Fjala e deputetit te Partise Demokratike Astrit Patozi ne Parlament:

Ja kush i humb zgjedhjet

Ne duhet ta harrojmë se në Shqipëri do të ketë investime strategjike, nëse këtu nuk mbahen zgjedhje të lira. Por ndërkohë, nuk ka investim më strategjik për një demokraci të brishtë si e jona, se sa permirësimi i standarteve të zgjedhjeve në vend.
Por cfarë po bëjmë ne për këtë cështje, pasi tashmë jemi në mesin e fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 21 qershorit? Me të keqen, mendoj une. Shikoj re të zeza në perspektiven e tyre dhe kam bindjen se gjithcka do të vijë duke u përkeqësuar, sepse të tilla janë shenjat.
Po ju sjell disa shembuj për këtë, vetëm pak kilometra larg Tiranës, në bashkinë e Vorës. Natyrisht, unë e di se Vora nuk është qendra e botës dhe se atje garohet për një njësi administrative relativisht të vogël, në raport me bashki të tjera të vendit që janë shumë më të mëdha. Por është aq flagrante dhuna dhe presioni i pushtetit, saqë ia vlen të ndalesh për ta paraqitur si model, ose më mirë të themi, për shëmbëlltyrën e shëmtuar të këtyre zgjedhjeve.
Unë kam pasur rastin të ndjek të paktën 5 fushata në atë zonë dhe me plus – minuse fare të vogla, gjithcka ka shkuar pothuajse pa probleme, edhe për shkak të vetë natyrës së butë dhe të qetë të banorëve të Vorës, Berxullit dhe Prezës, që tashmë perfshihen nën juridiksionin e bashkisë së re.
Por këtë radhë, si asnjëherë tjetër atje mbizotëron një atmosferë lufte! Ka një ankth dhe tension të pazakontë në cdo fshat. Si ka mundësi? Sepse njerëzit janë po ata. Po ashtu, as unë dhe as ju nuk dini që në Vorë të jetë zbuluar ndonjë vendburim i madh nafte apo është gjetur ndonjë rezervë floriri, qe t’ia ketë rritur papritur vlerën. Po cfarë ka ndodhur atëherë kësaj radhe atje, që ka mobilizuar kaq shumë policinë, e cila është tërësisht e përfshirë në fushatë, në favor të njërës palë, bandat e qeverisë, që kanë zbarkuar të gjitha në atë zonë, por edhe bandat e krimit nga Vora dhe nga Tirana, që i kanë nxjerrë sheshit armët, dhe i mbajnë lokaleve mbi tavolina. Cfarë i bën bashkë dhe cfarë i trimëron, si policët me uniformë, ashtu edhe kontigjentet e krimit, që i kane harruar “hesapet e vjetra”, por janë të gjithë për një qëllim në Vorë?
Pergjigja është – kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili është në qendër të gjithë asaj që po ndodh. Nuk e di dhe nuk dua ta di se për cfarë arsye e ka vendosur që ta fitojë me cdo cmim dhe cdo mjet atë bashki, ndonëse nuk ka asnjë shans. E them këtë, pa asnjë kënaqësi, madje me keqardhje, por gjithësesi me bindjen më të plotë.
A doni t’ju jap një provë të pakundërshtueshme për këtë? Nuk ka nevojë të shkoni apostafat në Vore për ta parë, por mjafton të kaloni rrugës në autostradën Tiranë-Durrës. Duket nga makina se mu në sheshin qëndror të qytetit nuk qëndron posteri i asnjërit prej kandidatëve, por ai i Ilir Metës. Pyetja ime është se për cfarë kandidon ky tipi në këto zgjedhje, për kryetar bashkie apo për këshilltar bashkiak, që i bën hije sheshit atje mu në mes të zgjedhjeve lokale? Por në rast se e ka vendosur të fitojë me cdo kusht në Vorë, le të japë dorëheqjen nga kryetar Kuvendi dhe ta provojë të zgjidhet kryetar bashkie. Të paktën gara do të ishte më e ndershme dhe më e sinqertë. Do të ishte në fakt garë reale, pikërisht zyrtarizmi i asaj që po zhvillohet në Vorë, sepse kandidati i opozitës sot ka rival Ilir Metën dhe të gjithë cetën e LSI-së në qeveri, që telekomandohet prej tij. Me këtë rast, do të shpëtonte edhe atë hallexhiun që ka për kandidat atje, të cilin nuk e lënë as të flasë nëpër takime, ngaqë nuk i bën dot bashkë tre fjali me kryefjalë dhe kallëzues.
Është i paprecedent pezullimi arbitrar i biznesit të kandidatit të Partisë Demokratike, Fiqiri Ismaili, të cilit i shkuan të shtunën në fabrikë dhe të dielën i nxorrën vendimin njerëzit e Ilir Metës në AKU. Nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në këto 25 vjet, ndonëse ne kemi pasur plot zgjedhje, edhe të këqija, edhe shumë të këqija. Ku padyshim shkëlqejnë ato të vitit 2001, kur kryeministër ishte pikërisht Ilir Meta. Por ja që deri këtu edhe vetë Ilir Meta nuk kiste mbërritur. Në një kuptim, ai është sot duke thyer edhe rekordet e veta.
Sepse shumë flagrante dhe shumë banale historia. Se kandidati i opozitës e ka biznesin që nga 1992-shi, dhe nuk mund të pritej kjo fushatë për ta bllokuar. Se fabrika është aty edhe pas 21 qershorit, por Ilir Metës nuk i pret puna, sepse me sa duket e di që deri sa të shkojë aty, ka humbur disa herë, ndaj e urdhëroi goditjen mu në nisje të fushatës.
Po cfarë mendojnë këta burracakë, që fshihen pas pushtetit më të korruptuar të rajonit, se na kanë në dorë jetën ne? Që po të mos jesh me ta nuk mund të gëzosh as liritë dhe as të drejtat më elementare të njeriut, të cilat u fituan pas shumë dekadash 25 vjet më parë? Që nuk mund të gëzosh as punën dhe as pronën, që nuk mund të shkosh as në shkollë, madje as të lutesh në kishë apo xhami, pa lejen e tyre?
Ketu kam rezultatet e analizave të miellit të bllokuar nga një laborator i certifikuar për standartet e BE në Itali. Është tërësisht i pastër dhe kjo e nxjerr zbuluar bandën e LSI-së që e bllokoi me urdhër politik fabrikën. Në cdo vend normal ky do të ishte një skandal i përmasave të jashtëzakonshme dhe vala e shkarkimeve nuk do të kursente, as ministrin e Bujqësisë, jo më zyrtarë më të vegjël, si ato cerrat e AKU-së. Sepse është sulmuar në mënyrë mafioze nga shteti një biznes i ligjshëm, aq më tepër kur ai i përket një përfaqësuesi të opozitës dhe gjithcka ndodh në fushatë. Por problemi është se nën këtë qeveri asgjë nuk ndodh, pasi xhahilët e pushtetit janë monument kulture, që mbrohen nga Ilir Meta, dhe për rrjedhojë edhe nga Edi Rama.
Jo më larg se dje policia u përpoq te pengojë edhe vendosjen e flamujve të opozitës në Prezë, nderkohë që punëtorët që e bënë këtë “krim” sot janë thirrur në komisariat. Edhe shefin e komisariatit e kanë zgjedhur që të jetë, jo vetëm fans të LSI, por edhe me origjinë nga krahina e Ilir Metës. Po cfarë kujtojnë këta banditë politikë se do ta zhdukin fare opozitën dhe do t’i trembin njerëzit në atë farë feje sa të kenë edhe frikë të deklarojnë bindjet e tyre politike? Se pas kësaj nuk mbetet gjë tjetër vetëm ta nxjerrësh jashtë ligjit opozitën.
Nga kjo foltore paralajmëroj cdo oficer dhe punonjës policie ne Vorë, Tiranë dhe kudo tjetër që të qëndrojnë larg procesit zgjedhor dhe të zbatojnë ligjet e ketij vendi dhe Kodin Zgjedhor, dhe jo urdhërat politikë, qofshin keto edhe te kryetarit te parlamentit. Sepse, herët a vonë, do të vihen personalisht para përgjegjësisë.
I thashë të gjitha këto, jo se kam ndonjë merak se incidentet e shumta do të ndikojnë në rezultatin e Partisë Demokratike në bashkinë e Vorës, sepse fitorja atje është e padiskueshme dhe e panegociushme. Por për të treguar se në cfarë klime po zhvillohen zgjedhjet lokale të 21 qershorit në Shqipëri. Sepse kur e bëjnë këtë në Vorë, që është gjithësesi një bashki e vogël, dhe vetëm 10 km larg kryeqytetit, përfytyroni se cfarë janë në gjendje dhe cfarë po bëjnë këta në njësi të tjera ku përfshihen interesa shumë më të gjëra, dhe që janë disa orë larg Tiranës, ku mundësia për t’ia fshehur faktet publikut është më e madhe.
Tani edhe dy fjalë për kokën tjetër të shqiponjës qeverisëse, të cilin e shikoj si tërësisht të dorëzuar dhe të pafuqishëm përpara të parit, pavarësisht se është kryeministër. Është duke zhvilluar fushatën më të shpërlarë që kemi pare ndonjëherë në Shqipëri në këto 2 dekada e gjysëm pluralizëm. Sigurisht, është në të drejtën e tij të zgjedhë stilin, veshjen, batutat dhe zhargonin që përdor, por një kryeministër normal nuk mund të thotë kurrrë se cdo votë për kandidatët e opozitës është e shkuar dëm, sepse ata do të bëjnë politikë pastaj. Edi Rama mund të jetë i vetmi udhëheqës në botë që ankohet që opozita merret me politikë, a thua se ne jemi këtu për t’i bërë fresk qeverisë, apo për të folur vetëm për kuturën dhe për sportin.
Po natyrisht që do të bëjmë politikë dhe do të rrëzojmë sa më shpejt që të jetë e mundur, edhe pasi të kemi fituar bashkitë. Po kjo nuk do të thotë se nuk do të qeverisim në bashkitë tona, ashtu sic, për hir të së vërtetës, keni bërë e edhe ju, në gjithë këto vite. Do të ishte e pafalshme edhe sikur Edi Rama të kishte qenë kryeministri i parë pas rrëzimit të komunizmit, por në fakt ai ka shumë radhë para, dhe e kanë provuar që të gjithë, se asnjëherë nuk mjafton të kesh qeverinë me vete, për të fituar zgjedhjet e pushtetit vendor. Se asgjë nuk ka u ndodhur qyteteve dhe fshatrave, që janë qeverisur nga opozitarët e kryeministrave, që nga Ylli Bufi e deri tek Sali Berisha. Ashtu ka për të ndodhur edhe pas 21 qershorit. Kjo është e sigurt.
Sa për atë fabulën e pështirë të gjoja një kryebashkiaku të PD që kishte frikë se e shihnin, ia kanë djegur pothuajse të gjithë kandidatët e opozitës, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë asnjë kompleks të bashkëpunojnë me kryeministrin në të ardhmen. Dhe kjo natyrisht që përfshin edhe takimin në zyrën e Edi Ramës. Por pyetja ime është se përse kryeministri dashka patjetër takim, dhe pse pikërisht në zyrën e tij me ata? Kur të gjithë ata që e njohin e dinë se ai nuk pret as ministrant e qeverisë së vet, e jo më deputetët apo kryebashkiakët e Partisë Socialiste, që nuk i ka fare në hatër? Nëse do të bashkëpunosh vërtetë me të ndryshmin apo kundërshtarin tënd nuk është e dosmosdoshme të puthesh apo të përfaqohesh, kur ka një mijë forma dhe mënyra të tjera komunikimi dhe bashkëveprimi. Gjithësesi, kjo është një temë që sa më shumë ta përmendë, aq më shmë nder na bën, sepse është një agument i diskretituar.
Ndërkohë, kërcënimet se ata që nuk votojnë qeverinë do të persekutohen në financime, janë sa qesharake, aq edhe frikshme, të cilat kam bindjen do t’i kthehen në boomerang Edi Ramës. E para, se nuk ka këllqe ta zbatojë, sepse opozita duhet të fitojë aq sa kryeministri mos të dijë nga ta fillojë “ndëshkimin” e të pabindurve pas zgjedhjeve. Dhe e dyta, se nuk mundet. Sepse ai është kryeadminstratori, por nuk është zoti i arkës së shtetit. E aq më pak zoti i lirive dhe i dinjitetit tonë. Se po të ishte ashtu, ne nuk kishte nevojë fare të zhvillonim zgjedhjet lokale, sepse na mjaftonte qeveria, e cila paska në dorë edhe diellin, edhe shiun.
Po tek e fundit, këto janë probleme të Edi Ramës, për të cilat sigurisht që koston apo meritën do ta marrë ai vetë. Janë të ulëta, janë antidemokratike, por do të jnë shqiptarët që do ta vendosin me votë, se cilin do të mbështesin dhe ciin do të refuzojnë.
Të nderuar kolegë,
Në këtë sallë, ne jemi mësuar që sa herë ka zgjedhje, të premtojmë dhe mburremi nëri-tjetrit për një fitore të thellë, e cila shumë rrallë ka ndodhur. Unë nuk dua të bie në këtë klishe dhe të flas që tani për një humbje shkatërruese të koalicionit të majtë, ndonëse qeverinë e kemi pasur me vete në këto dy vjet, që, pikërisht, kjo të ndodhte. Sepse mendoj që sot dhe gjithmonë ka më shumë rëndësi që njerëzit të votojnë të lirë, se sa kush do të jetë fituesi. Aq më tepër, kur bëhet fjalë për zgjedhje lokale, rezultati i të cilave është lehtësisht i interpretueshëm.
Dhe meqë i konsideruam zgjedhjet e lira si investim strategjik për një shoqëri si e jona, është totalisht përgjegjësi e kryeministrit standarti i 21 qershorit.
Por Edi Rama nuk mud të fshihet nesër, as gjoja pas kapërcimeve dhe fantazisë krijuese të LSI dhe as pas ekzagjerimeve të ndonjë kandidati që mund t’i dalë “jashtë kontrollit”. Do të jetë bashkëautor dhe bashkëpërgjegjës me cdo drejtues poltik, kandidat apo nëpunës shteti që do të cënojë lirinë e zgjedhjeve më 21 qershor. Aq më pak nuk mund të fshihet pas gjoja zellit të vecantë të Ilir Metës, edhe sikur vetë të vendosë të qëndrojë jashtë skemës së deformimit të zgjedhjeve, ndërkohë që po bie erë të keqe gjithandej.
Askush nuk e mban mend se kush ishte kryetar parlamenti, madje edhe ministrin e Brendshëm e kanë harruar se kush ishte më 2001, por të gjithë e kujtojnë si kryeminstër të zgjedhjeve të dajakut dhe të mbushjes së kutive, Ilir Metën.
Edi Rama, do të jesh ti përgjegjësi i vetëm, ndaj mbaji larg duart e pista të pushtetit nga zgjedhjet.


Fjala e deputetit të Partisë Demokratike Astrit Patozi, 28 Maj 2015