Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, prezantoi kandidatët për kryetarë bashkie, Fiqiri Ismailin në Vorë, Hamdi Pashën në Krujë dhe Redi Saraçin në Shijak. Z. Basha i kujtoi mazhorancës premtimet e mëdha me të cilat erdhën në pushtet në 2013-ën dhe që deri më sot nuk kanë mbajtur asnjë, përkundrazi erdhi si fatkeqësi për çdo qytetar.
“Premtuan 300 mijë vende të reja pune, premtuan uljen e çmimit të energjisë, premtuan se 97% e shqiptarëve do të paguanin më pak taksa.
Premtuan se fermerët do të paguanin çmimin e reduktuar të naftës dhe do të përfitonin subvencione për punën e tyre të lodhshme. Premtuan shëndetësi falas, legalizime falas dhe mosprishjen e asnjë objekti, sikur Enver Hoxha të ngrihej nga varri.
Braktisën një nga një premtimet e tyre dhe sot, në çdo shtëpi vepra e tyre, dora e tyre ndihet vetëm si fatkeqësi, si papunësi, si mjerim apo si burgosje e njerëzve të pafajshëm të cilëve nuk u ka lënë asnjë mundësinë për të shlyer detyrimet e tyre.
Misioni ynë më i madh, misioni më i madh i të zgjedhurve vendorë të 21 qershorit është të hapim me votën tuaj rrugëdaljen, rrugëdaljen e shpresës”.
Qytetarët në të gjithë Shqipërinë, tha zoti Basha janë bashkuar rreth ofertës së re të Partisë Demokratike sepse duan punë dhe dinjitet, duan një të ardhme më të mirë për vete dhe fëmijët e tyre.
“Vërshimi juaj këtu është padurimi për të hapur së bashku rrugën e re, rrugën e re të Shqipërisë dhe shqiptarëve, rrugën e punës, rrugën e dinjitetit për çdo krutan, për çdo shqiptar”.
- Basha theksoi se vendi ka shkuar në drejtimin e gabuar dhe të vetmit që rilindën janë qeveritarët dhe kriminelët. Qytetarët janë zhytur në varfëri dhe mjerim.
“Janë dyfishuar listat nëpër dyqane, ekonomia kërcet nën barrën e rëndë të kërbaçit dhe arbitraritetit qeveritar. Premtuan se do të ulnin çmimin e energjisë por në fakt e rritën atë dhe faturat e kripura të energjisë janë bërë shkak për varfërimin e çdo ekonomie familjare. Çfarë bëri me paratë që mori nga taksat tuaja? Sa kantiere të reja hapi? Sa vende pune hapi? Zero për besë. Kantieret e luksit, palmat, kullat e korrupsionit janë treguesit e vërtetë të kësaj qeverie”
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 6 Maj 2015