Ekosistemet  pyjore jane nje pasuri e madhe kombëtare. Ato janë burime energjetike me rëndësi ekonomike dhe veçanërisht ekologjike.

Por çfarë po ndodh aktualisht me pyjet në Shqipëri?

Situata është alarmante.

Mbulesa e gjelbër e tokës në Shqipëri është reduktuar në përqindje të ndjeshme, si pasojë e dëmtimit barbar të pyjeve, e shfrytëzimit pa kriter të tyre, e shpërdorimit të lëndës drusore, e mungesës të infrastrukturës dhe kapaciteteve administrative për të monitoruar pyjet.

Dhe pasojat e kësaj katastrofe ekologjike po i shohim çdo ditë.

Është kjo një nga arësyet kryesore që përmbytjet po e kërcënojnë vendin tonë sa herë që bien reshje me intensitet të lartë, sepse, nga pikëpamja ekologjike, pylli ndikon në kontrollin dhe rregullimin klimatik të reshjeve dhe të erërave.

Është kjo arësyeja pse jetojmë në një mjedis tejet të ndotur, me shkallë ndotjeje shumë herë më të lartë se normat e lejuara, sepse pylli ndikon në rruajtjen e përpjesëtimeve ndërmjet përbërësve të atmosferës sidomos të oksigjenit dhe njëkohësisht shërben si ekran që mbron atmosferën nga ndotja.

Shkatërrimi i pyjeve është shoqëruar me zhdukjen e një numri të madh kafshësh dhe bimësh të egra.

Qeveria e kësaj maxhorance, nuk mund ta shmangë kursesi përgjegjësinë për situatën e rëndë të krijuar me pyjet.

Kjo qeveri, pasi i shkatërroi pyjet, duke i shfrytëzuar ato pa kriter, dhe pasi ja kaloi në pronësi fondin pyjor dhe kullosor bashkive dhe menaxhimin e këtij fondi prej tyre, kujtohet tani t’i mbrojë ato.

Në projektligjin “Për administrimin e Fondit Pyjor dhe Kullosor Kombëtar në Republikën e Shqipërisë”, të sjellë para disa ditësh në Kuvend, qeveria ka parashikuar pezullimin e përkohshëm të shfrytëzimit të fondit pyjor, për një periudhë dhjetë vjeçare.

Po deri tani, gjatë këtyre rreth dy vjet e gjysëm qeverisje, ku ishte qeveria?

Çfarë ka bërë ajo për ta frenuar këtë katastrofë ekologjike, në shfrytëzimin pa kriter të pyjeve?

Qeveria është përgjegjëse për shkaterrimin e Sherbimit Pyjor Shqiptar. Nuk ka me fare sherbim pyjor, askund.

U larguan nga puna qindra specialistë inxhiniere pyjesh.

Ata u zevendesuan me militantë të PS dhe LSI, të korruptuar dhe të pa aftë për të monitoruar dhe mbrojtur pyjet.

 Ata që morën leje shfrytëzimi, u lane te prisnin lendë drusore pa hesap, duke prerë edhe jashtë zones, per te cilen kane marre lejen.

Gjatë fushatës elektorale të vitit të kaluar, në këmbim të votes, u favorizuan dhe u lane të lire të bënin çfarë të donin me pyjet, të gjithë ata që mbështesnin PS dhe LSI.

Në zonën e Bulqizes, baterdia qeveritare ka krijuar nje gjendje lufte civile me komunitetin lokal.

Edhe praktikat e shperthimeve me eksplozive te objekteve te paligjshme ne zonat e mbrojtura, përbëjnë një krim mjedisor, pasi po digjen dhe shkaterrohen siperfaqe shume te medha.

Prerja e pyjeve po ndodh edhe brenda Parqeve Kombetare dhe zonave te mbrojtura.

            Parqet pyjore dhe zonat e mbrojtura, janë një tërësi ekosistemesh natyrore ose gjysmë natyrore, që rruhen dhe mbrohen, posaçërisht, për vlerat estetike, rikrijuese dhe ekologjike.

Ato janë një vend i shkëlqyer për llojshmërinë biologjike. Parqet janë një rezervë e rëndësishme ekologjike për ruajtur mjedisin nga degradimi.

Si deputet i qarkut të Korçës, dua të bëj present një shqetësim të banorëve të Kolonjës, në lidhje me lejet e shfrytëzimit të dhëna në zonën e mbrojtur Germenj-Shelegur, ndërkohë kur është absolutisht e ndaluar dhënia e lejeve të shfrytëzimit në zonat e mbrojtura pyjore, qofshin këto edhe prone private.

Sipas banorëve, atje vihet re një dualitet midis PS dhe LSI, për të patur dominance në shfrytëzimin e pyjeve.

Subjekti “Eralb”, i ish kryetarit të PS, aktualisht nënkryetar i bashkisë Ersekë, ka shfrytëzuar lëndë drusore në zonën e mbrojtur Shelegur, përkatësisht në ngastrat nr. 97 (100% zone e mbrojtur) dhe 95 (30% zone e mbrojtur).

Afati i shfrytëzimit të parcelave ishte fundi i dhjetorit 2015.

Subjekti “6 korriku”, i kryetarit të PS Barmash, ka shfrytëzuar lendë drusore në zonën e mbrojtur Shelegur, përkatësisht në ngastrat nr. 102b dhe 103b. Të dy ngastrat janë në zone të mbrojtur.

Afati i shfrytëzimit të parcelave ishte 30 shtator 2015.

Ja dhe leja e shfrytëzimi për subjektin “6 korriku”.

Ja dhe fotot që paraqesin diametrin e pemëve të prera. Ato tregojnë dukshëm që nuk janë prerje sanitare dhe dritësuese, ashtu sikundër përcaktohet në lejen e shfrytëzimit, por janë prerje pa damkë, jo vetëm në drurë me diameter të madh, por edhe në drurë me diametër të hollë.

Fotot paraqesin gjithashtu edhe rrugët auto pyjore, që janë hapur gjatë shfrytëzimit të lëndës drusore, ndërkohë kur ligji i Shërbimit Pyjor për zonat e mbrojtura e ndalon kategorikisht hapjen e rrugëve auto pyjore në zonat e mbrojtura.

E rëndësishme është të dihet a është bërë akt-kolaudimi i këtyre ngastrave nga Shërbimi Pyjor?

Nëse po, çfarë masash ka marë Shërbimi Pyjor për shkeljet e bëra si hapje rrugësh dhe prerje pa damkë nga këto subjekte?

A ka bërë Shërbimi Pyjor kallzim penal për këto shkelje sipas ligjit?

Kolegë deputetë.

            Nisur nga situata tejet alarmante e krijuar me fondin pyjor, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregëtinë dhe Mjedisin, vendosi me unanimitet, që neni 63 i projektligjit  “Për administrimin e Fondit Pyjor dhe Kullosor Kombëtar në Republikën e Shqipërisë”, që parashikon pezullimin e përkohshëm të shfrytëzimit të fondit pyjor, të jetë një ligj më vete dhe jo i përfshirë në dispozitat e ligjit, që rregullon administrimin e fondit pyjor dhe kullosor, i cili mund të kërkojë një kohë më të gjatë për diskutim dhe miratim

Komisioni e konsideron si emergjente nevojën për të vendosur mbi çështjen e pezullimit të përkohshëm të shfrytëzimit të fondit pyjor.

Për këtë arësye, komisioni vendosi ta bëjë atë subjekt të diskutimit dhe miratimit në seance plenare, para se të vijojë me shqyrtimin e projektligjit “Për administrimin e Fondit Pyjor dhe Kullosor Kombëtar në Republikën e Shqipërisë”.

Mbase emërtimi i projektligjit “Për shpalljen e moratoriumit në pyje në Republikën e Shqipërisë”, nuk është plotësisht i saktë dhe ja vlen të diskutohet.

Emërtimi moratorium ka më shumë karakter deklarativ. Nuk ndalohet absolutisht shfrytëzimi i pyjeve, por ndryshon regjimi i shfrytëzimit të tyre.

Është e vërtetë që objekti i këtij ligji është ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë së shfrytëzimit të lëndës drusore në fondin pyjor publik dhe privat, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, tregtimi i produkteve të tij, ndalimi i eksportit  të lëndës së drurit të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, drurëve të zjarrit si dhe i qymyrit të drurit.

            Por përjashtim nga fusha e zbatimit bën shfrytëzimi i lëndës drusore për plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive për dru zjarri, si dhe shfrytëzimi i lëndës drusore për rigjenerimin, shëndetësimin e pyjeve  dhe pastrimin e mbetjeve drusore.

            Ky projektligj mer parasysh edhe funksionimin normal dhe mospengimin e punes të industrisë të përpunimit të lendës drusore, si një degë e rendësishme e ekonomisë shqiptare.

Por më e rëndësishme se miratimi i këtij projektligji, është zbatimi i tij, që ai të mos mbesë në letër.

A do të jetë i aftë pushteti vendor, a do ti ketë ai kapacitetet administrative dhe mundësitë materiale dhe monetare, për të monitoruar zbatimin e këtij ligji?

Shembulli i moratoriumit të gjuetisë, që po trumbetohet me të madhe nga qeveria si sukses, është një shëmbull i qartë i pa aftësisë të strukturave shtetërore për të zbatuar ligjin.

Moratoriumi per gjuetine ka ndaluar gjuetine sportive te ligjshme, por ka nxitur gjuetine e paligjshme dhe po bëhet baterdia kudo.

Mjafton të përmendim vetëm një fakt. Shoqata e Shpendeve dhe Gjitareve raporton per 462 raste te gjuetise se paligjshme brenda 2 muajsh monitorim.

Prandaj duhen monitoruar rigorozisht lejet që do të japin bashkitë për lendë drusore për plotësimin e nevojave të banorëve të tyre për dru zjarri.

Për këtë, duhen llogaritur nevojat për dru zjarri vetëm për nevojat e familjeve që përfshin njësia vendore dhe subjektit, të mos i jepen vërtetime transporti për jashtë kësaj njësie.

Për të shmangur abuzimin, duhet që caktimi i drurëve që do të priten në ngastrën pyjore dhe kolaudimi i ngastrës, të mos bëhen nga i njëjti subjekt.

Gjithashtu mosha e drurëve që do të shfrytëzohen, duhet të jetë patjetër mbi 100 vjet.

Në përfundim, ftoj të gjithë kolegët deputetë ta votojmë pro këtë projektligj dhe të monitorojmë zbatimin e tij, për ti dhënë fund kësaj masakre ekologjike.


Fjalimi në Kuvend i deputetit, Gjergji Papa, 4 Shkurt 2016