Pyetje: Z Basha do të donim nga ju një përgjigje për draftin e dakortësuar me amerikanët, si e parashikon varësinë e byrosë Kombëtare të Hetimit?

Basha: Për draftin e dakordësuar mendoj që është mirë të bëhet një transparencë e plotë sepse është një draft ku opozita ka dhënë konsensusin. Padyshim ekspertët amerikanë kanë bërë një punë të lavdërueshme por është qeveria ajo që ka përgjegjësinë për të dhënë konsensusin e saj. Projekti i Byrosë Kombëtare të Hetimit sot nuk është ai që kishte ndërmend Edi Rama. Sepse ai ishte një plan për të kapur politikisht hallkën më të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit. Kush nga shqiptarët e beson se korrupsioni luftohet më mirë nga ministri i Brendshëm.

E në veçanti nga ky ministër i Brendshëm që është nën akuzë të drejtpërdrejtë nga punonjësit më të lartë të policisë si ndihmës, facilitues i trafikantëve të drogës dhe që është vetëdeklaruar si një person që ulet dhe bisedon në zyrë si ministër i Brendshëm me vrasës me pagesë.

Por në tërësi koncepti që lufta ndaj korrupsionit luftohet nga ministri i Brendshëm nuk qëndron. Sepse kush është faktori i parë i korrupsionit në një vend?! Kush është faktori i parë i korrupsionit në Shqipëri?! Është qeveria. Lufta kundër korrupsionit kërkonte dhe kërkon një vullnet të hekurt politik dhe në funksion të kësaj u mendua për një strukturë të pavarur të posaçme për të hetuar korrupsionin. Projekti i Ramës ra me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pra ndonëse emri mbetet i njëjtë Byroja Kombëtare e Hetimit, nuk është më i njëjti projekt.

Byroja Kombëtare e Hetimit siç është konceptuar me ndihmën e partnerit tonë strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një Task-Forcë permanente, një instrument i përhershëm i Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore për të hetuar korrupsionin në nivele të larta. Dhe në funksion të kësaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vënë në dispozicion një shumë jo të vogël prej afro 8 milionë dollarë, nëse nuk gabohem, për të trajnuar prokurorët dhe punonjësit e Policisë Gjyqsore që do të jenë pjesë e kësaj strukture. Drafti është rakorduar dhe pas rakordimit të draftit ka ardhur edhe opinioni i Venecias i cili ka qartësuar çdo dilemë që mund të ekzistonte për pavarësinë e kësaj strukture nga Policia e Shtetit. Pra nuk është dhe nuk mund të jetë një strukturë e Policisë së Shtetit.

Pyetje: Por Policia Gjyqësore është pjesë e Policisë së Shtetit…

Basha: Jo, Policia Gjyqësore merr rrogën në Policinë e Shtetit por është në funksion të Prokurorisë, të hetimit. Pra është e ndarë pranë Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, por është në funksion të hetimit dhe me Kushtetutë hetimi drejtohet nga Prokuroria. Kështu që këto janë dilema të stisura për ti ikur përgjigjes ndaj pyetjes që unë kam shtruar. Kemi një draft të rakorduar për Byronë Kombëtare të Hetimit i cili po kështu është komentuar edhe nga Komisioni i Venecias dhe sot, nëse ka vullnet politik nuk ka pse të presim më. Ta çojmë në Parlament e ta miratojmë këtë draft të rakorduar sipas vërejtjeve të Venecias dhe ti hapim rrugë përzgjedhjes sipas kritereve të punonjësve të policisë dhe prokurorëve, trajnimit të tyre dhe nisjes pa vonesë të hetimeve të mirëfillta kundër korrupsionit në nivele të larta.

Tani politikisht ju e kuptoni se ku qëndron problemi. Problemi qëndron që Edi Rama ka frikë nga hetimi i korrupsionit në nivele të larta dhe gjithçka tjetër është një farsë.

Pyetje: Domethënë ju nuk mendoni që është legjitime ajo që thotë kryeministri që të pritet kompletimi i reformës në drejtësi ku pjesë e këtij procesi të jetë edhe Byroja ?

Basha: Është absurde që të presim më tej kur ne jemi rakorduar për këtë. Dhe kjo nuk kërkon as ndryshim në Kushtetutë, por mund të implementohet sipas sugjerimeve të ekspertëve amerikanë dhe sipas vërejtjeve të Venecias. Dhe për këtë unë edhe një herë përsëris sot gatishmërinë tonë, të opozitës, të Partisë Demokratike, të grupit tonë parlamentar për të votuar në Kuvend këtë produkt, pra këtë version përfundimtar të draftit, të rakorduar me sugjerimet e Venecias, të fundit të dhjetorit dhe për t’i hapur rrugë themelimit të Byrosë, trajnimit të personelit dhe nisjes pa vonesë të hetimit të korrupsionit në nivele të larta.

Pyetje: Nuk është se ju do ta ndërmerrni këtë nismë siç propozoi z.Meta?

Basha: Kjo është lojë fjalësh se ju të gjithë e dini se ne nuk kemi vota ta kalojmë këtë nisëm në Parlamentin aktual. Jetike është që lufta kundër korrupsionit të luftohet pa ndërhyrje politike dhe për këtë as qeveria “Rama” sot, as qeveria ime nesër nuk duhet të kenë gisht në Byronë Kombëtare të Hetimit por duhet t’ia delegojnë këtë kompetencë autoriteteve që Kushtetuta iu ka besuar hetimin dhe në këtë rast një grupi autoritetesh, një njësie të posaçme, me trajnim të posaçëm dhe me asistencë e vëzhgim të posaçëm nga partneri ynë strategjik SHBA.

Pyetje: Z.Basha ka një pretendim që pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit ka një rol mjaft të rëndësishëm Ministri i Brendshëm përfshirë edhe Prokurorin e Përgjithshëm, pra për draftin e dakordësuar. A mund ta qartësojmë ky draft Byronë e Hetimit e vendos këtë institucion tërësisht nën juridiksionin e Prokurorit të Përgjithshëm ?

Basha: E vendos ashtu siç e parashikon Kushtetuta, ashtu siç rekomandon Komisioni i Venecias. Nuk mund të operohet me modele jashtë Kushtetutës, aq më shumë tani që Komisioni i Venecias është shprehur qartë për këtë çështje. Por që të jetë nën Ministrin e Brendshëm? Kjo sigurisht nuk mund të funksionojë. As me këtë ministër, as me këdo ministër të Brendshëm. Është absurde të pretendohet se mund të ecet me projektin e rilindjes, që ishte projekti i kapjes, i mbytjes së luftës kundër korrupsionit. Atë e hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese.

Sot kemi një projekt tjetër të përgatitur nga ekspertët amerikanë, të rakorduar politikisht nga të gjitha palët dhe të futur në një suazë kushtetuese nga rekomandimet e Komisionit të Venecias. Në një pikë bie dakord, në qoftë se është gati Komisioni i Reformës në Drejtësi le të ulen që nesër, ta marrin këtë produkt, ta adoptojnë, ta bëjnë gati dhe ta sjellin javën tjetër në Parlament.

Pyetje: Pse nuk e bëjnë publik z.Basha projektin që është gati?

Basha: Kjo është një pyetje që duhet t’ia shtroni qeverisë. Normalisht është Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Ministrave që duhet ta sjellin në Komisionin e Ligjeve apo qoftë dhe në Komisionin për Reformën në Drejtësi, nuk kam preferenca, dhe që këtej ta sjellin në seancë plenare.

Një gjë është e sigurt, çdo ditë e humbur në këtë drejtim është një ditë e fituar për korrupsionin në nivele të larta. Kështu që ju e kuptoni fare mirë se kush ka interes ta vonojë dhe kush ka interes ta përshpejtojë Byronë Kombëtare të Hetimit.


Prononcimi për mediat i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 5 Shkurt 2016