Me parimin një anëtar një votë të rinjtë demokratë anembanë vendit do të zgjedhin drejtuesit e tyre vendorë. Gara nisi në Tiranë në degën numër 5 për t’u shtrirë në 53 degë të FRPD-së, në të gjithë Shqipërinë. Në nisje të kësaj gare, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka risjellë në vëmendje domosdoshmërine e zgjedhjeve të lira, votës së lirë dhe respektimit të çdo vote, si në garën brenda partisë ashtu edhe në garat ndërpartiake.Ky është çelësi i suksesit të shoqërive të përparuara, tha Basha.
“Le ta dijë i madh e i vogël se të rinjtë dhe të rejat demokratë janë mbledhur në këtë sallë sikundër mblidhen e do të mblidhen në salla të tjera në Tiranë e anembanë Shqipërisë jo për emra por për vlera, jo për pazare por për besim, jo për të kërkuar por për të dhënë më të mirën që Shqipëria të ecë përpara.
Dhe për këtë, ne kemi zgjedhur një model që qëndron në themel të identitetit tonë si demokratë, të identitetit tuaj si rinia demokrate. Ky është modeli i zgjedhjes. I zgjedhjes së vërtetë dhe jo të trukuar, i zgjedhjes së lirë dhe jo të diktuar, i zgjedhjes mes vlerave dhe jo mes antivlerave, i votës individuale të çdo anëtari.
Ky model, padyshim çelësi i shoqërive të përparuara tash 200 vjet, është modeli i Partisë Demokratike, është modeli i Forumit Rinor Demokrat sepse për njeriun e lirë nuk ka liri më të madhe se liria për të zgjedhur”, tha Basha.
Me votën dhe zgjedhjet është abuzuar dhe abuzohet çdo ditë në këtë vend, theksoi lideri i opozitës duke sjellë në vëmendje mashtrimin e bërë nga mazhoranca e sotme në zgjedhjet e 2013-ës. Premtimet e dhëna janë dëshmuar jo vetëm mashtrime por situata ekonomike, sociale e sigurisë po shkon keq e më keq. E pasi s’kanë mbajtur asnjë premtim por vetëm në një vit ka vjedhur 1.1 miliardë euro, tashmë Edi Rama kërkon të eleminojë çdo zgjedhje të lirë në këtë vend, siç u faktua dhe me zgjedhjet e 2015-së, e siç po e fakton dhe në zgjedhjet brenda partisë së tij, tha zoti Basha.
“Sot Shqipëria vuan, vuan sepse kjo klikë dëshiron të eleminojë përfundimisht zgjedhjen si atribut i njeriut të lirë për ndryshim, si parakusht për të ndryshuar për të mirë. Do ta zëvëndësojë atë me pseudozgjedhje dhe e ka nisur brenda shtëpisë, e ka nisur duke iu imponuar socialistëve e më pas publikut të gjërë dhe votuesve shqiptarë zgjedhjen jo mes më të mirëve por mes më të nxirëve.
Mendoni se si ndihen në shtëpinë e tyre politike sot kundërshtarët tanë historikë, socialistët shqiptarë ku në vend që të zgjedhin midis një profesori dhe një artisti, midis një inxhinieri apo një mjeku duhet të zgjedhin midis trafikantit të drogës dhe tutorit të prostitucionit.
Po pse i duhet Edi Ramës të shpërtytyrojë e deformojë kështu fizionominë e një familje, të një partie politike? Sepse zgjedhja e lirë e tremb! Sepse zgjedhja e lirë nuk është vetëm liri është përgjegjësi! Sepse zgjedhja e lirë është llogari dhe sepse llogaritë dhe bilancin i ka ku thërret qameti, brenda shtëpisë së tij politike dhe në raport me qytetarët e tij. Kjo është arsyeja se pse prishi edhe procesin e vetëm zgjedhor që iu besua në këto vite atë të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. E prishi sepse meraku i tij ishte të tregonte në letra se 1 milionë shuplakat i kishte akoma në xhep dhe për këtë arsye krijoi një hartë territoriale falso. Investoi paratë e korrupsionit dhe krimit në një fushatë që tjetërsoi vullnetin e zgjedhësve dhe kandidoi në kundërshtim me këshillat, kërkesat dhe ultimatumin e partnerëve tanë strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kandidatë me të shkuar kriminale në plot 8 bashki të vendit.
Dhe sot po e shikoni se çfarë po ndodh. Po bën gjithçka për të shmangur zgjedhjet në partinë e tij. Ky nuk është vizion, model europian apo perëndimor. Por është padyshim një model, një model satrapi oriental. Është modeli i frenimit të zhvillimit. Jo i lirisë por i kontrollit me çdo kusht. Është modeli i rrugës që Shqipëria nuk duhet ta marrë dhe nuk do ta marrë. Është modeli i tjetërsimit të vlerave dhe identitetit tonë si europianë dhe europianëdashës.
Padyshim që i urojmë forcë dhe kurajo në këto ditë të errëta për partinë e tyre, atyre kundërshtarëve tanë politikë anëtarë të Partisë Socialiste që do tu duhet në përballjen që kanë nisur për të ruajtur çfarë mund të ruajnë nga trupi i një organizate të nisur si parti e që tashmë është kthyer në një kazermë të kryetarit. Një gjë është e sigurtë dhe e them nga kjo sallë e vullnetit të lirë të demokratëve: se partitë që mbysin votën e lirë, se partitë që asgjesojnë vullnetin e lirë të anëtarëve janë të destinuara të zhduken nga harta e historisë politike. Ndaj për ne është parakusht që të instalohet në çdo qelizë modeli i zgjedhjeve të lira e të ndershme ne gjirin e familjes tonë politike, të Partisë Demokratike ku e nisëm me një anëtar një votë të zgjedhjes së kryetarit e vazhduam me zgjedhjet për kryetarët e degëve, zgjedhjet për kryetarin e Forumit Rinor e tashmë zgjedhjet për kryetarë të degëve kudo në Shqipëri. Zgjedhje të lira, të vërteta e demokratike ku vullneti juaj duhet të shprehet lirisht pa iu mbajtur dora askujt. Pa u sufluar asnjë prej jush duke ndjerë në çdo qelizë lirinë që keni për të vendosur me votë të lirë si demokratë”, tha Basha.
Beteja për votën e lirë është një betejë jetike, tha zoti Basha për të sotmen dhe të ardhmen e vendit duke garantuar se demokratët janë të gatshëm të ndërmarrin çdo sfidë për t’u garantuar qytetarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme. E në këtë betejë mision të veçantë ka dhe Korpusi Rinor “Azem Hajdari”.
“Një përshëndetje të veçantë dua t’i drejtoj anëtarëve të Korpusit Rinor “Azem Hajdari” dhe t’i siguroj se kanë jo vetëm mbështetjen, respektin dhe admirimin tim dhe të demokratëve anembanë por kanë po kështu edhe bekimin tonë në misionin e marrë përsipër për shenjtërinë e votës dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ky është modeli dhe këtë model do tu vëmë përballë; modelin e zgjedhjes së lirë, modelin e përballjes me vlerat më të mira që kemi, modelin që do të shembë këtë oligarki, këtë klikë mafioze që ka marrë përkohësisht në dorë fatet e vendit.
Ne do ta ndryshojmë Shqipërinë, duke u dhënë shqiptarëve një herë e përgjithmonë të drejtën demokratike për të zgjedhur me votë, për të zgjedhur mes partive politike, për të zgjedhur mes programeve politike. Nuk do të pranojmë kurrë kultin e errët të pseudozgjedhjeve, të alternativave të zeza nga të dyja anët që takohen në darkë si Bidai e zihen në mëngjes për të ushqyer me spektaklin e kotësive të tyre një publik të kequshqyer nga qeverisja e tyre, të shpunësuar nga korrupsioni i tyre dhe të frikësuar deri në palcë nga krimi i lidhur me ta. Nuk do ta pranojmë. Do ta rrëzojmë së bashku me shqiptarët, së bashku me demokratët e me në krye me forumin Rinor të Partisë Demokratike.
Le ta nisim duke iu besuar më të mirëve sonte këtu në këtë sallë e më pas anembanë Shqipërisë. Urime dhe suksese!”-përfundoi përshëndetjen e tij kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 7 Shkurt 2016