Më duhet ta nis këtë diskutim me një lajm të mirë. Një lajm që lidhet me ndërgjegjësimin e ministrit të financave për korrupsionin në përmasa historike të drejtorisë së Doganave, ky është një hap i vogël për problemin por jam e bindur që është njëkohësisht dhe një hap i madh për qeverinë. E cila, më në fund ka filluar të zbresë me këmbë në tokë duke e kuptuar që nuk mund të jetohet përherë në planetin e transparenca.al.

Gjithsesi gjithë këtë mund të ministrit e zhbën propozimi që ditët e fundit janë përjekur të shesin për kocnesionin e TVSH, që është i çuditshëm jo vetëm për çdo lloj qeverie por më së shumti edhe për një qeveri që hiqet si e majtë. Një propozim i cili, siç u mësua në këto ditë ka ardhur nga një kompani nga Hong Kong e cila vetëofrohet me një kërkesë të pakërkuar menjëherë sapo kryeministri i vendit kish ardhur nga një vizitë disa ditore atje. A është e tepërt të dyshojmë që pas kësaj oferte qëndron ndonjë nga miqtë apo familjarët e Kryeministrit?!

Gjithsecili prej nesh që jemi në këtë sallë dhe që e kemi votuar ligjin e Koncesioneve, e ka të qartë se ligji 123/2015 në fakt nuk është se propozon ndonjë diferencë të madhe ndërmjet koncesionit dhe partneritetit publik-privat. Tani, në çfarë do lloj mënyre që ta emërojmë këtë përpjekje ajo do të thotë që një shërbim publik, që është themelor si administrimi fiskal do të realizohet nga një privat në emër të shtetit.

Përpjekja për t’u marrë me përcaktimin e një emri lidhet më shumë me një diskutim mbi “mustaqet e Çelos” se sa me thelbin e debatit. I cili është dorëzimi i një detyrimi kushtetues pa asnjë të drejtë dhe pa asnjë shembull në rajon apo më gjerë në duart e një koncesionari. Ky i fundit, nga ana e tij, nuk ka asnjë eksperiencë (e përsëris asnjë eksperiencë) në këtë fushë. Lehtësisht nga faqja e tij e internetit mund të vërehet që kjo kompani ka eksperienca me banka, me sektorë të ndryshëm por asnjë eksperiencë sa i përket ndërtimit të një sistemi të tillë.

Por sikur të mos mjaftonte kjo, ministria e financave ka ngritur një grup ekspertësh të cilët e kanë quajtur këtë koncesion apo PPP, siç ka qejf ndonjë nga qeveria ta quaj, si antikushtetues dhe aspak fitimprurës për shtetin shqiptar. Duke e bërë edhe më të dyshimtë këmbënguljen e Kryeministrit dhe obortarëve të tij për domosdoshmërinë e tij. E për më tepër as janë lodhur të bëjnë llogaritë minimale, por kane marrë të dhënat e koncesionarit e i kanë marrë të mirëqëna!

Arbitrariteti i kësaj marrëveshje vazhdon edhe kur njihesh me kushtet e saj, të cilat në mënyrë të dukshme favorizojnë kompaninë propozuese. Qeveria pretendon se nëse kompania do të rrisë bazën nga 11%-15% kjo e fundit do të përfitojë 90% të rritjes ndërsa qeveria 10%. Pra, për çdo 10 lek shtesë në taksa qytetarët e këtij vendi do të përfitojnë 1 lek për shkolla, rrugë edhe spitale ndërsa koncesionari do të përfitojë 9 lek.

Pastaj pazari i qeverisë me taksat e shqiptarëve vazhdon duke i dhënë koncesionarit 65% të vlerës së taksës së rritur nga 15%-17% ndërkohë që në buxhetin e shqiptarëve nga kjo rritje do të përfundojë vetëm 45%. Tani, duke presupozuar që të gjithë në këtë sallë jemi të zotë në aritmetikë, besoj se është e kuptueshme që këto terma janë favorizuese sa i takon koncesionarit. Përqindjet janë aty dhe askush nuk ka pse të gënjehet nga askush.

Por mund të ketë nga deputetët dhe ministrat që mund të argumentojnë se buxheti i shtetit ka nevojë të mbushet. Dikush tjetër mund të argumentojë se qeveria ka dështuar në mbledhjen e të ardhurave për dy vjet rresht, madje vitin që sapo u mbyll kjo qeveri rilindase ka mbledhur realisht -19.7 mld lekë dhe duke patur një rritje reale e të ardhurave negative në vitin 2015, me minus 1.6%.

Këto janë shifra të sakta dhe artikulojnë qartë një problem që si opozitë e kemi ngritur me kohë me gjithë sofizmat e një qeverie të zënë me halle të tjera. Por sado që shifrat dëshmojnë më së paku dështimin e qeverisë, ato janë po ashtu një argument më pak për koncesionin e TVSH-së. Nga të dhënat që ofron Ministria e Financave shohim se TVSH-ja e brendshme këto vite ka qenë 10-13%. Pra, vetë cikli natyral duke marrë parasysh rritjen e konomisë, inflacionin e shumë faktorë të tjerë ka mundur të mbledhë një normë shumë pranë 11% që është baza mbi të cilën po ngrihet ideja e koncesionit.

Kështu, koncesionari i cili do të paguhet nga qeveria për të ndërtuar programin do ta ketë jashtëzakonisht të lehtë të kalojë pragun që qeveria ka vendosur. Le ta shpjegojmë me shifra situatën në të cilën koncesioni në fjalë do të na sjellë nesër. Le të parashikojmë se për vitin aktual do të mblidhen 248.45 mln euro (duke përllogaritur vlerën me një normë rritje prej 14.4% në vit) vlera që do të marrë koncesionari për këtë vit është 6.74 mln Euro ndërkohë që qeveria merr 750 mijë Euro.

Kështu pas 10 vjetësh, ku sipas llogarive të qeverisë të ardhurat në buxhet do të rriten falë koncesionarit me 620 mln euro më shumë thote qeveria, ne do t’i paguajmë atij 133.15 mln euro ndërkohë që në buxhetin e shtetit do të kemi shtuar 14.79 mln euro. Për këdo që ka qejf aritmetikën dhe krahasimet ky është një shembull i mirë për të kuptuar që edhe artimetikisht ky koncesion mban erë korrupsion.

Por, nuk është vetëm ky problemi. Qeveria nesër mund të vijë këtu me një ofertë tjetër të propozuar apo mund të ndryshojë kushtet e kontratës së të ashtuquajturit PPP, a duhet ne të bindemi sërishmi që duhet ta japim me koncesion apo PPP një shërbim të tillë? Unë gjykoj që jo, ndonëse idetë e mia janë më të djathta se ndonjë ministër që hiqet si i djathtë, bindja ime qëndron që taksat dhe tatimet janë një detyrim tërësisht shtetëror.

Madje, përpjekja qeveritare për t’i dhënë këtë koncesion me afat 10 vjeçar është tërësisht i padrejtë duke qenë se prek përtej mandatit të saj qeveritar. Prandaj kërkon minimalisht ose një referendum popullor, meqë kryeministri i ka qejf referendumet, apo nga krahu tjetër një votim me 2/3 në parlament. Kjo sa i takon pjesës minimale sepse në vetvete ky koncesion është antikushtetues!

A kemi të bëjmë me një situatë ku pas kësaj oferte qëndron hija e rëndë e një kryeministri? Numrat dhe aritmetika të bëjnë të mendosh që është pikërisht kështu aq më tepër kur faktet për këto dy vjet koncesione vazhdojnë të përsërisin të njëjtën muzikë.

Janë miqtë e kryeministrit që marrin koncesionet në fushën e shëndetësisë, janë miqtë e kryeministrit që marrin koncesionet e targave, hidrocentralet e Skavicës si dhe atë të Vjosës. Janë miqtë e kryeministrit ato që fshihen pas koncesionit të hekurudhës Fier-Vlorë. Janë miqtë dhe të afërm të kryeministrit që janë pas koncesionit të Spitallës. Ngado që hedh sytë shikon të njëjtat emra dhe të njëjtat fytyra që fshihen pas koncesioneve. Prandaj kush mund të mendojë që pas këtij koncesioni kaq të dyshimtë por njëkohësisht fitimprurës nuk do të jenë sërishmi të njëjtat persona duhet të jetojë në një botë tjetër!

Aq më shumë ku vetë grupi i punës i ngritur nga Ministria e Financave ka pohuar se kjo jo vetëm është një koncesion anti kushtetues por nuk ka asnjë sens ekonomik dhe dobiprurës për shoqërinë dhe shqiptarët.

Të nderuar kolegë.

Për rreth dy vjet, ne kemi debatuar ashpërsisht nga kjo sallë për problemin e tatimeve dhe doganave ndërkohë që kemi treguar me shifra që kjo qeveri ka dështuar dhe ka prodhuar kontrabandë. Këtyre fakteve ministrat dhe kryeministri i janë përgjigjur me sofizma, ndërkohë që sot minimalisht ministri i financave dëshmon atë që ne kemi dy vjet e pak që e flasim nga kjo foltore.

Për rreth dy vjet nga kjo foltore kemi folu për një politikë fiskale dhe për abuzime në mbledhjen e të ardhurave që kanë prodhuar një rritje të papunësisë në 17.5%. Normë e cila ka reflektuar jo vetëm probleme që vijnë si pasojë e politikave fiskale por mbi të gjitha probleme që vijnë si mungesë e vizionit zhvillimor ekonomik. Shihni bujqësinë e cila ka 3.5% më pak vende pune.

Vizion i cili është gjithnjë edhe më i mangët në raport me investimet e huaja që kanë rënë me 10% tremujorin e tretë. Duke ngritur pyetjen se përse? Përse një biznes zgjedh Maqedoninë apo Serbinë të cilëve u mungojnë dhe portet përpara Shqipërisë?! Sepse këto vende kanë politika stimuluese ekonomike më të mira se sa ne.

Nëse nëve kemi një rënie të shpenzimeve me 7.9%, siç raporton edhe Komisioni Europian, nga ku 18.2% është rënia e investimeve publike do të thotë që kemi shpenzuar më pak para për shërbimet dhe rrugët. Nëse ne kemi një sistem fiskal më të rëndin në rajon që për pasojë shtrenjton çmimet e produkteve si edhe taksat e bizneseve, natyrisht që ekonomia do të ketë probleme.

Tani ju ftoj të mendoni se sa do të jenë këto shpenzime pasi ky koncesion korruptiv do të hyjë në fuqi? A do të marrin më shumë shërbime dhe të mira qytetarët e këtij vendi? A do të marrin pagesë më të lartë pensioni, papunësie apo ndihme ekonomike shqiptarët e varfëruar nga taksa, tarifa, çmim energjie dhe uji?

Absolutisht që jo!

Qeveria e borxhit publik më të lartë, që e rriti atë me 10.5% në vit, nuk është lodhur të mendoj për ato.

Nuk është lodhur për të menduar për të papunët që ka ky vend, të cilëve me këto para që do t’ia japin një koncesionari mund të ishin para të hedhura në treg për të rritur punësimin.

Mund të ishin para që mund t’u jepeshin shtresave në nevojë, para me të cilat mundë të ndërtoheshin rrugë dhe shkolla. Por që qeveria ka vendosur që t’ua japë koncesionarit të saj, si një qokë në shërbim tërësisht të interesit personal, ndërsa shqiptarëve përditë e më shumë ua rrit barrën e taksave.

Kjo qeveri refuzon të pranojë se:

Shqiptarët sot paguajnë taksa që qeveria të bëjë punën e saj, paguajnë taksa që qeveria të dërgojë para drejtësisë ato që abuzojnë me pushtetin dhe jo t’i gradojë në poste publike.

Paguajnë taksa që shteti të ndërtojë shërbime dhe të mira dhe jo që ai t’ia koncesionojë gjithçka qokës së radhës. Shqiptarët sot paguajnë taksa më të larta dhe tarifa më të shtrenjta jo që kryeministri të hapë me paratë e tyre ekspozita pikturash, as që ndërtojë sheshe dhe të mbjellë palma dhe as që qeveria t’i japë me koncesion shërbimet bazike për të cilat qytetari paguan taksën.

Shqiptarët sot paguajnë taksa më të larta dhe tarifa më të kripura që shteti të jetë në funksion të tyre dhe jo një grupi të vogël hajdutësh që kanë vendosur që vjedhjen ta pagëzojnë me një term të ri.


Fjalimi në kuvend e deputetes së PD, Jorida Tabaku, 28 Janar 2016