Faktet tronditëse të publikuara sonte nga emisioni investigativ, Ca thu, në Agon Channel, nxjerrin në pah mekanizmin kriminal të vënë në lëvizje për të manipuluar zgjedhjet e 21 qershorit.

Në këto pamje që shihni në ekran, të sapotransmetuara nga Agon Channel, duket qartë se kemi të bëjmë me një bandë të mirëorganizuar që falsifikon kartat e identitetit të cilat janë planifikuar të shpërndahen e të kthehen në vota.

A ka dijeni Edi Rama dhe Ilir Meta për prodhimin në seri të këtyre kartave dhe a po dalin ato në treg sipas nevojave të tyre elektorale?

Kush ka sot nevojë për vota në Shkodër? Kush kërcënon nga foltorja e parlamentit se me 21 qershor do ta shohim rezultatin në Shkodër?

A kanë përgjegjësi Edi Rama kryeministër dhe Ilir Meta kryetar parlamenti për këtë aktivitet kriminal që ndodh në prag të zgjedhjeve?

Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për këtë skemë kriminale të falsifikimit të dokumentave të identitetit, e të çojë deri në fund zbardhjen e mekanizmit për të zbuluar kokën e këtij trafikimi skandaloz në prag të zgjedhjeve.

Partia Demokratike i bën thirrje partnerëve ndërkombëtarë dhe vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, të shtojnë monitorimin përballë këtyre fakteve flagrante të cënimit të standarteve të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Partia Demokratike paralajmëron dyshen Rama-Meta të mbajnë duart larg votës se sovranit, pasi prekja e votës do të sjellë pasojat më të rënda për ta.


Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, 25 Maj 2015