Përparim Agalliu, kryetar i seksionit nr 6 të degës së Partisë Demokratike në Durrës rrëzoi versionin e Policisë mbi dhunimin e bashkëshortes së tij, dje në mbrëmje. Agalliu tha për mediat që Policia e Shtetit ka dhënë një version aspak të saktë për ngjarjen. Ai tha se nuk ka asnjë konflikt dhe nëse Policia mbështet këtë version atëhere të tregojë autorët. Në të kundërt, tha Agalliu, Policia po bën një lojë që të fshehë autorët e vërtetë të ngjarjes. “Nëse policia ka arritur në këtë përfundim do të thotë që ka gjetur autorët e këtij krimi dhe i lutem policisë të thotë nëse i ka arrestuar këta autorë. Ndryshe, bën lojë që të fshehë autorin e vërtetë të kësaj vepre kriminale”, tha Agalliu i cili shtoi se ngjarja ishte e tmerrshme në dhunën ndaj bashkëshortes së tij ku pasi e goditën i thanë; tani ec e voto për PD-në.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 21 Qershor 2015