Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka parë nga afër gjendjen e të plagosurve në ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmë në Beragozhd të Dardhasit. Zoti Basha u takua me familjarë,  personelin mjekësor si dhe me shefin e Shërbimit të Djegies Plastike, Gjergji Belba, ku u informua për gjendjen e të plagosurve.  Mjekët bënë të ditur se 9 prej pacientëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Zoti Basha u ka uruar shërim të shpejtë të dëmtuarve, duke shprehur njëherësh dhe shpresën që të mos ketë pasoja të rënda për të lënduarit.  Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka inkurajuar stafin mjekësorë të vazhdojnë me përkushtim punën e tyre për t’ju ardhur në ndihmë të lënduarve, në mënyrë që të tejkalohen sa më shpejt  pasojat e plagëve dhe lëndimeve që kanë marrë.


Njoftim për media e Partisë Demokratike, 2 Shkurt 2016