Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova u takua dhe pa nga afër kushtet e jetesës së banorëve të komunitetit egjiptian në zonën e Njësisë 4 në Tiranë. Kosova u angazhua që Bashkia do të mbajë detyrimet e saj për çdo banor të qytetit.

“Desha asistencë, jam me dy fëmijë me të meta mendore edhe ato një herë na i vendosin një herë jo. I heqin. Edhe asistencën na e kanë hequr, edhe drita na kanë sjellë nga 30 milionë lekë. Me çfarë do t’i paguajmë ato drita ne?”, shprehet një banore.

“Varfëria ekstreme, ku njeriu çohet në mëngjes ose shtrihet për të fjetur dhe nuk ka çfarë ti japë fëmijëve për të ngrënë, jam i sigurtë që është një terren i përshtatshëm nga parti ose politikanë të caktuar për të blerë votën. Puna e parë, nuk duhet të guxojë asnjë njeri që të vendosë dorë te lekët e shtresës më të varfër që ekziston në vendin tonë, siç jeni ju. Bashkia ka detyrimet e veta karshi çdo qytetari në gjithë territorin e saj dhe unë jam angazhuar që çdo banor duhet të gëzojë të njëjta të drejta në qytetin e Tiranës. Bashkia ka menduar të ngrejë një zyrë juridike që do të jetë përkrah meje, në mënyrë që të mbledhë të gjithë problemet e qytetarëve dhe ekspertët, juristët e kësaj zyre të bashkisë do të gjëmojnë dhe do të vrapojnë për të zgjidhur problemet që keni ju. Pra filloni, përgatituni midis jush që për këtë lagjen këtu të keni një zë të fortë. Kur them një zë të fortë, jo një njeri. Po bëhuni disa burra dhe disa gra me kurajo që mblidhni dhe mendime të të tjerëve, që t’iu kem përkrah, pra për të zgjidhur dhe për të mbajtur nën kontroll që ato që do nis unë nga bashkia, t’iu vinë ju, t’iu përkthehen ju në të mirë apo jo”, tha Halim Kosova.

“Familja ime ka qënë në operim dhe shpëtimin e asaj familje, nuses time dhe fëmijes time, foshnjës time ka qënë Halim Kosova që ka bërë të mundur jetesën e të dy palëve. Faleminderit z.Halim Kosova”, shprehet një banor.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 26  Maj 2015