Kryetari i Kuvendit Ilir Meta e shndërroi sot foltoren e institucionit më të rëndësishëm në vend në një frëngji të sulmit banal e të papranueshëm ndaj opozitës.

Fyerjet e z.Meta ndaj zonjës Jozefina Topalli, janë shenjë e degjenerimit të plotë dhe te agonisë ku gjendet sot kjo mazhorancë, dyshja Rama – Meta, në prag të votës së 21 qershorit.

Ilir Meta është i fundit në këtë parlament që duhet të ketë kurajën për të bërë ofendime të ulëta, pasi ai vjen nga një akuzë publike për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, akuza që erdhi nga vetë radhët e mazhorancës së tij.

Ilir Meta duhet të jetë i fundit të ketë kurajën të përbaltë parlamentin, pasi ai vjen nga një proces i manipuluar me forcën e pushtetit të tij dhe të kryeministrit, për të mbyllur e për të mos lejuar zbardhjen e akuzës më të rëndë të bërë në këto 25 vite.

Koha e kësaj dysheje që dhunon parlamentin e opozitën, po vjen drejt fundit. Ata mund ti shpëtojnë organeve të drejtësisë, por jo drejtësisë së popullit. Ora po vjen, 21 qershori po afron.


Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani, 21 Maj 2015