Jam këtu bashkë me qytetarët e Vorës për t’i thënë Ilir Metës, bandave kriminale që ka angazhuar në Vorë e kudo në Shqipëri ku kandidon me kandidatët e tij, se e ka kot , se as kërcënimi ,as presioni as pakti i Gjirit të Lalzit që ka lidhur me bandat nuk do ta mposhtin dot vullnetin e qytetarëve të Vorës për të votuar të lirë për kandidatin që duan ata, për ofertën që duan ata. Në 25 vjet pluralizëm, kurrë nuk ka ndodhur që një kandidat, e aq më pak një kandidat i opozitës, të detyrohet të zgjedhë mes biznesit dhe mandatit. Ky është një presion i papranueshëm i një stili korruptiv, mafioz, i denjë vetëm për Ilir Metën dhe skodën e tij, i denjë për dyshen Rama-Meta, i denjë për honet për të thella të antivlerave që sot vërtetiten me xhama të zinj në Bashkinë e Vorës, Bashkinë e Lezhës, Bashkinë e Ersekës e kudo ku kandidojnë hijet e Ilir Metës, të cilët e gjejnë të pamundur të përballen me qytetarët. Të vetmen shpresë kanë ndihmën e mafias, kanë ndihmën e bandave, kanë ndihmën e kërbaçit qeveritar. E kanë kot. Vullneti i qytetarëve nuk mposhtet, vullneti i qytetarëve nuk blihet, asnjë bandit, asnjë bandë, asnjë grupin mafioz me apo pa mbështetjen e kryetarit të Kuvendit, apo të kryeministrit të vendit, nuk mund dhe nuk do e devijojë vullnetin e qytetarëve të lirë. Ne jemi sot më besimplotë se kurrë në fitoren tonë fitoren e qytetarëve të Vorës, e mishëruar në kandidaturën tonë fituese me personin me qytetarin me integritet të lartë, në drejtuesin që ka prodhuar të mira dhe shërbime për Vorën, me Fiqiri Ismaili. Burimi i nervozitetit, burimi i humbjes së qetësisë dhe durimit famëkeq të Ilir Metës, i cili ka vërtitur si hiena njerëzit e korruptuar të administratës nën urdhrat e tij për të bërë një akt të pashembullt sot, për të cilin e siguroj që ai do të përgjigjet, po do të përgjigjet një më  një me emër e mbiemër  çdokush që mban firmën e tij të zezë mbi këtë akt mafioz mbi këtë akt kriminal mbi këtë akt të pashembullt të dhunimit elementar të standarteve të zgjedhjeve është bashkimi i shqiptarëve kundër keqqeverisjes së tyre. Sot ne kemi informuar të gjitha institucionet ndërkombëtare për këtë gjëmë, për këtë tentative për të shkatërruar zgjedhjet ne Vorë, për firmën dhe vulën e Ilir Metës  mbi këtë tentativë, sikundër mbi tentativën tjetër që bëri sot për të kërcënuar kandidatin tonë në Ersekë, sikundër tentativat që bën ditë për ditë, në fakt natë për natë nga Lezha në Gjirokastër, kudo ku nuk i dalin hesapet me popullin dhe mendon se popullin mund ta blejë, popullin mund ta kërcënojë njësoj siç blen dhe kërcënon zyrtarët e tij të korruptuar të çdo niveli.

Sot i them ora e shantazhimit të popullit me paratë e korrupsionit, me bandat, që i ke thirrur apo i ke nxjerrë, apo u ke dhënë leje me zyrtarët e tu të korruptuar  të burgjeve  ka marrë fund.  Shumë shpejt  modeli yt i korrupsionit, modeli yt i bandave do të marrë fund dhe ky moment do të jetë momenti i votës së qytetarëve që as ti, as ortaku yt  në krim ndaj korrupsionit Edi Rama  nuk mund dhe nuk do ta ndali. Ne jemi  në një përballje pa kthim  për Shqipërinë e standardeve Euro-Atlantike, për Shqipërinë e standardeve  Europiane. Ne e kuptojmë që Ilir Meta dhe qeniet e shoqëruara me të ndihen të rrezikuar  se nuk e shikojnë veten e tyre në Shqipërinë e standardeve Europiane. Ky është problem i tyre, ky nuk është problemi ynë. Ne nuk do ta lëmë këtë të jetë problem i Shqipërisë, ne nuk do ta lëmë këtë kurrë të bëhet problem i Vorës  dhe i qytetarëve të Vorës.

Shqipëria dhe Vora do të ecin përpara  dhe ju do të mbeteni  prapa si hijet më të zeza të së kaluarës kriminale dhe korruptive të një regjimi që do të shembet me votën e qytetarëve më 21 qershor.


Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, në Vorë, 6 Qershor 2015