Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi nga qyteti i Durrësit se nuk ka bandit dhe kriminel që ta ndalë uraganin e fitores së shqiptarëve më 21 qershor. Pas një takimi me qytetarë durrsakë duke iu referuar dhunës së ushtruar ndaj të rinjve demokratë një ditë më parë, zoti Basha theksoi se është shenjë dëshpërimi e Ramës, Metës dhe Dakos për humbjen plebishitare që i pret më 21 qershor.

 

“Ky përbashkim i madh i durrsakëve rreth alternativës sonë, rreth ofertës sonë të re, rreth Partisë Demokratike, aleatëve tanë dhe kandidates sonë fituese Grida Duma, ka shkaktuar dëshpërim të thellë tek kundërshtarët tanë politikë. I dëshpëruar është Edi Rama, i dëshpëruar është Ilir Meta, i dëshpëruar dhe i kërrusur është Gjushi që mendon se e ka marrë me tapi Durrësin, por që e di se ditët dhe orët në krye të abuzimit me pushtetin i ka të numëruara. Edhe 51 ditë dhe durrsakët do të çojnë në shtëpi Gjushin pasi nuk ka bërë as punësim, s’ka rritur mirëqenien, s’ka bërë as investime. Ka ardhur ora të japë llogari dhe nuk do t’i shmanget ndëshkimit që do t’i japin durrsakët më 21 qershor.  Ndaj e ka zënë frika , e ka zënë paniku, siç i ka zënë të gjithë këta, në vend që të përballet me qytetarët,  në vend që të japë llogari para qytetarëve. Çfarë bën, sulmon fushatën e Partisë Demokratike. I vërsulet me banda dhe me banditë të rinjve tanë të guximshëm, kurajozë dhe fitimtarë. Sulmi i bandave të djeshme mbi fushatën e Partisë Demokratike është mbi të gjitha dhe para së gjithash shenja e frikës  së humbjes së pashmangshme të Vangjush Dakos. Humbja është e pashmangshme sepse durrsakët nuk mund ta pranojnë më të keqen.  Kanë vendosur të ndahen nga e keqja, kanë vendosur të përqafojnë të mirën, ofertën tonë , programin tonë, kandidaten tonë, Grida Dumën , Partinë Demokratike dhe opozitën. Ndaj, çfarëdo që të bëjnë nuk i shpëtojnë dot verdiktit popullor të qytetarëve të Durrësit.

I bëj thirrje prokurorisë ta vërë banditin dhe banditët që agresuan dje të rinjtë demokratë, pa vonesë prapa hekurave dhe para drejtësisë. Nuk ka bandit, nuk ka kriminel të ndalë cunamin që ka nisur anembanë Shqipërisë për të përmbysur regjimin e varfërisë, regjimin e poshtërisë dhe talljes së shqiptarëve.  Ne nuk kemi frikë sepse na pret fitorja, na pret shpresa për të nesërmen, na pret besimi për një të ardhme më të mirë”, theksoi zoti Basha.

 

Entuziazmi i fitores tha zoti Basha ndjehet në çdo cep të Shqipërisë sepse qytetarët përballen sot me sfidën e mbijetesës. Rritja e nivelit të papunësisë ka zhytur shqiptarët në borxhe për bukën e fëmijëve dhe çfarë është më e keqe, nuk kanë asnjë shpresë se situata do të jetë më mirë në muajt që vijnë.

 

Shkaku i varfërisë suaj, që është pabesia dhe poshtërimi dhe premtimet e pambajtura të 23 qershorit, që janë taksat e larta, çmimet e larta, diskriminimi, moszbatimi i ligjit njësoj për të gjithë ju, që është papunësia e ngritur në themel të një regjimi që pasi ju merr bukën e gojës, do t’iu blejë dinjitetin me thes me miell, do t’i japim fund me votën tonë, të djathtë e të majtë, të gjithë të bashkuar. Ndaj, theksoi zoti Basha, frika që i ka kapur, sa vjen e do të shtohet.

 

“Boll kanë qëndruar të heshtur qytetarët duke parë ditë për ditë se si shtohej trashja e zullumit, boll kanë qëndruar kokulur para fëmijëve duke numëruar kacidhet e fundit akoma pa u mbyllur muaji, 88% e durrsakëve, 88% e shqiptarëve besojnë se 6 mujori i ardhshëm me këtë qeveri do të jetë më i keq se 6 mujori që po lëmë pas. 1 në 3 familje shqiptare merr borxh ditë për ditë për bukën e gojës, ndërkohë që Gjushi dhe klientela e tij krihen  në projekte luksi dhe korrupsioni. Si është e mundur? Kurrë nuk është e mundur në mes të Europës të mbijetojë një regjim i tillë dhe tani që po ju vjen fundi i kanë kapur sëmundjet e vjetra të baballarëve të tyre politikë, kanë filluar të fajësojnë popullin, a thua se e ka fajin populli që e kanë detyruar të marrë borxh për bukën e gojës, a thua e ka fajin populli që 7 në 100 durrsakë kanë humbur vendet e punës në dy vitet e fundit që kur erdhi kjo e keqe në pushtet. A e ka fajin populli për mijëra e mijëra të tjerë  të cilët kërkojnë punë ditë për ditë, por nuk gjejnë dot. Por ciniku, kryeministri i së keqes si një kloun thotë: Punë ka, por populli shqiptar është popull dembel dhe nuk di ta kërkojë punën. Unë ju them se puna do të vijë, mirëqenia do të vijë,  të ardhurat do të vijnë, lekët do të vijnë, taksat do të ulen, çmimet do të rriten kur këta bashkimbuzukë do t’i çojmë në shtëpi me votën tonë plebishitare më 21 qershor”, theksoi zoti Basha.

  

Optimizmi i fitores dhe shpresa e shqiptarëve për t’u ndarë nga e keqja më 21 qershor, ndjehet në çdo cep të vendit dhe është e pathyeshme, tha lideri i opozitës sipas të cilit, nga jugu në veri shqiptarët janë bashkuar si asnjëherë më parë kundër të keqes në pushtet.

 

“Është e mahnitshme sesi njerëzit akoma pa nisur zyrtarisht fushata elektorale janë bashkuar rreth kësaj kandidature, rreth këtij vizioni, rreth këtij ekipi, rreth kësaj alternative për Durrësin dhe durrsakët njësoj si do të bashkoheshin në një familje të madhe politike dhe biologjike. Kjo ka ndodhur vëllezër dhe motra, sepse këtu në Durrës shtypja është e dyfishtë, varfëria është e dyfishtë, papunësia është e dyfishtë, përpjekja për të vrarë shpresën është e dyfishtë, ndaj edhe reagimi është i dyfishtë, revolta është e dyfishtë dhe fitorja do të jetë e dyfishtë. Do të jetë fitore plebishitare kundër qeverisë së lakut në fyt. Më 21 qershor durrsakët të zgjuar dhe të bashkuar në këmbë , të djathtë e të majtë, do të votojnë kundër qeverisë të së keqes, kundër mjerimit, kundër papunësisë, kundër shtypjes, kundër varfërisë. Do të votojnë sepse e keqja ka kapur prej fyti  këtë qytet, i ka kapur prej fyti njerëzit dhe nuk po i lëshon. Duart do t’i heqin nga fyti qytetarëve, lakun do ta heqin nga fyti qytetarëve me votën e bashkuar të 21 qershorit. Kërbaçin do t’ja heqin nga duart me votën tonë të bashkuar më 21 qershor. Nuk ka forcë të na ndalë sepse kjo nuk është më një fushatë politike, nuk është më fushatë e një partie, kjo është një fushatë misionare e të gjithë qytetarëve të Durrësit e të gjithë Durrësit të bashkuar për të nesërme më të mirë dhe për fitore “, theksoi kryetari i PD.

 

Kandidatja e Partisë Demokratike për bashkinë e Durrësit Grida Duma, shprehu besim se më 21 qershor shqiptarëve do t’u kthehet shpresa, besimi, puna dhe dinjiteti.

  

“Sot jemi në një situatë katastrofike. Durrësi është më i varfër se mesatarja e Republikës së Shqipërisë ndonëse Durrësi është qyteti më i pasur për burime, me portin e mrekullueshëm, me plazhin e turizmin, që arrin në 400 mijë turistë në verë. Sot ky qytet mposhtet nga e keqja e të shkurtërve. Kam prekur duar e njerëz të vuajtur. Kam ecur në gjithë rrethinat e këtij qyteti, janë ndier dhe ndihen të frikësuar për të ardhmen e tyre dhe të zhgënjyer për të ardhmen e tyre. Duhemi të gjithë ne t’i kthejmë njerëzve besimin që ditët e mira na presin. Kanë nevojë së pari të ngrihen në mëngjes dhe të kuptojnë se ashtu siç e ka bekuar zoti këtë qytet, do të bekojë jetët e tyre me ne.  Ne do i sjellim qytetit shpresën, besimin, do i kthejmë njerëzve dinjitetin se me ata dhe vetëm ata do lulëzojmë këtë qytet”, theksoi kandidatja e PD-së për bashkinë e Durrësit Grida Duma.  


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 2 Maj 2015