Mirëmbrëma të nderuar qytetarë

Masakra e Elbasanit, është një ngjarje që ka tronditur mbremë të madh e të vogël. Një goditje e radhës psikologjikisht për çdo shqiptar, për rendin dhe sigurinë në vend.

Eshtë fatkeqësisht e njëjta skenë e përsëritur, me ekzekutues të veshur me uniformë policie, e njëjta lehtësi me të cilën shkrehen armët në publik, në ambjente publike.

Kjo masakër është këmbana e alarmit që bie jo për herë të parë për rendin dhe sigurinë në vend.

Me uniforma policie u rrembye Enver Stafuka, me uniforma policie u rrembye dhe u ekzekutua Gazmend Çollaku, me uniforma policie u grabiten dhe u vodhën qytetarë dhe biznese, me uniforma policie u ekzekutuan mbrëmë 3 qytetarë dhe u plagosën 8 të tjerë.

Këto ekzekutime mafioze nuk janë thjesht larje hesapesh, siç mundohet të lajë gojën qeveria, por janë produkt i klimës së krijuar në vend, ku krimi, banditët, bandat, pengmarrësit, gjobëvënësit, trafikantët dhe vrasësit, kanë njohje, kanë mbështetje, kanë lidhje, kanë Ministrin.

Ndaj lëvizin lirshëm, mbajnë uniformën e Policisë së Shtetit, vrasin e ekzekutojnë pa asnjë pengesë. Pa iu hyrë gjemb në këmbë. Si për tu kujtuar të gjithë shqiptarëve  se ne qeverisjen e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit  krimi  ndihet dhe është çdo ditë në pushtet.

Kjo situatë kritike për rendin dhe sigurinë është produkt i ortakërisë së qeverisë Rama me krimin, ortakërisë së Saimir Tahirit me Habilajt, ortakërisë së tij me Shullazët, emërimit të dhjetra krimineleve e trafikanteve ne poste te larta në shtet e në polici.

Ky ministër që ndërmjetëson me vrasës me pagesë në zyrë e në rezidencat qeveritare, ky që i jep makinën personale trafikantëve të drogës, ky që e ka mbërthyer trupën e punonjësve të policisë, e burrave dhe grave me unifromë që shërbejnë me dinjitet me persona të inkriminuar që u aka vënë në krye, ky ministër që vendos forcat speciale në dispozicion dhe mbrojtje të Shullazit, ky që u shfajësohet në telefon baronëve të drogës kur kapen nga shërbimet partnere se nuk e kanë prej tij, ky që djeg provat në laborator për interesat e bandave të narkotikut, ky pra, ky palo ministër është faktori që frymëzon, inkurajon, i jep zemër dhe krahë krimit dhe kriminelëve në vend që godasin me armë në dorë ditën dhe natën.

Ky ministër e ka tradhtuar policinë, e ka tradhëtuar interesin publik, i ka tradhëtuar qytetarët.

Bën tendera uniformash me miliona euro, shfaqet si dizenjator me kufje në vesh, por krimi godet pikërisht me uniformën e policisë.

Masakra e Elbasanit ndryshoi mbrëmjen e çdo qytetari të vendit, teksa ndiqnin në ankth  dhe të tronditur raportimet e mediave.

Vetëm Saimir Tahiri nuk ishte në ankth dhe në tronditje.

45  minuta pas masakrës, kur bilanci i ngjarjes sa vinte dhe rendohej, njeri pas tjetrit raportoheshin viktima dhe te plagosur, ky dordolec publikoi videoselfie me militantët  e partisë së tij.

Perversitet, cinizëm dhe arrogancë të pakufi.

Ne kemi nënvizuar disa herë dhe dua ta them sërish sot, në këtë ditë zije për familjet e goditura dhe rendin publik në Shqipëri:  Çdo ditë  më shumë e Saimir Tahirit në krye të rendit është festë për bandat, dramë dhe tragjedi për familjet shqiptare.

Ai duhet të largohet menjëherë nga detyra, sot, tani.

Te largohet dhe të vihet para drejtesise per lidhjet e tij me bandat, krimin dhe trafiqet.

Pyetje: z Basha, një pyetje për Byronë Kombëtare të Hetimit që e keni bërë çështje të javës dhe të ditës. E para, ju pse kërkoni që Byroja Kombëtare e Hetimit të miratohet në Kuvend pa u miratuar më parë amendamentet kushtetuese? A mund të ketë ajo fuqi ligjore kur ka një pengesë kushtetuese sepse sipas amendamentit njësia speciale e hetimit nuk do të jetë në varësi të Prokurorit të Përgjithshëm…

Basha: Byroja Kombëtare e Hetimit është një projekt i përfunduar me ndihmën e ekspertëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Parashikimet ligjore që i hapin rrugë Byrosë Kombëtare të Hetimit janë rakorduar veç e veç me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga opozita, Partia Demokratike, nga unë si kryetar i saj, dhe sipas informacioneve edhe nga përfaqësuesi i maxhorancës kreu i ekzekutivit dhe përfaqësuesi tjetër, kreu i LSI-së dhe i Kuvendit. Kjo ka ndodhur prej afro 4 muaj e gjysëm dhe prej atëhere pa asnjë shpjegim Edi Rama refuzon të sjellë në Parlament aktin që i hap rrugë themelimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit pas të cilit, me fondet e taksapaguesve amerikanë do të trajnohen punonjësit e policisë dhe prokurorët që do të hetojnë korrupsionin e nivelit të lartë. Nuk ka nevojë as për ndërhyrje në Kushtetutë dhe as për amendamente kushtetuese. Projekti është gati dhe kemi shprehur vullnetin tonë. Ndaj pengesa është një shenjë e qartë dhe publike e mungesës së gadishmërisë së Edi Ramës për të krijuar këtë strukturë që heton korrupsionin në nivele të larta.

Pyetje: Por është pjesë e Reformës në drejtësi. A duhet të pritur Venecia ?

Basha: Ky aspekt i Reformës në Drejtësi, ngritja e kësaj strukture të posatçme të hetimit të korrupsionit të nivelit të lartë ka rakordimin e plotë, formalisht na është raportuar të maxhorancës, ka rapordimin e plotë tonin substancialisht dhe formalisht dhe ka kaluar përmes rekomandimeve të Venecias. Ndaj është e gatshme të adoptohet një orë e më parë. Të gjitha të tjerat janë justifikime dhe gënjeshtra.


Deklarata për mediat e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 4 Shkurt 2016