PRAPË PREMTIME, PRAPË MASHTRIME

Sot Erion Veliaj po premton përsëri vëmendje ndaj personave me aftësi të kufizuara. Erioni në 2014-ën deklaroi se nëse shkelet vetëm një e drejtë e personave me aftësi të kufizuar ai do të jepte dorëheqjen menjëherë. Por sot, jemi këtu për të demaskuar mashtrimet e Erionit.

Në vetëm një vit në 2014-ën plotë 5153 personave me aftësi të kufizuar, Erioni iu ka mohuar të drejtën e pagesës së invaliditetit dhe më shumë se gjysma e tyre ishin përfitues të mbi 10 viteve në këtë skemë.

Vetë në Tiranë Erioni ka larguar nga skema e invaliditetit mbi 520 përfitues dhe më shumë se gjysma e tyre e gëzonin pagesën e invaliditetit prej më shumë se 10 viteve.

Ngjashëm ai premtoi në 2013-ën se legalizimet do të ishin falas për personat me aftësi të kufizuar, se çmimi i energjisë elektrike do të ulej dhe ai do t’i kompensonte ato plotësisht. Por të gjitha këto premtime rezultuan mashtrime.

Po për këto mashtrime të Erionit, kush e ka fajin? Personat me aftësi të kufizuar po përballen me vështirësi të shumta dhe nuk i pranojnë më premtimet boshe të Erion Veliajt pasi në 2 vite në pushtet ai nuk mbajti asnjë premtim por vetëm mashtroi. Ngjashëm ai premtoi përmirësim të legjislacionit të personave me aftësi të kufizuar gjë që do të rezultonte në përmirësim të kushteve dhe të jetesës së tyre.

Por sot pas 2 vitesh në Ministrinë e Mirëqënies jo vetëm që nuk ka asnjë përmirësim të legjislacionit, por përkundrazi legjislacioni është pjesërisht i përkeqësuar dhe pjesa më e madhe është e pezulluar gjë që rrjedhimisht rezulton në përfitime të pezulluara për shumicën e personave me aftësi të kufizuar.

Erioni prapë premton vetëm për të marrë pushtet dhe ai nuk e ka problem të mashtrojë sërish qytetarët sapo ai ta ketë përsëri pushtetin. Ne çdo ditë do të jemi këtu për ti kujtuar Erionit nga një premtim të thyer dhe nga një tjetër mashtrim sepse votuesit nuk do të mashtrohen më prej tij.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 16  Maj 2015