Të nderuar kolegë deputete
Të dashur qytetarë
Vjen sot në Kuvend për miratim projektligji “Për pranimin e protokollit për ndryshimin e marrëveshjes së Marakeshit që themeloi Organizatën Botërore të Tregtisë” (nenet 73-77), që me rregullore kërkon votim me shumicë dhe paraprakisht po deklaroj që jam pro, sepse jam pro ҫdo projektligji që kontribuon në hapjen e ekonomisë shqiptare dhe integrimin e saj me ekonominë botërore.
Ekonomia shqiptare, përpos faktit që është ekonomi e një vendi të vogël, ka dhe të gjithë vështirësitë e një ekonomie që nuk po mundet të krijojë as avantazhe absolute dhe as relative në tregun rajonal, evropian dhe më gjerë, dhe për të ndryshuar këtë, ka shumë nevojë për ligje, akte të qeverisjes e politikës që shkojnë pro ekonomisë e biznesit, për më tepër ka nevojë për strategjitë afatgjata e afatshkurtra që duhet t’i krijonë këto avantazhe.
Biznesi i importit dhe i distribucionit është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, eficenca dhe efektiviteti i të cilit përcaktohet dhe nga aktet e qeverisjes, të cilat bëhen më urgjente në kushtet ku prej më shumë se dy vitesh ekonomia jonë nuk po merr frymë, e për këtë fajin se kanë veҫ ciklet ekonomike, por dhe kjo qeveri, prandaj sot shqiptarët i drejtojnë gishtin kësaj mazhorance, kësaj qeverie, që përpos paaftësisë, atributin kryesor ka pangopësinë.
Biznesi po kalon ditë të vështira, e për këtë kontribut të veҫantë ka dora vetë Kryeministri i Shqipërisë, që inspirimin, biznesit ja ka zëvendësuar me represionin, lehtësitë, e incentivat ja ka zëvendësuar me gjobat, ndëshkimin e deri në burgosjen.
Është sot momenti për t’i kujtuar kësaj qeverie dhe ministrit Cani që kanë shumë pa bërë e shumë premtime të dhëna të pambajtura:
- Le të nisim me një premtim të vitit 2014 për heqjen e referencave doganore për një pjesë të mallrave të importit. Dikush mund të na thotë që nuk është kjo arsyeja kryesore e rënies së ekonomisë, dakord jam, po gjërat që shkojnë kundër biznesit janë plot të tjera..
- Taksa fikse e transportit me Italinë, 6 deri në 9 USD për ton, drejpërsëdrejti bën që ose transporti të bëhet me kompani të tjera të vendeve fqinjë ose kompanitë tona të transportit të detyrohen të vendosin targa maqedonase;
- Tarifa e skanimit për ҫdo deklaratë importi, ka raste që shkon deri në 350 euro për një mjet, shto faktin që për mallrat që vijnë me traget për shkak të një urdhri u bëhet peshimi për ҫdo mjet, e kjo jo vetëm rrit artificialisht kostot, por kthehet dhe në një praktikë që thellon mosbesimin dhe prish klimën e biznesit teksa i vendos rregulla që asnjë vend europian si ka;
- Shumë prej qytetarëve ndoshta nuk e dinë që Shqipëria është sot vendi i 14 në botë për shtrenjtësinë e naftës dhe nënprodukteve të saj, shto faktin që në rajon ҫmimet janë më të ulta, vendet e BE i kanë nga 5-15 % më të ulta, e kjo zbraz jo vetëm xhepat e shqiptarëve por bën jo konkurrues biznesin, rrit kostot e distribucionit e prodhimit, e këto si derivat i drejtpërdrejtë i korrupsionit qeveritar.
- Këtyre kostove plus, i shtohet dhe qershia mbi tortë, tatimi mbi fitimin që kjo qeveri e rriti me 50%…….dhe .
të më thotë ministri profesor, deputeti Angjeli po profesor e biznesmen, të më thonë dhe gjithë deputetet mjeshtra të biznesit të kësaj mazhorance PS-LSI si mund të konkurrosh e si mund të krijosh avantazh konkurrues në rajon e më gjerë?! kur konteksti ligjor e politik që krijon qeveria është kundër tij?!
Kolegë deputetë…
Ne opozitarët e së djathtës, do të ngurronim të flisnim në se ekonomia e biznesi do të shkonte mire, do rritej GDP, do rritej punësimi e ulej papunësia, do rritej konsumi, do ulej borxhi publik, do vinin investitorë të huaj e do të prosperonin sektorë të rinj e inovativë në ekonomi….po dielli mirë duket në mëngjes, e dielli kësaj mazhorance, për fat të keq të shqiptarëve ka perëndu pa lind që në vitin e parë…të qeverisjes së saj.
Dua të sjell në vëmendjen tuaj sugjerimin kryesor të FMN, arritjen e konsolidimit fiskal dhe uljen e borxhit publik deri në 66 % të PBB-së në vitin 2017 dhe nën 64% në vitin 2018 nga 72.6% që është aktualisht
Banka Botërore ndan të njëtin shqetësim për shendetin e ekonomisë, INSTAT megjithë tutoriatin, jo vetëm konfirmon normën e papunësisë, por me shifra tregon që konsumi ka rënë dhe ҫmimet janë rritur …
Kësaj situate i vë vulën vetë Kryeministri, tek shqiptarët në media shohin qe nervat e lënë ndërsa flet e drejton me egërsi gishtin tek zonja e re të doganave. Dështoi Edi Rama me Croën Agency që i mori jo pak, po 13.5 milion euro për dy vjet shqiptarëve, dështoi Edi Rama me planin e të ardhurave, dështoi para Bankës Botërore e FMN, dështoi dhe për fat të keq konfirmoi opozitën për paaftësinë, por mbi të gjitha për kontrabandën e klaneve të pushtetit të së majtës.
Klientët e mëdhenj të qeverisë, sponsorizuesit e fushatave elektorale të së majtës, po marrin mbrapsh haracin e tyre, prandaj “hyn” naftë 10 mijë ton më pak e cigarja 600 ton më pak, prandaj nafta qëndron në ato ҫmime që dhe arka e shtetit dhe xhepat e shqiptarëve veҫ zbrazen ditë pas dite.
Ka “Bletë” po dhe grenxa punëtore kjo qeveri, që përpos aksione të turpit e banaliteteve live në tv, na dhuruan një paketë gjobvënëse fiskale dhe me rezultat, më pak të ardhura në buxhet.
E teksa profesionalizmi i kësaj është që ta ketë më këdo që vlen e bën punë të ndershme në këtë vend, kurthi i fundit i paketës fiskale ishte gjobvënia me kontributet për profesionet e lira, që në vend të nxiten e të shtohen, madje të mbështeten në vitet e para sa bëjnë emër e klientele, kjo qeveri vendos t’i mbysë e t’i fikë shpresën.
Unë e kuptoj dhe rastin abuziv mes tyre, por e sigurte që 90 % e tyre nuk e meritojnë, për më tepër nuk e meritojnë mashtrimin që bën sikur heq 25 mijë lekë të tatimit në vit, e shton 28 mijë muaj x 12 muaj për kontributin e sigurimeve.
Kolegë deputetë,
Në këtë foltore, mazhoranza e sotme e opozita e djeshme pak vite më parë, nuk la gjë pa thënë për koncensionet e qeverisë Berisha, 95% e të cilave ishin për hidrocentrale, shteti nuk nxorri asnjë lek për to, privati investoi, punësoi, prodhoi….dhe ndonëse s’ju pëlqen, prodhimi i energjisë prej tyre i dha rezultatet këtë vit.
Po koncensionet e kësaj qeverie as parë e dëgjuar gjëkundi duken: paratë i jep shteti, fitimet privati, shërbimi ndaj qytetarit vaj me detet – doni një rast të tillë – koncensioni i check-upit të shëndetësisë.
Po shqiptarët duhet ta dinë që koncensionet nuk janë vetëm punë e Ramës, ato kanë dakordësinë dhe ortakërinë e Metës, ku ka zë nuk është pa gjë në Shqipëri, lajmet thonë që pritet të jepet rruga e kombit me koncension, shërbimi i pajisjes me targa chip, ku cdo targë do kushtojë 48 euro, vazhdojmë më tej me PPP për mbledhjen e TVSH e një zot e di ku do ndalet.
Qeveria e ministrat e saj, duket që punë të parë kanë të mendojnë e realizojnë koncensionet, kjo që po ndodh nuk është më abuzim por raprezalja mbi ekonominë e pasurinë kombëtare të shqiptarëve. Qeveria, kjo e Ramës dhe e Metës, kanë vendos t’i vënë flakën këtij vendi, ata po rrëmojnë e po shkatërrojnë çdo ditë themelet e shtëpisë së shqiptarëve, po i lamë dhe ca çatia do bjerë e do na zerë të gjithëve brenda.
Rama e Meta, po përdorin forcën e kartonave për të ratifikuar kontratat e koncensioneve, druaj po nuk gaboj tek mendoj që ndërsa humbjen e pushtetit politik se kanë të largët, ata kanë mbërthyer si oktapod ekonominë shqiptare, ata po bastisin pasurinë e të gjithë shqiptarëve, e barazitizmi i kësaj që po ndodh nuk është as me maskat e rrugës që të zbrazin xhepat, po nuk të marrin peng të ardhmen.
Të dashur qytetarë,
ka ardhur momenti,të bëhemi të gjithë bashkë për të ndalur dyshen Rama – Meta në rrënimin e Shqipërisë,
ka ardhur momenti, për t’i treguar dyshes së pushtetit , që pasuritë kombëtare janë të shqiptarëve dhe të brezave të vijnë
ka ardhur momenti, t’i tregojmë që ne do ndalim eksodin e fëmijve tanë, e duam këtë vend për ta, e jo një sketërrë të varfër, të rrënuar ku disa pasurohen e populli varfërohet çdo ditë
ka ardhur momenti, ti them stop, dyshes më të keqe të këtyre 25 viteve
Ju faleminderit
Fjalimi në Kuvend i deputetit Igli Cara, 4 Shkurt 2016