Përshëndetje miq 

Privilegj që jam sot në këtë salle,
 
Kam shprehur publikisht gadishmerine, për të marrë përsipër detyren e nderuar, por dhe me shume sfida të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Asnjë arsye e lidhur me interesa personale nuk më ka shtyrë për këtë. E vetma arsyje është dëshira, që në fakt është obligim i çdo qyetetari, për t’u shërbyer bashkeqyetetareve të tij. Tirana është qyteti në të cilin linda, jetoj dhe u formova moralisht e profesionalisht, siç ju të gjithë më njihni sot.
Unë po garoj, sepse kam bindjen që do mund t’u shërbej ju më shumë e më mirë se çdo kushdo tjetër që ka shprehur të njëjtën dëshirë. Po garoj sepse i kam të qarta objektivat, problemet që duhen zgjidhur, nevojat që duhen plotësuar ëndrrat që duhen ndjekur e realizuar në kryeqytetin tonë të dashur.
Po garoj, sepse e dua sinqerisht këtë qytet dhe akoma më shumë dua të mirën e banorëve të tij. Këtë besoj se e kam dëshmuar me punë në veprimtarinë time të deritashme.
Konkretisht dua të përmirësoj higjienën në qytetin tonë si dhe të përmirësoj frymëmarrjen e tij.
Dua të përmiresoj edukimin e fëmijëve dhe të ofroj më shumë mundësi për sport dhe kënde lodjrash për ta.  
Dua të ndërtoj më shumë rrugë e të rregulloj trotuaret tona.
Dua të marr në mbrojtje e të ndihmoj nga afër njerëzit e varfër,  ata më të pafuqishmit dhe të mënjanuarit në shoqeri, ata më në nevoje si: femijët jetime, komunitetin rom, egjyptian e pakica të tjera të margjinalizuara.
Dua të punësoj të papunët, të shkurtoj taksat duke lehtesuar familjet dhe bisneset, nga barra e rëndë e tyre.
Dua të bëj sa thashë më sipër si dhe shumë punë të tjera.
Të gjithë bashkë jemi të lodhur nga disa politikanë që dinë vetëm të fajësojnë njeri-tjetrin dhe nuk marrin kurrë përgjegjësi mbi vehte. Ka ardhur koha për të marrë përgjegjësi e për t’i dhënë zgjidhje problemeve. Në këtë qyetet, ka lindur dëshira për t’i thënë mjaft edhe mjaftisteve e majtisteve apo dhe djathtistëve  të shtirur.
Ka qënë zgjedhja ime që ditën e parë të punës sime, që të mos fus kurrë dorën në xhepin e askujt, por çdo arritje në jetë ta kem me pune dhe dinjitet. Kjo rrugë është vërtet më e lodhshme por të shijon më shumë dhe të rrethon ngado me mirënjohje të pafund.
Ka qënë zgjedhja ime që të marr përgjegjësi e të drejtoj një sistem të komplikuar, duke u ardhur në ndihmë qytetarëve, që të marrin shërbimin e merituar pa pasur nevojë që ta blejnë atë.
Duhet të dini miqtë e mi, se çdo qytetar e ka gjetur hapur derën tek unë, ka gjetur hapur telefonin tim në çdo kohë, për t’i shërbyer në më të mirën e mundshme. Kjo derë ka qënë e mbyllur për këdo që donte të përfitonte, donte të pasurohej në kurrizin tuaj.
Jam i ashpër për interesat e publikut. Negocioj deri në fund për interesat e tij. Kam kursyer nga çdo tender, dhe çfarë ka mbetur i është kthyer sërish publikut. Kam tolerancë zero për atë që vjedh. Nuk ka shanse askush të jetë me mua, nëse dëmton qytetarin, nëse i kërkon diçka në këmbim të shërbimit. 
Ky jam unë, nuk di të mbaj fjalime të gjata, të zhytem në replika, të kacavirrem pas fjalëve, të udhëheq militantët. Oferta ime është; integritet, ndershmëri e transparencë, punë pa ndalim, shërbim ndaj secilit qytetar të Tiranës.
Si kryetar bashkie, ju garatoj se do jem edhe më i devotshëm për të perligjur besimin tuaj.
Më lejoni t’u them atë cfarë kam bërë me një staf të mrekullueshem kur menaxhoja te dy maternitetet e Tiranës.  Situatën e vlerësoja në vazhdimesi duke qënë pranë pacientëve ditë e natë, duke parë nga afër dhe marrë masat e duhura për ato që ata kishin nevoje. Përmiresimet i bëmë duke vënë nën kontroll rigoroz buxhetin si dhe duke eliminuar mashtrimin, rryshfetin dhe abuzimin. Gjithashtu realizuam tenderime për medikamente dhe materiale mjekësore me një kosto 30% më të ulët se me parë për të njëjtat nevoja.
Masë tjetër ishte dhe ndalimi i nepotizmit, hatrit dhe tarafeve në sistemin e punësimit. Kriteri udhëheqës u bë meritokracia  duke punësuar vetëm në bazë të meritave apo arritjeve dhe jo në baze të lidhjeve, favorizimeve apo dhe ndërhyrjeve nga lart.
Së fundmi, vendosëm së bashku me stafin objektiva, krijuam standarte dhe zbatuam tolerance 0 ndaj korrupsinit. Të njëjtat principe ju siguroj se do të zbatoj edhe si Kryetar i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës.
Edhe si ish-Ministër i Shëndetësisë ndonëse në një kohë të kufizuar, qe e mundur të realizonim një sërë përmirësimesh:
Anullimin e kontratave që ishin në dëm të pacientit duke shmangur një dëm ekonomik prej 31 milionë lekësh. Transparencë në tenderat për medikamente dhe material mjekësor, duke shmangur një dëm ekonomik prej 79 milion lekësh.
U kryen procedura prokurimi të 10 milionë eurove me  transparencë duke kursyer 20% të fondeve të cilat u përdoren për nevoja të tjera të sistemit.
U vendos komunikimi me pacientin dhe qytetarin nëpërmjet numrit falas për çdo ankesë apo sugjerim që kishin për shërbimin e ofruar.
Rikonsruksion i plote i shërbimit të kirurgjisë së përgjithshme pranë QSUT “Nene Tereza” në Tiranë. Si dhe urgjencen në spitalin e Fierit, e shumë ndërhyrje të tjera.
Si Ministër Shëndetesie, i jam mbajtur parimit të drejtimit jo me frymë komandimi dhe projektim të fajeve tek të tjeret apo tek mangësite e gjetura, por tek analiza objektive e problemeve, si dhe  vizioni për zgjidhjen e tyre. Të njëjtat parime do më udhëheqin edhe si Kryetar Bashkie, sepse, kjo në fakt është ajo që ju meritoni.
Bashkëpunëtorët e mi nuk kanë qënë njerëzit më të lumtur në qytet, se ata nuk kanë pasur punë të lehtë, për plotësimin e detyrave duhet të jepnin imtësisht llogari. Askush nuk mund të shfajësohet kur bëhet pengese për shërbimin ndaj qytetarit. Nuk ka vend për abuzime.
Nuk jam në këtë garë për të bërë karrierë politike. Unë do të jem  kryetari i Bashkisë së vijave të bardha, kur ato janë fshirë nga konsumi, kryetari i Bashkisë së ndriçimit të rrugës për shkak të poçit të thyer, kryetari i Bashkisë së pusetës që mungon, i trotuarit të dëmtuar, i koshit të mbeturinave pothuajse i rrënuar.
Dua të jem kryetar Bashkie që ndihmon biznesin e vogël, duke ulur taksat, që ai të rritet e të krijojë më shumë vende pune. Të gjendem në krah të të rinjve për ti mbështetur ata me grante e me hapësira të ndryshme punësimi.
Të siguroj tregje për fermat e shumta që Tirana ka sot përreth, që banorët e fshatrave të shtojnë më shumë prodhimin e tyre, por që dhe konsumatorët të paguajnë më pak për to.   
Dua të jem kryetar Bashkie i një qyteti të pastër, të shëndetshëm, me lulishte, me pemë dhe parqe kudo ku është e mundur.
Lulzim Basha në 4 vjet, ka bërë disa ndryshime në jetën reale të njerezve. 50.000 familje më shumë sot kanë ujë të pishëm, çdo çerdhe, kopsht dhe pothuaj të gjitha shkollat kanë sistem ngrohje dhe Tirana sot ka më shume parqe, semafore të rinj dhe taksa me të ulëta se më parë.
Por ne do të bëjmë më shumë.
Une do të jem Kryetari që do i sherbej të gjithëve, pa asnjë dallim. Të rinjve dhe të moshuarve. Burrave dhe grave. Ata që janë nga Tirana dhe ata që janë te ardhur këtu. Të varfërve dhe të pasurve.
Ka shumë varfëri në Tiranë, si dhe në zonat përreth. Papunësia është vrastare. Sidomos tek të rinjtë. Nuk ka gjë më të trishtë për mua se sa kur profesionistët që kanë mbaruar shkollën, kur studentët që duan të nisin jetën, kërkojnë punë me ngulm dhe s’kanë asnjë mundësi. Nuk do të ndihem rehat asnjë minutë, asnjë orë, asnjë ditë, nëse nuk do t’u jepet një mundësi të rinjve. Fëmijët e mi janë në këtë moshë. Jam i ndjeshëm për këta të rinj, si për Gentin, Livian dhe të gjithë bashkmoshatarët e tyre.
Pamundësia dhe kriza ekonomike janë prezente. Por, miqtë e mi, ne kemi një qytet të bekuar, që nuk i mungon asgjë. Klima është e mrekullueshme, toka pjellore dhe që prodhon gjithçka. Bashkia e madhe e Tiranës, tashmë është pasuruar me bukuri të jashtzakonshme natyrore si dhe me më shumë mundësi zhvillimi. Male e lugina magjepsëse për në Zallbastar, panoramë e papërsëritshme në Shëngjergj, Petrela  e hijshme në Jug, kodra te gjelbra e plot produkte si gjerdan i kryeqytetit tonë nga Baldushku, Peza, Ndroqi, Vaqarri. Edhe Mali i Dajtit, që një mik i mirë preferon ta quajë Mbreti i Tiranës. Po ashtu, Krraba, Bërzhita, e Zall-Herri, vlera të çmuara të Metropolit tonë apo Tiranës Europiane.
Por që banorët e këtyre zonave të shijojne vërtet këto bukuri, kanë akoma shumë nevoja të paplotësuara në jetën e përditshme, pavarësisht ndryshimeve të ndodhura në vite.
Unë kam besim se qytetarët e Tiranës do të zgjedhin kandidatin me te mire për veten e tyre, për familjen e tyre, për lagjen apo fshatin e tyre, si dhe per të ardhmen e qytetit tonë.
Do të zgjedhin për punë dhe jo llafe
Për Punë dhe jo Politikë
Për Punë dhe jo fajësim
Për Punë dhe Dinjitet
Për të gjithë JU
Për Tiranën
Faleminderit


Fjala e kandidatit të PD-së për Tiranën Halim Kosova, 21 Maj 2015