Kandidati për kryebashkiak, Halim Kosova, premton më shumë qendra sociale në Tiranë, dhe një në çdo komunë, ku do të ofrohet shërbim falas për shtresat në nevojë. Do të rriten me 50% banesat sociale dhe bonusi për strehimin do rritet me 30% 

Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, prezantoi sot programin e tij për shtresat në nevojë, në qendrën sociale të Laprakës, në prani të shumë qytetarëve që përfitojnë shërbime aty. Kosova theksoi se shtresat në nevojë do të jenë prioritet i punës së tij dhe se ai do të shtojë numrin e qendrave sociale e do të përmirësojë shërbimin. Gjithashtu Kosova premtoi se do të vendosë në Tiranë mensa për ushqim falas, por ai siguroi se personat në nevojë do trajtohen me dinjitet, me ushqim bio të fshatrave të Tiranës, dhe nuk do trajtohen me lëmoshë nga tepricat e marketeve apo restoranteve.

“Ajo që ne mendojmë në Bashkinë e ardhshme të Tiranës, është që sa më pranë jush shërbime sociale dhe pa vonesa njerëzve në nevojë të cilës ju i përkisni. Në qytet do të ketë dy qendra sociale pranë zonave më në nevojë dhe tre qendra sociale multidisiplinore. Gjithashtu, në çdo komunë do ketë një qendër sociale sepse varfëria e ka kapur vendin cep më cep, nuk është se është vetëm në një lagjie, në dy lagjie, po është në çdo cep të Tiranës të cilën unë e kam prekur, e kam parë”, tha Kosova.

Duke shpjeguar më tej programin e tij, kandidati për kryebashkiak tha se:

“E para që ne kemi ndërmend është krijimi i kushteve për riintegrimin në tregun e punës dhe në jetën sociale të personave që nuk përfitojnë nga ndihma ekonomike. Ndërtim, riorganizim i qendrave sociale duke përfituar pavarësi financiare, duke i rritur shërbimet dhe nxitur integrimin e personave në nevojë në tregun e punës dhe jetën sociale të vendit. Gjithashtu kemi parashikuar ndihmë për moshën e tretë, si në shpërndarjen e ilaçeve, pagesat e faturave, nëpërmjet të rinjve vullnetarë, mbështetja në forma indirekte, si përshembull heqjen e detyrimit për tarifa të ndryshme të pushtetit vendor, tarifa e pastrimit etj, që ekzistojnë faktikisht në letër, për mbi 12.000 familje që përfitojnë nga skemat e ndihmës sociale”, tha Kosova.

“Kurrë nuk mund të gëzojë asnjë gjë në qytet kur një shtresë e madhe, një pjesë e popullësisë është në kushte varfërie ekstreme. Humanizmin që unë kam pasur për ju në sektorin shëndetësor, tani kam mundësi që ta kthej edhe në jetën e përditshme dhe këtë, me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën vendosmëri, të jeni të sigurtë që do të jem një ndër njerëzit më pranë jush”, u shpreh Kosova.

 

“Edhe ndihmën ekonomike që merrte burri, edhe atë ma hoqën. S’kam lënë zyra pa shkuar, deri në Ministri tek Erion Veliaj, nuk më ka dhënë asnjë rrugëzgjidhje. Më kanë thënë të aplikosh. Kam aplikuar, kam 12 muaj që kam aplikuar, nuk plotësoj pikët. Çfarë pikësh të plotësoj unë kur fëmija mban babain me bukë, 64 vjeç? Burrin e kam pa punë, vet pa punë. Të lutem ma mer pak fëmijën përsipër, të ma operojë doktori”, ankohet një qytetare.

Halim Kosova i siguroi personat në nevojë se shqetësimet e tyre shëndetësore do ti marrë ai përsipër dhe do të japë çdo zgjidhje të mundshme.

Programi i z.Kosova për shtresat në nevojë 

TIRANA  NJEREZORE DHE BUJARE

Një qytet nuk mund të jetë i lumtur, nëse një pjesë e tij vuan. Unë i kam në mendje vazhdimisht personat dhe familjet në nevojë. Ka qënë një nga shtysat e mia për të hyrë në këtë garë, për ti ndihmuar ata. Bashkia do të rrisë me 50 përqind banesat sociale dhe me 30% bonusin e strehimit. 2 qendra të reja sociale pranë zonave të shtresave më në nevojë të dedikuar për romët dhe egjiptianët dhe për të ndihmuar në integrimin e tyre në shoqëri. Po ashtu, në çdo komunë, nga një qendër sociale. Kam ndërmend të hap mensa me ushqim falas, dhe të reduktoj tarifat bashkiake për njerëzit në nevojë. Këto dhe plot plane e projekte të tjera. Njerëzit në nevojë janë prova e ndërgjegjës tonë qytetare. Një provë që unë kam ndërmend ta përballoj me përkushtim.

Vizioni dhe Objektiva:

  • Sa më pranë jush: shërbime sociale sa më afër fizikisht dhe pa vonesa personave në nevojë
  • Në qytet, 2 qendra sociale pranë zonave më në nevoje (komuniteti rom dhe egjiptian) dhe 3 qendra sociale multidisiplinare (personat me aftësi të kufizuar, gratë subjekt i dhunë dhe trafikimit, pensionistët)
  • Në çdo Komunë një qendër sociale, trajtim sa më uniform i të gjithë territorit
  • 4 mensa ushqimi për personat që marrin ndihmë sociale
  • Tarifa të reduktuara ose falas dhe mbështetje nga shërbimet bashkiake për grupet/individët në nevojë
  • 50% më shumë banesa sociale si dhe rritje me 30% të buxhetit të bonusit të strehimit
  • Politika e dyerve të hapura: transparencë maksimale në procesin e përzgjedhjes së përfituesve për procesin e strehimit ku përfaqësues nga të përdjekurit, gratë kryefamiljare, komuniteti rom, etj do të jenë pjesë e vlerësimit
  • Një qytet me një infrastrukturë sa më të përshtatur për personat me aftësi të kufizuara
  • Mundësi punësimi dhe integrimi për grupet vulnerabël;
  • 2-fishim i varrezave të Tiranës: dinjitet për familjet, të vdekurit dhe besimin e gjithkujt.

 Projekte dhe masa:

  • Ngritja e një fondi të posaçëm për të blerë një pjesë të apartamenteve të pashitura, duke mundësuar kështu rritjen e banesave sociale dhe shpërndarë sa më parë ato ekzistuese
  • Krijimi i kushteve për riintegrimin në tregun e punës dhe në jetën sociale të personave që nuk përfitojnë nga ndihma ekonomike, nëpërmjet skemave të veçanta të shpërblimit të angazhimit në komunitet
  • Ndërtimi/riorganizmi i Qendrave Sociale sipas modelit të biznesit social duke fituar pavarësi financiare, rritur shërbimet dhe nxitur integrimin e personave në nevojë në tregun e punës dhe jetën sociale
  • Një vëmendje e veçantë për moshën e tretë duke i ndihmuar dhe në të përditshmen si në shpërndarjen e ilaçeve apo pagesat e faturave nëpërmjet të rinjsh vullnetarë të angazhuar në komunitet
  • Institucione publike të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuar, po kështu synohen mjediset shkollore, sportive, qëndrat tregtare/kulturore, përfshi këtu rrugë me aparate sonore për të verbërit
  • Info-point administrativ dedikuar personave me aftësi të kufizuara, partneritete-publike-private me firmat që i punësojnë ose u shërbejnë, vend-parkingje të rezervuara dhe financim për mësuesit specialë
  • Stafet dhe zyrat bashkiake do të ofrojnë shërbime sociale të dedikuara në familje duke rritur me 10-15% në vit numrin e familjeve që përfitojnë nga shërbimet e ofruara nga Bashkia e re Tiranë
  • Rikonstruksion i plotë i varrezave ekzistuese në sektorin Sharrë, si dhe dialog me komunitetet fetare për krijimin e varrezave murale duke u mundësuar çdo komuniteti këtë gjë në respekt të praktikave të tij
  • Shërbime nga qëndrat sociale multidisiplinore/profesionale për fëmijët me aftësi të kufizuara; gratë dhe vajzat e dhunuara; të rinjtë me varësi nga droga; të prekurit me HIV dhe kategoritë e tjera në nevojë
  • Tarifa falas ose të diferencuara për grupet vulnerabël PAK ose rome, egjiptiane, fëmijët me probleme apo gra të dhunuara (p.sh. në çerdhe, aktivitete kulturore, transport etj)
  • Mensa sociale të drejtuara nga Bashkia për personat dhe familjet në nevojë, duke angazhuar vullnetarisht dhe të rinjtë apo aktivistë dhe persona në pension që kanë të dëshirë të kontribuojnë për komunitetin
  • Mbështetje në forma indirekte si përshembull heqjen e detyrimit për tarifat e ndryshme të pushtetit vendor (tarifat e pastrimit etj.) për mbi 12 mijë familje që përfitojnë nga skemat e ndihmës sociale
  • Ndërgjegjësim të komunitetit mbi grupet vulnerabël duke u dhënë hapësirë në protokollet dhe në eventet zyrtare të Bashkisë, për të promovuar historitë e suksesit dhe luftuar përjashtimin e tyre në të përditshmen.

    Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 26  Maj 2015