Spaho, Ristani: ”Në mënyrë të shumëanshme, me shumë makinacione po tentohet manipulimi i zgjedhjeve”.

Deputetët e Partisë Demokratike Edmond Spaho dhe Arben Ristani depozitojnë në Prokurorinë e Përgjithshme skandalin e cënimit të listave të zgjedhësve nga bashkiaku Vangjush Dako. Janë afro 2700 zgjedhës që i janë shtuar listës zgjedhore, në cënim të plotë të ligjit dhe Kodit zgjedhor. Deputeti   Spaho theksoi se justifikimi i Dakos për të shtuar zgjedhësit në 21 Qershor në emër të lëvizjes së lirë, cënon dy parimet thelbësore të procesit zgjedhor që janë  zgjedhjet e lira dhe zgjedhje të ndershme. Z. Ristani u shpreh se kjo qeveri dhe mazhorancë po tentojnë të manipulojnë zgjedhjet  në mënyrë të shumëanshme, me shumë makinacione. 

Spaho: Njoftuam Prokurorinë e Përgjithshme për skandalin e manipulimit të listave të zgjedhësve në Bashkinë e Durrësit. E njoftuam për materialin që KQZ ka përcjellë për këtë çështje në Prokurori.  Sikurse dorëzuam kallëzimin penal që Partia Demokratike ka përgatitur dhe faktet që ne disponojmë nga hetimi në lidhje me këtë çështje. Kërkuam hetim të shpejtë dhe të plotë të kësaj çështjeje për shkak të urgjencës që ka, pasi së shpejti dalin listat përfundimtare dhe afron dita e zgjedhjeve. Këta zgjedhës që janë futur në mënyrë arbitrare në lista, detyrimisht do të hiqen prej tyre dhe nuk do të votojnë në zgjedhjet e 21 Qershorit në Durrës. Kjo është kërkesa e Partisë Demokratike. Më rezulton që edhe Partia Socialiste e ka pranuar skandalin pasi në debatin që është zhvilluar në KQZ përfaqësuesi ligjor në KQZ zoti Gjonçaj ka pranuar që të hiqen këta individë nga lista të cilët nuk janë pak por 2700 deri në fund të prillit, të hiqen pra nga lista por me një proçes të rregullt ligjor. Sikurse kam mësuar se z. Denar Biba ka deklaruar se janë të papranueshme në ditët e sotme praktika të tilla, manipulimi i procesit zgjedhor. Mua më ka habitur deklarata e djeshme e Vangjush Dakos , ku thekson që ka njerëz që janë regjistruar në listat e zgjedhësve dhe në bazë të së drejtës së lëvizjes së lirë si dhe ka pretenduar që kjo është  një praktikë që ka ndodhur dhe në të shkuarën. Dua t’i them se,  kjo nuk është lëvizje e lirë por kjo është një lëvizje e shtyrë nga mbrapa, e nxitur nga njerëzit e Vangjush Dakos . Për  më tepër kjo lëvizje e lirë në thonjëza prek dy parime të rëndësishme të procesit zgjedhor të cilët janë  zgjedhje të lira dhe të ndershme pra po flasim për zgjedhje të lira dhe zgjedhje  të ndershme dhe kjo “lëvizje e lirë” e Vangjush Dakos prek këto dy parime thelbësore të procesit zgjedhor. Përsa i takon qëndrimit të tij se  kjo paska ndodhur dhe në të shkuarën , kjo logjikë më le të kuptoj se nëse Vangjush Dako vjedh, më lind edhe mua e drejta të vjedh , apo nëse Vangjush Dako shkel ligjin edhe unë paskam të drejtë të shkel ligjin, gjë që nuk qëndron dhe më shumë i ngjan filozofisë së Zhvejkut që “Ç’më duhet mua se çfarë bëj unë”. Sigurisht dorëzuam prova në prokurori, të gjitha provat që ne disponojmë për listën e plotë të 2700 personave që janë futur në listat e zgjedhësve, kontratat e qerasë që ka nënshkruar me ndërmarrjen e Plazhit në Durrës, që ka nënshkruar drejtori apo kontrata të tjera sipërmarrje të individëve ortakë të Vangjush Dakos  dhe prokuroria na siguroi që do të fillojë një proces hetimi. 

Pyetje: A persona të tjerë të përfshirë? 

Spaho: Sigurisht, ka persona të tjerë të përfshirë. Sapo  e përmenda është stafi në bashkinë e tij dhe individë të cilët mbështesin z. Dako. 

Pyetje:  Z. Dako ka deklaruar se nuk ju njeh. Keni një përgjigje ndaj  kësaj deklarate? 

Spaho: Dhe unë e ngatërroj shpesh z. Dako me Zahon. 

Pyetje:  Z. Ristani, Partia Demokratike i ka bërë thirrje prokurorisë të hetojë mbi përgjimet e kryeministrit Rama në takimin me strukturat në Shkodër. 

Ristani: Partia Demokratike po konstaton që në mënyrë të shumëanshme me shumë makinacione po tentohet manipulimi i zgjedhjeve. Kryerilindjoti dhe kryerilindjotët po mundohen të bëjnë çdo gjë që të fallsifikojnë procesin elektoral  dhe të mundohen të fitojnë zgjedhjet në tavolinë pa zgjedhje të lira dhe të ndershme siç u shpreh z. Spaho. 

Pyetje:  Ç’bëhet me padinë që keni depozituar ndaj ministrit Tahiri? Keni patur rezultate? 

Ristani: Po presim që Prokuroria të konkludojë në lidhje me kallëzimin që ne kemi bërë. Sigurisht që janë hetime komplekse që ndoshta  Prokuroria do kohën e saj por  sigurisht sa më shpejt se një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar kështu që unë besoj se do të nxitojnë për të mbyllur çështjen.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 7  Maj 2015