Deputetja Deda sheh nga afër kushtet e Maternitetit të Lezhës dhe mungesat e mjeteve bazë.

Ndërsa hajdutëria e Rama-Beqës me biznesin e tyre në shëndetësi vazhdon, spastrimet e personelit mjekësor thellohen, gjendja e spitaleve sidomos në rrethe është në degradim të përditshëm.

Deputetja e komisionit të shëndetësisë Albina Deda u takua me paciente dhe familjarët e tyre në Maternitetin e Lezhës, ku mungesa e furnizimit me ilace bazike dhe infrastruktura e amortizuar janë dy problem kryesore. Nënat e reja dhe të afërmit e tyre i thanë deputetes Deda se ilaçet i blejnë vetë pasi ato mungojnë tërësisht në këtë spital.

Deda konstatoi se në Maternitet ka mungesë totale të ilaçeve dhe mjeteve qënësore duke filluar nga oksitocina, setat e operacionit e katateri.

“Një problem i madh është amortizimi i mjeteve prej mëse 30 vitesh dhe moszëvendësimi i tyre, mungesë që  rrezikon jetën e nënave dhe foshnjave”, tha ajo.

Deputetja i bëri thirrje ministrit të shohë realitetin e spitaleve në Veri, mjerimin e tyre.

“Ka vetëm shfaqje dhe propagandë të kryeministrit dhe ministrit të shëndetësisë për reformë në shëndetësi dhe shërbim falas, ndërkohë që ata janë të zënë vetëm me koncesione dhe tendera me përfitime marramendëse. Në maternitetin e Lezhës ka mjerim dhe mungesë të theksuar, me mungesë  të ilaceve dhe kushteve normale të trajtimit të pacientëve” th​a deputetja Albina Deda.

Deputetja Deda u njoh dhe me shqetësimin e largimit nga puna të një pjese të konsiderueshme të stafit mjeksor, si në maternitet dhe në shërbimin shëndetësor të Lezhës.

Çështja e  spastrimeve politike në sistemin shëndetësor në Lezhë, ku një mjek mbulon një numër të lartë pacientësh ishte dhe temë e forumit të Departamentit të Shëndetësisë me mjekët dhe ekspertë të këtij shërbimi në Lezhë. Mjekët vunë në dukje se gjatë qeverisjes së PD emërimet në shëndetësi kanë qenë të decentralizuara sipas nevojës dhe kërkesave të komunitetit. Tashmë politikat e punësimit apo largimit nga detyra  janë monopol i Beqës dhe partisë në pushtet, pra e strukturave jo kompetente dhe jo profesioniste, por korruptive e nepotike.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 7 Shkurt 2016