Kandidati për kryetar Bashkie Halim Kosova, takohet me banorë të zonave të ndryshme të kryeqytetit të cilët ankohen për çmimet e rritura, papunësinë e varfërinë.

Kandidati i Partisë Demokratike, Halim Kosova iu drejtua disa zonave të kryeqytetit në turin e takimeve dhe dëgjesave me qytetarët. Njësia bashkiake numër 9 dhe 5 si dhe zona e Kodrës së Priftit ndanin të njëjtat shqetësime për papunësinë, varfërinë, çmimet e rritura.

“Unë kam 2 muaj pa drita, m’i kanë prerë, kam bërë aplikimin dhe nuk po më vijnë”, shprehet qytetarja e njësisë bashkiake numër 9.

“Kam dy vite që jam jam kthyer, por është një zgjënjim i vërtetë”, shton një tjetër qytetar.

Të zhgënjyer janë edhe një grup pensionistësh të njësisë 5 në Tiranë.

“Nëqoftëse ka mundësi, ju lutem të shikoni formën e re të shpërndarjes së pensioneve, trajtohen pensionistët si të jenë bagëti”.

Kandidati Kosova u zotua se do të marrë përgjegjësi,  për t’iu dhënë një zgjidhje përfundimtare shqetësimeve të qytetarëve, aty ku është e mundur.

“Puna është marrë me përgjegjësi, mos t’i ikim halleve, ky është i gjithë sekreti”

“Njerëzit ankohen nga papunësia, rritja e energjisë elektrike, rritja e taksave, e kostove të shkollimit, po ta marrësh pak më thjesht, lekët e pakta që ata kanë në xhep, janë pakësuar edhe më shumë”, shprehet Halim Kosova.

Kandidati për kryebashkiak vizitoi edhe Kodrën e Priftit, ku banorët u ankuan për faturat e larta të energjisë elektrike, rritjen e çmimeve, papunësinë dhe varfërinë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 9  Maj 2015