Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë Kavajë Engjëll Cara, vijoi takimet në fshatin Synej, fshat në të cilin ai shfaqi platformën e tij, për zhvillimin ekonomik të zonës, punësimin dhe bujqësinë.
Në këtë fshat, militantë të Partisë Socialiste kanë kërcënuar e shantazhuar bështetësit e Partisë Demokratike, ndaj ky problem zuri një pikë të rëndësishme në diskurin e z. Cara. Ai u bëri thirrje banorëve, që të mos tremben, pasi do u jetë gjithnjë në krah.

“Ervin Rroshi, Gent Daja, po ju them personalisht, nëse guxon të prek një banor të Golemit, të Synejt, të Luzit, të Helmasit, të Kavajës, do të ketë përballë ligjin dhe mua personalisht. Ka ikur koha e cubave me dhëmbë qumështi”

Më pas kandidati i djathtë Engjëll Cara, u ndal në një shtyllë të rëndësishme të programit të tij, siç është punësimi, i cili do të realizohet edhe me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare.

“Sigurisht që ne në shtyllat tona të programit që do paraqesim dhe kontratën që do lidhim bashkë në katër vite, kemi përcaktuar që zhvillimi ekonomik dhe punësimi, të jenë prioritet i programit tonë. Me projektet tona, me institucionet ndërkombëtare do të bëjmë të mundur që të rrisim punësimin”.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 4 Qershor 2015