Procesi mësimor u pezullua sot në të gjithë rrethin e Sarandës. Mësues e nxënës u detyruan të mbushin sheshin pranë “Limanit” të qytetit, për një takim elektoral të kandidates së Koços, ku sot gjeti mbështetjen edhe të vetë Ministres së Arsimit, znj. Lindita Nikolla.
Drejtues të institucioneve arsimore e mësues të tyre u mashtruan me urdhër të Koços, se do takoheshin me Ministren për çështje të arsimit ndërkohë që maturantët u mashtruan se do diskutonin për Maturën Shtetërore. Por takimi në Limanin e qytetit, rezultoi krejt ndryshe. Nën banerat ku tregohej se çfarë drejtimi duhet të ndjekin votuesit, u shfaq edhe vetë deputeti Koço Kokëdhima e kandidatja e tij.
Pasi vetë Ministrja u shpreh e kënaqur që merrte pjesë në një takim, siç e theksoi ajo, elektoral, treshja Nikolla, Kokëdhima e kandidatja e tij, premtuan e stërpremtuan sot për arsimin por mbi të gjitha, kërkuan votën e mësuesve dhe nxënësve për zgjedhjet e 21 qershorit. Revolta e përbrendshme për përballjen e sotme, nuk mund të shprehej nga pjesëmarrësit, pasi masat ishin marrë që në rast mungese në takim apo reagimi, pasojat do të ishin të rënda.
Nga politizimi i ditës së sotme, nuk është përjashtuar as Filiali Universitar i Sarandës, i cili është pezulluar me vendim të oligarkëve në pushtet, me fatin e të cilit vazhdon të luhet politikisht.
I bëjmë thirrje Ministres Lindita Nikolla dhe deputetit Koço Kokëdhima, të qëndrojnë larg përdorimit të administratës në fushatë, presioneve ndaj nxënësve, studentëve e qytetarëve pasi as presionet e as premtimet boshe nuk e deformojnë dot votën e banorëve të Sarandës.
Deklaratë e sekretares së Partisë Demokratike dega Sarandë, Matilda Qurku, 3 Qershor 2015