Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, pati një bashkëbisedim me të rinjtë me moderimin e aktorit të njohur Jul Deda.
Duke iu përgjigjur disa pyetjeve, z.Kosova ka folur për konceptet e tij për Tiranën, për çështjet e mprehta të punësimit të të rinjve, por edhe për familjen e Facebookun-un.
Jul Deda: Shqipëria!
Halim Kosova: Vend që duhet të bëjmë të pamundurën të gjithë, të bëjmë diçka që t’ia ndërrojmë një çik fytyrën.
Jul Deda: Rini
Halim Kosova: Pjesa më vitale e çdo populli nga e cila merr impulse për të ardhmen e vendit.
Jul Deda: Facebook
Halim Kosova: Facebook-u më detyron të kthej përgjigje.
Jul Deda: Familja
Halim Kosova: S’ka gjë më të shtrenjtë se sa familja, për çdo njeri.
Jul Deda: Tirana
Halim Kosova: Tirana është një qytet i dashur për çdo njeri që banon këtu por jo vetëm kaq. Tiranën mund ta quajmë pa frikë kryeqytetin e gjithë shqiptarëve kudo që banojnë, të cilit duhet të bëjmë gjithë përpjekjet tona t’i hapim mundësitë që projektet madhore të përparojnë dhe në mënyrë urgjente të shikojmë çfarë nuk ka shkuar në të mirë të qytetarit, çfarë ka ngecur, të vëmë diagnozën mbi hallkat që e kanë penguar këtë lloj rrugëtimi, sepse, mbetet kryeqytet, pavarësisht nga emri metropol dhe europian, ka shumë për të bërë që vërtetë ta meritojmë këtë lloj emri.
Një i ri: A keni ju një program për punësimin e të rinjve në qytetin tonë? Faleminderit.
Halim Kosova: Unë kam gjithë këto ditë që po bëj një tur nëpër lagje, nëpër qytet. Kur e shikon se sa të rinj të dalin përpara paradite, është mbështetje por është edhe keqardhje. Do të uroja që, kur të vija më pas, mos të më dilnin kaq shumë njerëz para për të më pritur paradite, por të ishin të gjithë të zënë me nga një vend punë. Kjo vizitë që unë bëj nëpër lagje, më ka ndihmuar shumë për të parë nga afër dhe për të prekur problemet dhe çdo lloj problemi i hedhur mbi tavolinë dhe i grumbulluar nga një shtab i madh, ndërton një strategji të cilën rreth datës 20-22 Maj, ne do ta shpalosim dhe do ta shikoni që do të jetë shumë i prekshëm, shumë konkret dhe me një vizion shumë të qartë për të ardhmen që të gjithë bashkë do ta realizojmë.
Halim Kosova është ndalur në rëndësinë dhe në fuqinë e votës së 21 qershorit.
“Kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë dhe këtë kam pasur si moto, se e ndjej vetë, që mos mendo për një ditë, por mendo për katër vjet sepse duke menduar të gjithë pak më gjatë, do ti japim një pamje tjetër qytetit, politikës, vendit, Shqipërisë”.
Komunikimi I drejtpërdrejtë me qytetarit, është një bindje, një çelës suksesi për z.Kosova.
“Gjatë gjithë kësaj eksperience si drejtues i institucionit, kam fituar një përvojë dhe e kam parë sa e vlefshme është komunikimi direkt me pacientin, me qytetarin, me familjarin dhe këtë do ta transferoj në Bashki sepse është çelsi i suksesit për mos lënduar njerëz dhe për të bërë atë që duhet në kohën e duhur”.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 2 Maj 2015