Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane.
Gjatë punimeve të asamblesë zoti Basha u prit në një takim nga Presidenti i Partisë Popullore Europiane Joseph Daul si dhe u takua dhe bisedoi me Sekretarin e Përgjithshëm Antonio Lopez-Isturiz ,me zv.Presidentin David Mecalister, kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian Elmar Brok dhe personalitete të tjerë.
Në këto takime si dhe ne fjalën e tij në Asamblenë Politike, kryetari i opozitës është ndalur tek kriza ekonomike që ka mbërthyer vendin, niveli i lartë i korrupsionit, reforma në drejtësi, dhe zgjedhjet e lira dhe te ndershme. Ashtu siç thekson edhe Komisioni Europian në raportin e tij për ekonominë e Shqipërisë grumbullimi i të ardhurave buxhetore mbetet shqetësuese për shkak të korrupsionit të lartë. Në vitin 2015 rreth 400 milionë euro i munguan buxhetit të shtetit vetëm nga doganat dhe tatimet. Shqetësim është rritja e borxhit publik nga 62% në 74% . 1.1 miliard euro ka marrë borxh qeveria, tha zoti Basha dhe sot nuk asnjë investim publik, asnjë rrugë të re, asnjë shkollë, nuk ka as rritje pagash e pensionesh, as më shumë fonde për personat në ndihmë ekonomike, përkundrazi është ulur pagesa për papunësinë ndërkohë që është rritur papunësia, siç raporton Komisioni Europian.
Kryetari i Partisë Demokratike është ndalur dhe tek niveli i lartë i korrupsionit. Zoti Basha theksoi se 1 miliardë euro janë vjedhur vetëm gjatë vitit të kaluar, 400 milionë euro nga doganat dhe tatimet dhe 777 milionë euro nga tenderat, prokurimet dhe koncesionet korruptive të cilat gjithnjë fitohen nga familjarët, miqtë dhe klientët e kryeministrit dhe ministrave të tij.
Zoti Basha u ndal dhe tek krimi i organizuar. Bandat janë ato që bëjnë ligjin, theksoi zoti Basha sepse kanë mbështetjen e pushtetarëve. Kjo situatë e paprecedentë në këto 25 vite e bën dhe më të domosdoshme dhe imediate reformën në drejtësi e cila është peng i vullnetit të munguar të Edi Ramës. Vetë mazhoranca tha zoti Basha është e përçarë në dy drafte pasi Rama nuk do konsensus, sepse synon kapjen politike të drejtësisë. Kjo, theksoi lideri i opozitës, do të ishte fatale për vendin sepse përtej kapjes politike do ta vendoste drejtësinë në funksion të bandave dhe krimit që sot bëjnë ligjin në vend.
Partia Demokratike është e vendosur për reformën në drejtësi pasi ajo është përcaktuese në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, dy problemet më të mprehta të Shqipërisë nën qeverisjen Rama dhe njëkohësisht dy kushte për integrimin europian të vendit.
Zoti Basha ka marrë mbështetjen e plotë të PPE për aksionin opozitar në përpjekje për të ndalur të keqen që ka mbërthyer vendin, krizën ekonomike, korrupsionin dhe krimin që bën ligjin si dhe për ti ofruar Shqipërisë një vizion europian përmes një qeverisje të re të dalë nga vota e lirë.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 29 Janar 2016