Edi Rama vazhdon të shkelë Kodin Zgjedhor dhe të injorojë thirrjet për të mos cënuar standardet për zgjedhje të lira e të ndershme.

Edhe sot, ai vuri në dispozicion të kandidatit të tij për Tiranën, nje zyrë te administratës publike, siç është Aluizni, duke e kthyer punën e saj dhe detyrimin ligjor që ka, në një shoë mediatik e propagandistik për interes të fushatës.

Kjo është një shkelje brutale e Kodit Zgjedhor, e nenit  3, i cili ndalon përdorimin e aseteve publike në fushatën elektorale.

Konkretisht në pikën 7 dhe të 8 të këtij neni thuhet :

-Me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj, ndalohet vënia në përdorim të subjekteve zgjedhore i mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme pronë publike, si dhe i burimeve njerëzore të administratës publike të çdo niveli.

-Institucionet e administratës publike, të çdo niveli, me veprimtarinë̈ e tyre nuk duhet të cënojnë zhvillimin e zgjedhjeve.

Kodi Zgjedhor është Kushtetuta e zgjedhjeve, dhe është votuar e miratuar edhe nga Edi Rama.

Në mënyrë të përsëritur, kryeministri po e shkel këtë Kushtetute, ashtu siç po mbjell kudo, e stimulon kudo, frymën e manipulimit të votës.

Partia Demokratike i bën thirrje ODIHR-it, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, ambasadave të vendeve të Bashkimit Europian,  që të monitorojnë nga afër e të evidentojnë në raportet e tyre këto shkelje të pashembullta e të përsëritura të stardardeve të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Përsërisim thirrjen ndaj Prokurorisë të nisë menjëherë

ndjekjen penale për këtë shkelje të rëndë e flagrante, ditën për diell, që funksionarët e lartë të Administratës po i bëjnë Kodit Zgjedhor.

Shkelja në këtë rast ka emër, quhet Artan Lame, i cili e ka kthyer ALUIZNI-n në zyrë të shtabit elektoral të kandidatit Erion Veliaj.


Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike, Keltis Kruja 30 Maj 2015