Kandidati për kryebashkiak, Halim Kosova, takohet me prindër dhe punonjës të çerdheve në Tiranë. Cilësia e edukimit në këtë moshë, vendimtare për të ardhmen e shoqërisë dhe qytetit.
Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova u takua dje me prindër që kanë fëmijët në çerdhe, dhe ndau me ta ide dhe përvoja se si mund të përmirësohet ky shërbim jetik për fëmijët.
Kosova tha se investimi tek cilësia e shërbimit dhe edukimit të fëmijëve në çerdhe, është investim për të ardhmen e komunitetit dhe të qytetit.
“Kur bëhet fjalë për fëmijët, është e pamundur që në dorë ta ketë vetëm prindi, apo ta ketë vetëm edukatorja, apo ta ketë vetëm sistemi. Eshtë një trekëndësh i artë midis politikave, punës tuaj të dashur prindër që është një shtyllë shumë e rëndësishme e këtij trekëndëshi por edhe puna e këtij stafi të palodhur”, u shpreh Albana Canollari, kordinatorja e këtij takimi.
“Në çerdhe do doja që gjërat për fëmijën, vizualisht ta bëheshin më të prekshme. Që do të thotë ajo që mësohet nga ana teorike të arrihet të bëhet diçka nga ana e prekshme me dorë. Nuk e di se sa do arrijmë ta implementojmë këtë”, u shpreh një nënë që kishte fëmijën ne cerdhen numër 35 në kryeqytet.
Kandidati Kosova tha se periudha e çerdhes është periudhë e rëndësishme në jetën e një fëmijë, pasi është koha kur formësohet karakteri.
“Të gjithë sëbashku do bëjmë më të mirën. Ju me syrin kritik që çfarë duhet të përmirësohet dhe ne me detyrimin moral por edhe ligjor për të bërë më të mirën, të çojmë në drejtimin e duhur edukimin e këtyre fëmijëve dhe mirërritjen e tyre drejt rrugës e cila, unë gjithmonë e them, është një rrugëtim pafund. Asnjëherë nuk ka fund. Unë kam ardhur këtu t’iu them që do krijojmë linja të thjeshta por frytdhënëse se si ne bashkarisht të bëjmë më të mirën. Po bëmë më të mirën për qytetin kemi investuar për të ardhmen, dhe fëmijët janë e ardhmja e këtij qyteti, kështuqë thjeshtë le të bëjmë më të mirën për ta sepse nga ata varet dhe e ardhmja e shoqërisë, e familjes”, tha Kosova.
Kandidati për kryebashkika theksoi rëndësinë e ruajtjes së komunikimit mes Bashkisë dhe qytetarëve për cështjet më të mprehta.
“Ideja ime kjo është që si të krijojmë në Bashkinë e ardhshme të Tiranës mundësi që çdo grup interesi të ketë mundësinë të përcjelli mendimet në mënyrë që ta bëjmë se s’bën një lidhje me qytetarin dhe me të gjitha nevojat e tij në të gjitha aspektet e jetës”, pohoi Kosova.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28 Prill 2015