Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë Kavajë Engjëll Cara, paraqiti programin e tij para përfaqësuesve të biznesit të vogël dhe të mesëm.
Sipërmarrësit shprehën dy probleme:
- Taksat mbytëse mbi tatim-fitimin
- Monopolizimi i tregut në përgjithësi dhe i ndërtimit në veçanti.
“Paguajmë 50% taksë mbi tatim-fitimin”, – tha një sipërmarrës.
Ismet Ferizaj, me profesion, inxhinier ndërtimi, u shpreh se biznesi i tij ka falimentuar, kjo sepse, biznesi i ndërtimit është në duar të personave, që janë pranë kryetarit aktual të Bashkisë, më konkretisht, të dajës së tij. Ai , shtoi se nga ky falimentim kanë mbetur pa punë 270 persona, që punonin për këtë firmë.
Mbi këto shqetësime, kandidati i djathtë, u zotua që pas 21 qershorit, në Bashkinë e re do të marrë fund njëherë e mirë kjo politikë fiskale mbytëse për biznesin. Në fjalën e tij z. Engjëll Cara tha se në Bashkinë e re, biznesi do të konsiderohet si një faktor i rëndësishëm në ringritjen ekonomike të qytetit dhe fshatrave të Bashkisë Kavajë.
“Ju do të ndjeni përkrahjen e administratës me politika lehtësuese. Ndër prioritetet tona do të jenë:
- Taksa ne minimumin e lejuar nga ligji ne 30% mbi tatim-fitimin. Me uljen e taksave, rritet kapaciteti prodhues i biznesit dhe në këtë mënyrë rritet punësimi
- Liberalizimi i tregut, që në qendër të jetë konkurrenca e lirë.
- Kundër gjobave që u janë vënë bizneseve për t’i shantazhuar. Të gjitha bizneset që janë gjobitur nga janari deri më sot, për selektivitet partiak, do të amnistohen nga Bashkia Kavajë.
Në këtë takim përveç grupit të interesit, ishin të pranishëm dhe specialistë të financave, të cilët dhanë disa këshilla për të pasur një platformë sa më efiçente dhe konkrete për të ringritur biznesin e vogël dhe të mesëm.
Dorian Teliti, ekspert financash, tha për të pranishmit se papunësia në Kavajë, po rritet dita-ditës dhe ekonomia është në rënie të lirë. Ndaj në projektin e z. Cara do të ngrihen disa shtylla në funksion të rritjes së ekonomisë.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28 Maj 2015