e kësaj shtrese politike në vendimarrje dhe politikëbërje. Duke parë situatën kritike dhe duke bërë një analizë të aktualitetit politik, të përndjekurit u zotuan se do të bashkohen me Partinë Demokratike në këto zgjedhje vendore, si e vetmja alternativë dhe shpresë për vendin.

Në takim morën pjesë të përndjekurit nga qyteti Vlorës, Sarandës, Delvinës dhe Himarës. Në emër të Partisë Demokratike, konventën e përshëndeti Sekretari i Përgjithshëm, z. Arben Ristani, i cili theksoi vlerësimin që PD ka për këto grupime të shoqërisë, dhe pohoi rëndësinë që ka në Partinë Demokratike, Departamenti për të Përndjekurit dhe Pronarët, si department që përben dy shtyllat kryesore identitare të PD, të përndjekurit dhe pronarët. Z.Ristani u shpreh se aktualisht PD po harton një platformë të qartë dhe të mirëmenduar bashkëpunimi për të bërë të mundur angazhimin e të gjithë familjeve, fëmijëve, nipërve dhe mbesave të përndjekurve politikë, pranë Partisë Demokratike.

Në emër të shoqatës Antikomuniste Demokrate të Përndjekurve Politikë, Simon Mirakaj vlerësoi atë çfarë ka bërë Partia Demokratike, dhe u shpreh se ka ende për të bërë.

Në emër të Unionit Mbarëkombëtar të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë, Besim Ndregjoni shprehu zhgënjimin për qeverinë aktuale, dhe bëri thirrje për afrim pranë Partisë Demokratike dhe politikave të saj.

Në emër të Partisë të Drejtat e Mohuara e Re, z.Fatmir Hoxha, tha se sot më shumë se kurrë është jetike bashkimi me Partinë Demokratike.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike 19 Prill 2015