Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike (më shumë se 1/10 e anëtarëve të Kuvendit), në zbatim të Kushtetutës, ligjit dhe Rregullores së Kuvendit, në përputhje me nenet nenet 4, 7, 70, 71, 124, 131/e dhe 134/c, të Kushtetutës, ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për Kundërshtimin e vendimin nr. 48/2015 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosdërgimin në Gjykatën Kushtetuese të çështjes për konstatimin e papajtueshmërisë me detyrën e deputetit të zotit Koço Kokëdhima” dhe konstatimin e antikushtetueshmërisë së këtij vendimi: Konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetit për z.Koço Kokëdhima si dhe Intepretimin e nenit 70 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Vendimi i Edi Rames dhe Ilir Metës për të marre në mbrojtje shkelësin e Kushetutës dhe për t’ja fshehur atë drejtësisë është rast i paprecedent në këto 24 vite të parlamentit dhe demokracisë.

Nëse Kuvendi bëhet mburojë për deputetët që shkelin Kushtetutën dhe ligjin, atëherë nga organi më i lartë i përfaqësimit të popullit, shndërrohet në organin më të lartë të mbrojtjes së interesave të Koço Kokëdhimës dhe bizneseve të tij. Ky është fundi i demokracisë dhe i kushtetueshmërisë në vend.

Ishte në detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë që të respektojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe legjislacionin e miratuar nga vetë Kuvendi, duke paraqitur dhe miratuar mocionin për dërgimin e cështjes për shqyrtim pranë Gjykatës Kushtetuese, për të konstatuar papajtueshmërinë në ushtrimin e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima. Në këtë rast Kuvendi ishte i detyruar që të ndjekë standardin kushtetues dhe precedentin parlamentar të rastit “Beqaj”, të provuar edhe nëpërmjet vendimit nr. 44/2011 të Gjykatës Kushtetuese. Rasti i deputetit Koço Kokëdhima është disa herë më i rëndë se rasti i deputetit Ilir Beqaj, pasi janë me qindra rastet e përfitimit të parave nga Buxheti i Shtetit.

Marrja në mbrojtje dhe fshehja nga drejtësia e deputeteve që janë miq për kokë të Kryeministrit shndërrohet në një precedent të rrezikshëm për demokracinë, pasi çdo mazhorancë në Kuvend edhe në të ardhmen mund të mbrojë deputetët e saj duke injoruar detyrimin kushtetutes, dhe interesat e qytetareve.

Për këtë arsye,  ne shprehim bindjen dhe vendosmërinë tonë të plotë që Gjykata Kushtetuese do të gjykojë për këtë çështje me paanshmëri dhe bazuar në provat dhe faktet e pakundërshtueshme të këtij dhunimi të Kushtetutës në mënyrë flagrante nga Koço Kokëdhima dhe mbrojtësi i tij personal, kryeministri Edi Rama.


 

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 29  Maj 2015