Halim Kosova bashkëbisedon me qytetarët për higjienën e Tiranës, shtimin e zonave të gjelbërta, pastrimin e ajrit dhe çështjen e ujit të pishëm.
Ne kemi programuar që për 5 ditë me radhë të diskutojmë me ju problemet dhe t’iu paraqesim 5 prioritetet kryesore që janë:
1- Tirana e Gjelbër dhe e Pastër
2- Arsimi dhe cilësia e tij
3- Trotuaret dhe transporti
4- Si të ulim taksat për familjet dhe biznesin
5- Çfarë do të bëjmë ne për shtresat në nevojë
Si do të bëhet menaxhimi i mbetjeve të Tiranës, si do të përmirësohet cilësia e ajrit ku ka zona që janë shumë të ndotura siç është 21 Dhjetori, si do të përmirësojmë cilësinë e ujit të pijshëm, gjithashtu ne do të punojmë më shumë dhe përsa i takon sigurisë ushqimore dhe ne do të paraqesim një program të detajuar si do të shtojmë më shumë hapsirat e gjelbërta. Për të gjitha këto janë marrë dhe masat përkatëse se çfarë do të bëjë bashkia e ardhëshme nën drejtimin tim. Kemi përllogaritur që në landfillin e Sharrës të ketë një investim prej 23.7 milion euro në mënyrë që mbeturinat e hedhura në këtë zonë të mos kthehen në një burim infeksioni si të ajrit ashtu edhe të ujit të pishëm. Ne kemi menduar që pastrimin e ajrit ta rregullojmë në masën 20% gjatë katër viteve të ardhshme. Kemi menduar që të ketë rreth 30 mijë pemë të mbjellura në Tiranë, të ketë rreth 2 milion pemë të mbjellura në gjithë kurorën përreth Tiranën, të pyllëzohen rreth 100 hektarë tokë në Farkë e cila është pjesë e Tiranës. Gjithashtu do ti ofrojmë qytetarëve rreth 4500 kazanë modernë për grulbullimin e plehrave dhe 1000 kosha në të gjithë qytetin. Tiranës është parashkikuar t’i vihen në dispozicion për pastrimin e ajrit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës edhe 400 mijë m2 lulishte brenda qytetit. Të gjitha këto masa dhe shumë të tjera, do të jenë objektivat e mia për të bërë më të mirën në qytetin tonë. Një nga prioritetet e mia është që të gjitha përmirësimet që do bëhen në këto drejtime, do të jenë të prekshme, në dispozicion të çdo banori të qytetit të Tiranës kudo ku jeton. Do të kenë shërbim të barabartë dhe do të kenë dorën e Bashkisë në jetën e tyre të përditshme.
Pyetje: Përshëndetje z.Halim Kosova, kam ardhur rastësisht po shkoja në fakt në punë, pashë njerëzit, pieta, kuptova dhe dje në televizor pashë një slogan tuajin që më dha arsyen që të merrja këtë mikrofon. Ju jeni shprehur se do të jeni i ashpër me korrupsionin.
Halim Kosova: Një nga sekretet e punës time është kontrolli hap pas hapi i çdo lloj kontrate, dhe kjo ka qënë parandalimi më i mirë i mungesës së shërbimit për qytetarët. Një tjetër element është bashkëpunimi i ngushtë që do të kem me qytetarët dhe banorët e Tiranës, ashtu sikurse bëra edhe si drejtor spitali e Ministër Shëndetësie. Ky do të jetë çelësi i suksesit që ne të kapim në kohë problemet, t’i japim zgjidhjen e duhur, por më e rëndësishmja, bashkarisht ti mbikëqyrim.
Megjithëse zgjedhjet e 23 qershorit ishin bërë, kam qëndruar deri ditën e fundit si Ministër, deri në orën 6 pasdite në zyrë duke kërkuar llogari një më një, e duke marrë masa pë rata që kishin abuzuar. Shumë miqtë e mi më thonin çfarë bën ore, je në vete? Eshtë ndërgjegjia ime qytetare, nuk mund të fle rehat kur shoh një abuzim, kur shof një vjedhje, kur shoh një që e fut dorën në lekët e popullit, e qytetarëve, këtë nuk e fal.
Pyetje: Kam një problem, që është ai i ujit. Ka shumë përmirësime në këto 4 vitet e fundit, por dëgjoj palën kundërshtare që thotë se do rrisë tarifën e ujit, më lind pyetja, çfarë mendon doktor për këtë problem? E dyta, përsa i përket depozitave të ujit të vendosura në tarracat e pallateve, keni menduar ndonjë projekt konkret për ta ndryshuar këtë situatë?
Halim Kosova: E para që prek ty dhe të gjithëve ju, tarifat, kam rastin sot të deklaroj, që në drejtimin e ardhshëm të BT, nuk do të ketë ngritje të çmimit të ujit. E dyta, duhet dhe ta kesh ujin. Kemi filluar punën, për ti siguruar Tiranës ujin e rrjedhshëm për 24 orë. Kam shkuar në Shën Gjergj dhe në Shën Mëri, kam vizituar depot e ujit, kam folur dhe dëgjuar banorët të cilët thonë, që këtu jo vetëm që janë depozitat e mëdhaja në gjendje të furnizojnë Tiranën më ujë të pijshëm, të një cilësie jashtëzakonisht të mirë, por ka dhe liqen që ne mund ta shfrytëzojmë për vaditje dhe të mos kemi asnjë problem. Kjo do të thotë që rezervat e ujit janë shumë të mëdhaja dhe nuk justifikojnë depozitat në tarracat e pallateve, të cilat për më tepër janë burim ndotje të ujit që rrjedh në rubinet, dhe ne kemi filluar të bëjmë planifikimin se si Tirana të ketë ujë 24 orë, duke mbledhur rreth vetes, ekspertët më të mirë të kësaj fushe. Ky është një problem i vjetër, që nuk gjeti zgjidhje as për 11 vjet përpara këtyre katër viteve, por që ne do ti futemi punës seriozisht për të përballur problemet, duke filluar që nga kanalizimet, tubacionet dhe burimet që do të furnizojnë qytetin me ujë. Në momentin që do të kem një program të qartë, një përllogaritje të saktë, do të dal përpara jush dhe ajo që do të them me afate dhe data, do të jetë ashtu siç do ta them, pa lëvizur nga ajo, asnjë pikë.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 22 Maj 2015