Ministri i Mirëqënies Personale është përgjegjës për realitetin e pashpresë të mijëra familjeve shqiptare që shohin largimin nga Shqipëria si mundësinë e vetme.

Erion Veliaj ka lënë një gjurmë të rëndë në rritjen e varfërisë në vend, në rritjen e papunësisë, në rrënimin e mijëra familjeve në vend.

Ai është bashkautor me Edi Ramën, në këtë realitet të pashpresë për mijëra familje që kanë marrë rrugët e kurbetit nga pamundësia për të jetuar në kushte esktremisht të vështira, ku vetëm në muajin Mars ka mbi 3000 azilkërkues sipas autoriteteve gjermane.

Sot ai duhet të pranonte përgjegjësinë e tij për skemën shkatërrimtare ekonomike e sociale të aplikuar në vendin tonë prej dy vitesh.

Skemë e cila ka lenë mbi 20,000 familje realisht në nevojë jashtë ndihmës sociale.

Skemë e cila ndryshe nga premtimi i 300,000 vendeve të punës e ka rritur papunesinë nga 13.4% që ishte në 18% sot, sipas INSTAT, nga keto mbi 34% të rinj.

Skemë që ka ulur pensionet në tërësi dhe ka vështirësuar pensionet për gratë në veçanti, duke u rritur atyre moshën e pensionit dhe duke hequr vitet e arsimit nga skema.

Skemë që ka ulur përfitimet e lejës së lindjes për nënat 17% deri në masën 35%.

Si minister i kësaj qeverie, ai është mbështetës i çdo mase të kësaj qeverie që ka vështirësuar jetën e qytetarëve, me rritjen e taksave, me rritjen e çmimit të energjisë, me prishjen e pronave të ndertuar me djersën e shqiptarëve të ndershëm.  Ai nuk ka kundërshtuar asnjë herë të vetme asnjë vendim të kesaj qeverie që në këto dy vite i ka përkeqësuar kushtet e jetesës qytetarëve shqiptarë.

Ka qënë vetë personalisht i përfolur për përfshirje në disa afera korrupsioni, duke mos qënë kështu në krye të ministrisë të mirëqenies sociale në shërbim të qytetarit, por në shërbim të mirëqënies personale.


Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike Gerti Bogdani, 20 Prill 2015