Deromemaj: Kompensim financiar për energjinë elektrike nga 3500 lekë për 6000 familje në nevojë të Vlorës
Kandidati për kryetar të Bashkisë së Vlorës Genc Deromemaj, prezantoi platformën e tij për zhvillimin e Vlorës. Ulje taksash dhe tarifash në minimumin e mundshëm ligjor, mbështetje për bizneset që hapen dhe punësojnë të rinj, hartimin e planit të përgjithshëm rregullues, zhvillimin e infrastrukturës dhe investimeve në funksion të turizmit ishin disa nga pikat e platformës së z. Deromemaj. Pas takimeve në zona të ndryshme Deromemaj tha se varfëria ka arritur kulmin dhe për këtë një vëmendje të veçantë u ka kushtuar shtresave në nevojë, duke nisur me një fond për kompensimin e energjisë elektrike.
“Para ca ditësh takova një grua e cila kishte shitur gjysmë litri gjak dhe këto lekë i kishte marrë e i kishte çuar për të paguar energjinë elektrike sepse kishte frikë të shkonte në burg. Ne do të bëjmë të mundur një fond rimbursimi për energjinë elektrike me vlerë 3500 lekë për familje. Janë 6000 familje që do i kushtojnë buxhetit të administratës së bashkisë nesër jo më shumë nga 21-22 milionë lekë të reja” -theksoi Deromemaj.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se Vlora nuk mund të jetë çiflig i Koço Kokëdhimës dhe Edi Rama. Ata, tha zoti Basha e shohin Vlorën vetëm për përfitim personal ndërsa qytetarët e Vlorës i kanë zhytur në varfëri dhe mjerim. Z. Basha u ndal dhe tek shëndetësia e cila është në ditën e saj më të zezë. Ndërsa po fliste për abuzimet me ilaçet një zonjë nga salla ka marrë fjalën për të treguar se si ajo e kishte të pamundur të kuronte djalin e saj të sëmurë rëndë dhe mjekët refuzonin ta shtronin në spital dhe t’i jenin KEMP.
“Nuk kanë se çfarë bilanci të prezantojnë Edi Rama dhe Koço Kokëdhima edhe kur guxojnë siç guxuan sot të vijnë e të flasin për spitalin psikiatrik, të gjithë e dimë, filloi të ndërtohej në kohën kur ministrinë e Shëndetësisë e drejtonte kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës, dr. Halim Kosova, harron të thotë kryesoren. Programet investigative me kamera të fshehta treguan se si merrej 500 mijë lekë rryshfet për një KEMP.
Grua nga salla: Mua po më vdes djali….
Basha: Eja këtu ….
Gruaja: Po më vdes djali, 25 vjeç, nuk kam çfarë t’i bëj më. Punoj për 150 mijë lekë, nuk ma shtrojnë në spital, as nuk i japin as raport, as KEMP. Kjo është qeveria e Edi Ramës. Jemi të zhgënjyer që të gjithë nga Edi Rama.”
Basha: “Realiteti është ky por nga ana tjetër 5 milionë dollar i kanë vjedhur nga fondi i kompensimit për insulinën dhe për sëmundjet e rënda. Lekët e të sëmurëve i kanë vjedhur. Deri këtu ka shkuar pashpirtësia.”
Z. Basha ka ftuar qytetarët e Vlorës të votojnë për Genc Deromemajn dhe për Partinë Demokratike, të ndëshkojnë me votë keqqeverisjen dhe t’i hapin rrugën ofertës së re për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve në Vlorë dhe Shqipëri.
“Zgjidhja dhe zgjedhja është shumë e thjeshtë. Koço, fraksion një, apo një vlonjat për Vlorën. Vota për Genc Deromemaj është vota për të ndalur të keqen që po përparon çdo ditë në familjet tuaja por është po kështu vota për zbatimin e platformës sonë për uljen me 25% të çmimit të energjisë dhe faljen e kamatë-vonesave, uljes së çmimit të naftës, rritjes së konsumit përmes rritjes së fuqisë blerëse, heqjes së TVSH për mallrat e shportës, rritjes së rrogave e pensioneve. Këto janë propozimet tona, kjo është platforma jonë, kjo është oferta jonë”-theksoi z. Basha.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 1 Qershor 2015